NE LARGIMIN NGA AEROPORTI I PRISHTINES
E kërkova me sy deri në retë.
Kosovën,
Diellit ia lashë amanet.
ME KUAJT E ERËS PËRTEJ DETIT
Merreni dashurinë
Çojeni përtej detit
Për ta murosur në vendlindje.
Nuk do vonohet shumë për trupin tim,
Ndoshta njëqind vjet,
Ndoshta një mijë vjet…
Trupi im, nga vonesa
I gjysmëmbetur rrugëve të botës,
Baladë e heshtur,
Do të qëndiset në pëlhurën e hijes sime
Për të ardhur me kuajt e erës
Përtej shtatë maleve,
Përtej shtatë deteve,
Përtej shtatë kontinenteve.
Dashuria ime
Është bar i gjelbër,
Mbin ay ku nuk shkelet.
BUZËQESHJA E LUMIT MISISIPI
Lumi Msisipi është kryeneç, i palodhur,
Nuk çlirohet nga dëshira e rebelimit.
I rrëmbyeshëm,
U futet fushave, shtëpive,
Duke u vjedhur ëndrrat,
Për t’i përpirë në shtratin e pafund…
Vetëm gratë e përdala,
Si buzëkuq I harruar
Hedhin mbi valët e tij
Grimca,
Nga dashuria e tyre e paputhur.
Në ditët e paqes
Misisipi është i qetë.
DETI DHE POETI
(Zef Serembe)
E kërkova poetin,
Poeti kërkonte të dashurën.
Të dy një fat kemi;
Unë përtej Atlantikut,
Ti përtej Adriatikut;
Një det dashurie
Për të shtrenjtën Shqipëri.
36 SHKRONJAT
Duke shëtitur kalldrëmeve të qytetit në Manastir,
Shoqërohem krah për krah me alfabetin e shqipes.
36 shkronjat buzëqeshin në abetaret tona,
Në qytetin e lashtë rreshtohen në radhë.
Historia shkruhet me këto 36 shkronja,
Përtej lumit alfabeti cirilik i turpëruar.
ME NOLIN NE BOSTON
( Nga vizita e anëtarëve te Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë në katedralen e Shën Gjergjit në Boston)
Me sytë e mi e pashë Nolin.
U ngjit shkallëve të katedrales së Shën Gjergjit
Kam festë sot- tha-
Vijne nga larg, shkrimtarët.
Me sytë e mi e pashë Nolin.
Duke u lutur për mëkatet tona
Kam festë,
T’i gostisë shkrimtarët.
Me sytë e mij e pashë Nolin.
Sot nuk kam kohë për meshë- u tha besimtarëve.
Kam festë,
Deri te deti do udhëtoj me shkrimtarët.