Alma Papamihali
Cikel poetik nga vellimi i ri"Shtegtim Pulebardhe"

AJRI IM
O natë që përkulesh ngadalë,
E shtrihesh si shelg mbi liqen,
Patjetër çfarë doje tregove
Ndaj ikën e pas më nuk vjen...
Në shtrat ashtu mbledhur kruspull,
Të mbeturat orë shfleton,
Vetë ajri në "të dashur" shndërrohet,
Ndaj ëndrra më ndryshe shijon...
Dhe nata përkulet ngadalë
E s´do të tregojë më se ç´di,
Me ngjyra të çelura është veshur,
Se vetë dashuria s´mban zi.
ENIGME KTHIMI
Jemi shumë, sa shumë jemi ne,
Fëmijë dyvendesh lindje-perënduar,
Si të huaj, njërës anë përcjellë,
E në tjetrën, mysafirë pritur
Dhe pse më parë (kurrë) s´ishim harruar...
Qindra duar zgjatur sportelesh,
Shpesh fundosur kur indentifikohen,
Më shumë largohemi se vijmë,
Jetë që pas ndërprerjesh ecin,
Por që pa nisur ende, mbarohen...
Çdo centimetri gjendemi ne,
Të ashtuquajturit "binjakë perëndimi",
Vërtetë nuk veshim të njëjtat ngjyra,
Por skenar ëndrrash të një autori jemi,
Përfunduar, me enigmën e një kthimi...
Jemi shume...(sa shume jemi ne)
Që dy herë më shpejt vdesim nga të tjerë!
FOSHNJA MBI LETER
Ajo lindi një fëmijë me të,
Dhe pse qarje foshnje,
Askund s´u dëgjua,
Dalloi fjalë të lëvizin,
Mes të shkrirëve qerpikë,
E bukurisë së tyre u harrua...
I dha emër një foshnje,
Dhe pse nuk preku
Lëkurë me duar,
Poreve të trupit,
Ajër ndjeu,
Një lindje e kish´ mrekulluar...
Me të krijoi një fëmijë,
Që s´ia mësoi
Kurrë gjininë...
E ç´rëndësi,
Në djalë ishte, a vajzë
Kur fytyrës ëndërroje dashurinë...
Ata lindën një fëmijë,
Pelenash mbështjellë,
Me të bardhat fletë...
Nuk qante foshnja,
Por ajo,
Vetë jeta, kishte prekur jetë!
GJITHCKA JETON
Nuk thahen fjalët në gjuhën e lagësht,
Dhe nëse nga etja, një buzë është tharë,
Nuk çahen rrugët nga hapa të rëndë,
Dhe nëse lëvizin, mijëra kalimtarë.
Nuk thyhet koha, as nuk paloset,
Si një kujtim në xhep harruar.
Asgjë nuk thyhet dhe plasaritet
Nëse rreh puls i dashuruar...
MOLLE DIMRI
Kur të kesh tradhëtuar njëherë,
gjithçka do duket tjetërsuar,
memorjes do kërkosh
të shkuarat ditë t´i flijosh,
apo t´i mbysësh
me tëndet duar...
Pa ndryshe do nisësh të shijosh,
të ndaluarën mollë,
që dimrit veç për ty piqet,
dyshimshëm do shohësh kalimtarët,
por nga mendja i fundit imazh,
kurrë s´do të hiqet!