Ku shkoni, o të plakur?...
Çapiten nëpër ajër të kohës,
kukurisin me pak zë grumbuj të moshuarish.
-Ku shkoni, o të plakur nëpër mjegullën e bardhë...
jeni hallexhinj,
deri në shpirt të thinjur?...
* * *
Tani nuk ka lojëra për ata,
veç fjalës që ua dhurojmë
a belbëzimin e një foshnjeje...
Mbetur me veten, qeshin me fytyrën
plakushe të tyre
dhe ëndërrojnë kujtimet e së djeshmes
varur në kopshtin e lodrave.
Në gram të shpirtit
ndihen pëshpërima buzësh
që dikur puthën...
Të ecin duan, diçka më tutje, ashtu,
Me gjysmë fryme, ecin...
17 Qershor 2010
Vendi im Kërkëllinë Vajtueshëm
Ishull shpërndar nëpër ujë,
një i bukur, vendi im.
Drejt tij gjithçka fluturuese
kërkëllinë vajtueshëm virgjërinë.
* * *
Vendi im, jugë e shi.
Qielli prerë nga vetëtimat
era dhunshëm loz.
Për gjatë ditës,
gri e i qulltë qielli, ajri e toka.
* * *
Mbrëmjeve
vendi pikëllimë ngjyrash
si mendim në fluturim
shpend të gjalla firuar nga uria.
* * *
Nëpër rrugë të shkara
me mushka e xhipa drejt tokave të vjetra.
Nëpër det,
njeriu luan monologun e shishes
veshur me gjethe greke a romake.
* * *
I lajthitur
nëpër sheshet e fshat-qyteteve
vendi im përtyp i verbër,
ato çka i kanë mbetur nga torba e gjyshërve,
me dëshirë t’i vër zjarrin pranverës vyshkur nëpër pyje.
Ku fëmijë topbore heqin vallen
e Lek Dukagjinit.
20-2-2010 Athinë
Pluhuri i të vdekurve
Pluhuri i të vdekurve
trazohet
në vite e sekuj...
Mbushur fushat dhe kodrat.
Së afërmi do ngopen dhe malet
me pluhur kufomash,
Pluhuri i të vdekurve do bashkohet
me retë.
Do ketë shi të vdekurish?
Besoj te dyshimi.
Përfytyrime
Nëpër
Vargje...
* * *
Të shikosh dëborën dhe erën
kaq afër nëpër fshat e ti ledhatosh me duar cung
në këto vise të veriut
rrezikon të trembesh nga ulërima e egërsirave,
që si muzikë-Pop- bredhërijnë nëpër shtëpitë e fshatit.
Në ish sheshin e Katundit grinden meloditë e humbura
në skamje për kufoma këngësh,
dhe shëmtitë e tyre shëtisin asfalteve
për të qenë të lumtur një çast.
* * *
Kishte sëmundje të keqe...
Sytë i dridheshin nën mbulesën e qerpikëve të gjatë
shkruar me bojë dyshimesh.
Dikush e ngriti në krah deri te frymëmarrja,
që i përgjigjej peshës së tij të lodhur.
Kështu, përsëri zbriti që të ndiqte shtëpinë e tij që lundronte mbi lum.
* * *
Duke ardhur rreth e qark vetes për të parë,
se çfarë kam për të lënë peng,
si një mendim i prishur rrjedhojë e fërkimit me jetën
mu tha qëllimi i vetes për të shkuar deri te pragu
i një kasolleje,
ku jeta ecën shaluar mbi një mëz fushave për të gjuajtur lepuj.
* * *
Sot në kohën e divorcit, kujtimet më të bukura
shkruhen në “bashkëjetesë”
Pëllumbat fluturojnë nëpër aerodromet e shpirtit të mangët,
të patejdukshme, si smog ndër sytë e ngjyrosura,
të thara nga padashuria.
Trembja Poetike
A të mjafton vetmia e trupit tënd...?
* * *
Ta nxjerrsh jashtë derës...atë,
që dikush e pret me trembje.
Ai është misterioz!
Rri diku thellë në mendjen tënde...
* * *
Përkrah mendjes misterioze
mjegulla e qullur nga dhimbjet e gjymtyrëve
vajton mendjen e milingonave
të tmerrshme.
* * *
Milingonat...!
Nuk i keni parë rrugëve pafund?
Se si tremben nga jeta në globalizëm
dhe pse nuk fluturojnë, ato zhyten thellë
në metrotë e tokës.
* * *
Dhe vjen shiu litar i dhunon,
i mjeron, i sakaton milingonat “zuzare”
Trembeni...?
Të gjithë trembemi,
dhe toka rreth bishtit të saja,
dhe yjet tej lartë,
rrëzohen në vrimën e zezë nga bukuria e hënës.
* * *
Tremben vargjet nga duart e ndrydhura,
trembet shiu nga barku shtatzan i lumit,
trembet syri nga rrezja e diellit ngjyrëari.
* * *
Nga heshtja e bukurisë
po tremben vjershëtorët
me sy të mbetur te fjala.
* * *
Në qiell po dëgjohet muzikë.
Retë e bardha po luajnë balet në ajër,
nga majëmalet fluturojnë hije njerëzish të trembur,
si shpend të flamura.
* * *
Të gjithë,
në mënyrën e vetë sodisin heshtjen e bukurisë,
dridhur nga frika si lypsarë.
* * *
Aty, nën lëkurën tonë të trembjes,
me përbuzje
shkulim bimët e bukurisë së shkuar.
* * *
Dhe përsëri çapitemi të trembur
drejt heshtjes së bukurisë
për të shkruar poezi të palumtura.
* * *
Heshtja e bukurisë veshur me rrobat e pikturës
qesh e qan nën frikën e vetmisë
nga tallëzitjet e çmendurisë së kohës
për jetën dhe vdekjen e së ardhmes.
Dhjetor 2009 Athinë