HABITEM ME TY DASHURIA IME
Habitem me ty dashuria ime,
lozonjarja në labirinth kundërshtish.
Thelbi yt
si një zemër qepe,
djegëse dhe e ëmbël, ashtu të vuan
dhe të frynëzon, fati që ti dëshirove
është tani kjo vetmi e populluar
me pasqyra zjaresh të ngrirë...
Visari im i mjerë, më ngjan
e natyrshme por nuk të shkon
ky mbiemër algash nën ujë.
Dënuar je që të shpresosh
tek fara jote dhe lulja jote e shkelur.
Krenare që plagën tënde lëpin
kur falesh e ndalesh,
shpërthyese e zbutur,
e kërcënuar nga liria e botës
si një specie e rrallë ,
sepse e rrallë je dhe romantike je.
Entuziaste e uritur , mos vallë
përtërihesh kësisoj, çon iluzione
tek kjo poezi apo çfarë?
Druaj nga ti dashuria ime.
Ti më çliron që të më torturosh
dhe duke më torturuar
kthjellohesh. Tani që më mungon
hov në dallgë, pothuaj e pafajshme, çmenduri pothuaj.
Si i verbri kënaqesh
me dritën e shpirtit, regëtin
si migrena pas ballit, ngulm
i mbledhur mall e mllef bashkë, musht
që e piva njëherë dhe të pranova
Fe të zemrës.
SHPIRTI QE E HUMBA RRUGËS
Shpirtin që e humba rrugës,
errozionit të dehjeve aksidentale,
e qaj tani i thyer kthimesh
në rënien e lirë të zhgënjimit.
Shpirt i fëmijërisë dhe trishtimeve
ndanë rrënjëve të natës bëhet jasemin,
digjet në flakë të kaltër si vaj portokalli.
Një yll i zbutur që
hingëllin lëngatën e krenarinë e vet
shpirti që e humba rrugës.
Tani jam
kufomë kryengritëse,
drama tani luhet
me një hero të zbërdhylët.
E SHIKOVA NDARJEN
E shikova ndarjen, në heshtjen e natës
e ndjeva si dhimbjen e plagës para shiut,
dhe rrugën time të rënkonte e dëgjova.
Si ditën që ndërohet ora , në mëngjes
koha më dukej e tepërt, caste të dëborta
shqyen edhe një degë të dobësisë sime.
Të ronte dehja e djeshme ende
sa do të desha! Me zemrën kokëposhtë ndihem
i rëzuar prej dritës...
Mungesa e saj më le në bregun e ankthjetës.
Pasqyrës i është ritur mjekra. Ç'tallje o Zot
të jesh i lir dhe më shumë nga vetvetja i gjykuar!
VETMIA, KJO BESNIKE
Vetmia është murgeshë
kur unë jam Zot
në manastirin e natës,
është vetë nata
që turet mbi pasqyra
si demi në cohën e kuqe,
nganjëherë drita e ndezur në korridor
e kruspullosur
si një qen kur pret të zotin.
MENDOJ ATE QË DUA
Mendoj atë që dua edhe
zemra sikur më lëshohet në shpirt,
si të ishte një kovë me çikrik
që krijon pusit përfund
një trëndafil uji, të errët.
E mendoj atë, më kot
shtirja apo ngushëllimi
sikur asgjë nuk paska ngjarë,
sikur mijra vjet përpara Krishtit
rastësisht jemi kryqëzuar e ndarë
Kujtimi i asaj që dua
varet në qafën e rrugës sime
si dikur në fëmijëri celsi i shtëpisë,
mëngjeseve, mbrëmjeve sidomos,
kujtimi i saj hap e mbyll dyert e vetmisë
E mendoj atë, doktorit
unë s'mundem ti spjegoj
se jam një DonZhuanKishot
apo një DonKishotZhuan
se vuaj afrimin dhe largimin e dashurisë
(Korce. 2007)