Mërgimtarët e parë…
----------------------------------------
Sërish bie një këmbanë,
po shkojnë drejt përjetësisë
mërgimtarët e parë…
Me torba supesh ngarkuar
pak misërnike e një fletorkë
me mall e lotë ndër sy
shtegtimin morën dallëndyshet
Mbi direkë vaporësh varën shpresën
rendën ujrave plot dallgë
dhimbjen, eh, s’ua pa kush
Njëqind vjet të shkuar…
Nga udhë e gjatë buzëtharë
një botë ndryshe i priti
e u hapi portën e madhe.
Ngritën foletë mes gjelbërimit
vunë dhe kollare e borsalinë,
por torbën e vjetër dhe fletorkën
nga shpirti kurrë s’i ndanë
bijve ua bënë dhuratë të parë…
Torbë e vjetër punuar me lotë
me lotë shpresëmire natës
nga duar gruaje e nëne.
Përkundet e përgjumet nëpër botë
me aromë vendlindjeje
mbushur gjer në fyt prushe zemre.
Të tillë ishin e do të mbeten
në kujtesë brezash
mërgimtarët e parë…
Janar, 2012
Tundim
-----------------
Mëngjesi qiellin zbulon
Me gjumin kam ëndje të luaj
Nguroj të ngrihem,
Të ndahem nga ëndra
Dhe kur zilja nis muzikën
Mallkoj një çast shpiksin e saj
Hap sytë ta përshëndes
Bluja e kthjellët më tundon.
Janar, 2012
Liqeni i Miçiganit në dimër.
----------------------------------------------------
I braktisur duket këtë mëngjes
Një shkretëtirë ujore
vetveten trazon në breg
me dallgë që e shuplakin.
Të mjerat pulëbardha heshtin
Mallkojnë stinën, dëborën, erën
me “Navy Pier” të përgjumshëm,
pa reflekse dritash të qytetit,
Një shkretëtirë lëvizëse
ku edhe ëndrën e mplakin.
I braktisur duket këtë mëngjes
liqeni gri në breg
një shkretëtirë ujore, ajsberg.
Janar, 2012