
Fundvjeshta...
23 Shtatori…
(10 vjet në Amerikë )
Në kufijtë e kësaj dite
u shuan qindra ëndra
Në vend të tyre
zjarrmi brenda shpirtit
dhe dy pika lotë në ikje,
pengje për largimin.
Në kufijtë e kësaj dite
të reja ëndra lindën
Atdheu andej, unë këtej
dy maja të zbardhura kthyer
nga dimrat e ndarjes
mallisht presim verimin…
Në Las Vegas Boulevard…
Sonte gjithshka është harruar
Qiell e tokë bërë një
Zare, ruleta e tinguj të marrë
kazinotë lumenj të fryrë
Me jetën luhet në “Stratosphere”
para Cezarit gjunjëzohem.
Dehjet shuhen tej në “Bellage”
Venecie e Ej’fel dy gjysma hëne
me dorë në zemër s’e di ku shkel
Sonte zoti im pranomë ndryshimin,
kjo rrugë mbretëri e mbretërive
s’ka kufij ditësh, s’ka as derë…
Gruas
(22 vjetori i martesës)
Tash që numuroj vitet bashkë
Tokë e shkrifët sytë tanë
Herë njomen nga malli
Here plugu dhimbje i përthan.
Ndoshta diku kam harruar
Ngjyrën e syve të tu
Ndoshta një mbrëmje erë jam kthyer
Dritaret e shpirtit të kam shkundur
Ndoshta dhe me pak xhelozi
Princesha ime je gdhirë
Nga tradhëtitë e mia mbi letra
E përsëri në buzëqeshjen tënde
Shoh vehten një kalorës të lumtur.
Tash që numuroj vitet bashkë
Bukë e pjekur fjala jote
Herë ngrohur nga malli
Here nga puthja pa ndrojtje.
Ëndrat
U përkulën ëndrat nga pritja
si gjethet vjeshtore në perëndim
puthën ato shpirtin e pagjumë
Mbretëri mposhtën gjer në agim...
Mos e gdhi natën jashtë.
Mos e gdhi natën jashtë
s’jam Kroni i lashtësisë
Shtrati im ka vend dhe për ty.
Nata sonte është e mbrapshtë
simfoni Bet’hoviane vetmia
det pa brigje për të dy.
Mbrëmë
Mbrëmë harrove të më flisje
t’më ngrohje me të zakonëshmen puthje
Ëndrat natën marrosën.
Në boshtësi ndjenjie lodroje
S’e di ç’botë përtej meje të priste
Që magjisë sonë i mbylle portën!
Fundvjeshta…
Pemëve,
gjethet ua shkul pa mëshirë
Përrenjve,
u firmos autorësinë
Zogjve,
shtegtimin u kujton
Poetëve,
U zgjon muzën e dlirë.
Për mua e për Ty…
Dy kahje magnetike zemrat
dy qytete…dy engjëj
dy gjysma shpirti mbrëmjeve
dy yje shqetësuar gjer në agim
dy, dy, dy…
Vite me hallka ende të pazgjidhura
me damarë që diç’ kujtojnë,
mbetur në dritare të shpirtit
sonte le të jetojmë ëndrën
për mua e për ty…
Nentor, 2011