Prolog
Perdja hapet e mbyllet,
Sa herë fillon dhe mbaron shfaqja,
Por, jeta ime
A duhet të ripërtërihet,
Pas çdo goditjeje…?
Kujt t’i besoj
Kujt t’i besoj
Diellit apo Hënës,
Dritës apo errësirës,
Kujt?!
Ma thuaj ti të paktën!
Kujt t’i besoj
Reve apo qiellit,
Borës apo avujve
Kujt?!
Ma thuaj ti të paktën,
Kujt t’i besoj
Ty apo ylberit…?!
Kalendari
Hesht
Memec i kohës
Mbi mur.
Shtyn agoninë.
Pluhuri,
Rrathë koncentrikë,
Vetmi e pandarë,
Por nuk e kuptoj
Përse
Kohën s’ka matur,
Kohën,
Ditët paparë?!