Luan Xhuli
Hapa me rritëm
Me orët që mas sot
nuk mund ta ble dot të nesërmen.
Askund s’mund të shkoj
që ngopja të ketë dhe urinë e skamjes...
Një biletë e djegur moshe
dhe një orar i pa gjurmë rinie,
janë thërmuar në hapa karakteri
ku dëshirat e djeshme i kanë veshur me ëndërr.
Kjo rrugë e pa shtruar mbi ballë
dhe kjo hije sysh nën mollëzat e mprehta,
më bëjnë të nxitoj ritmet e ecjes
pa pakësuar centimetrat klasikë të vetes.
Me kaq sa di
jam analfabet i vecantë ,
qe s’ia fal të djeshmes
kohët e pa mbushura të shpirtit
të dijes...
E kërkova veten tek vetja
pa shikuar orën
dhe orbitën e akrepave...
Ndihem arkeolog i pa mbrojtur
sa herë ndëshkoj veten,
dhe shpirtin zbuloj nën rrahjet e zemrës,
që asnjëherë s’ja shava
për nxitimin e përditshëm...!
Mirësinë...
e kam shënjë pikësimi,
shesh besnikërie për veten dhe miqtë,
kolonë çlodhje
për energjinë e humbur...
E kam fëmijë te pa ligjshëm,
shok të vetmisë së zbrazët,
armik të çastit më dembel,
binjak te lotit të pendesës...
E kam gur ku provoj fortësinë,
ëndrrat që shoh kur jam zgjuar,
papirus trashëgimin nga nëna
merak të heshtur në mbajtjen e fjalës...
Mirësinë,
asnjëhere s’e çmova
me emrin tim !
Njerëzore
U ktheva...,
si shtegëtar
gjymtyrë thyer fluturimit,
çadër harruar mbas portes ,
ndryshkur nga shiu i lotit...
Si gurr rrokullisur ikjes
pa shoqërus frikën e qëndrimit,
udhtar i ndjeshëm në varreza,
që s’rri pa puthur dhe foton e thyer...
U ktheva,
si postë e vjetëruar stinës
pa mëri nga zarfi i hapur,
pa moljen e drunjtë të dëbimit,
pa vulën e lotit të nënës...
U ktheva,
këmbët të shplodh
tek ky çelës fryme...!
Plasaritje
U ça moti
si frut tejpjekur nga ngricat,
dhe cipa e globit ,
u mblodh si ullinjtë e një buti të vjetër
nga kripësia...
Parcela
me kufij plasaritjesh,
si fytyra shtetesh
deformuar nga lëkundjet sizmike të stabilitetit,
fshijnë lotët ujësuar nga qarja...
U zbulua qielli për një çast
si bluzë dalëboje
e grisur nga larja,
dhe dritare sysh
lodhur nga shtembërimi,
u trembën nga jehona...
Vite
si gurrore të mplakura,
kërusur
si çati trarë kalbur,
s’kanë më fuqi ankese...
Me asgjë si mbush dot...
as vetja,
as ti ,
as tjetri me pozen e kritikut,
se fashon dot plagën.
Kërkoj ajër, kërkoj...
se e qeshura tallëse
më shtrëngon fytin
dhe tëmthat...!
Korrik 011
(Cikel poetik nga libri i ri "Mbas te 50-tave" )
Harresë
Shumë gjëra rreth vetes
i lemë pa mbiemra,
duke i gënjyer me shpresën…
Zgjedhojmë veprimin në vetën e «unit»
dhe frymë nxjerrim atë ajër,
që nuk e thithëm më parë…
Shumë gjëra i lamë pa mbiemër
duke i thërritur me iniciale mosbesimi…
Djersën e urrejmë kur mban erën e vërtetë
dhe fjalës ,
i veshim gravatë kllounësh…
…Shumë gjëra i lamë pa mbiemër,
me dashjen dhe pa dashjen tone…
Veten vendosim në rrethin e frikës
dhe zë ulët themi
ato çka besojmë…
Për shumë gjëra
se mbajtëm betimin…
Zërat
Nëna, më kërkon ujë nga pusi i fshatit
dhe babai,
ankohet nga reumatizma që s’ju nda viteve...
Nisem,
si somnambul që s’duhet t’i flasësh,
duke matur
kohën e nisjes së autobuzit të parë...
Mesdita më gjeti tek banesa e zërave
ku paguri i zbrazur digjej nga etja.
Babai s’më foli...
I kishte ngelur qefi,
që s’i dhashë të pinte i pari
me akuzën se gjithmonë e kisha dashur më pak...
Pastaj,
kokën mbështea mbi fotografinë e mermertë
me amortizator lotët e tharë ...
Zërat më buzëqeshnin me fytyrën e prindit
duke më perkundur në ninullën e gjumit...!
Një qen në trenin e mëngjezit
....Më tregoi,
se ai tren shkonte ne Pire.
Sytë e lyrtë,
orar nisje ,
shikimi,
akrepë nxitimi...
U përshëndetëm,
u ndjemë...
pastaj,
folëm mos na dëgjonin të tjerët...
I tregova shqetësimin..,
më tregoi dhimbjen...
Ndamë përgjysëm bukën e mëngjesit
dhe cigaren e fundit,
doja të ishte e tija...
Emigrant unë
dhe ai i pa strehë,
Pa atdhe unë
dhe ai qen rrugësh...
Ah, ky tren i parë
që s’ka zgjuar akoma si duhet
dritën...!
Epilog për një të ikur...
Eci,
me këpucët e në njeriu që ka ikur...
Hijen dhe hapat e tij,
i kaloj në ritmin
dhe zërin e ecjes sime .
Në kilometrat e bëra,
një jetë fotokopjuar
si tatuazh dalë boje nga vitet,
dhe vitet e mia,
hartë e re me kufij të rifreskuar,
të pa njohur më parë ...
Kam veshur,
këpucët e një njeriu
që s’është më,
pa ju trëmbur fjalës vdekje
dhe ikjes infinitive të kohës.
E shoh,
si dritën e një mëngjezi të djeshëm ,
që duke u larguar
stafetën ja fali ditës në vazhdim...,
energji për kilometrat e fundit !
Ato këpucë,
heshtin si rrugë që ënderojnë njerëz,
si hapat e mia,
që distancën kanë filluar ta zvogëlojnë
duke rikujtuar të zotin,
që për mua,
jeton në këpucët që vesh,
paçka se një numur
më të vogla se këmba e ime...!
Sinqerisht !
...Akuzoj veten
dhe ju,
që s’ja dini vlerën zgjimit...!
Në çaste të pa prekshme
luhatet fryma,
dhe çasti
masαt pasigurie..., për rindezje ...
Gruaja,
hap sytë mbi fletën pa ngjyrë të fytyrës
mbas një fjetje me orar të harruar
(bukuria e zgjimit s’ka ngjyrë...)
dhe buzët e purpurta,
parashikuan motin e mirë të ditës që pasoi...
Dua të ndëshkoj veten
dhe ju,
indiferentë me vlerën e zgjimit :
Tani ,
nata dremit mbi ikje
dhe mjergulla rrëshqet mbi moshën,
mbi shina dhimbjesh…
Sinqerisht u a them...!