Vjeshtë 2010
(poezi)
1.Vjeshta s`më le të t`harroj
Gjethja e thërrmuar në mijra yj`
Shkoi me erën
Mjegullës, shiut, dheut
Diç i tregoi për ne të dy
Përthellë trupit të pemëve
Një pyll të tërë gjethëroi
Në mendimet e mija për ty
Vjen e më ulet një gjethe
Frushullima më ndjekin pas
Vjeshta s`më le të t`harroj
2.Përtej galaktikave
Asgjë e re në qiell
po ai spektakël yjesh
po ajo hënë amazonë kalëron mbi re
mjegullnajave kaltrine, planetët rrotullohen në orbitën e vet
Asgjë e re, që prej epokës së akullnajave
që prej kohës kur Perënditë ecnin në tokë
Po ata shira të ëmbël, stuhi dëborërash
njësoj bien gjethe, digjen shpirtëra
Në të njëjtat rrugë me pluhur
palosim çastet si faqe të lexuara
me të njëjtin përkushtim nderojmë
secili të vetin kopësht, lulëzuar prej djersës së kripur
Prej të vetmit rast që u pamë
asgjë s`ndryshoi në NE
s`na dolën pupla nën sqetulla
Unë në kët` anë të rruzullit
Ti në tjetrën anë
ndjejnë trishtimin e njeri-tjetrit, si pylli ndjell shiun
(sa ujë,sa shumë ujë paska shpirti njeriut)
Kur t` mendoj
mes imazhesh pa fund,
siluetë kalamendet mbi varr i zverdhur Bodleri
gonxhe të reja mbi lulet e së keqes, gdhendur mermeri
Prej atij çasti
rrezet e Diellit janë duar të zgjatura përqafimesh
muzgu pikturon me purpur trajtën e zemrave
zemra sa deti
det, ku mbyten pikëllimet
3.Na ishte njëherë
Zambak i brishtë hibrid, nis buzkat burburon
qumësht soje, lëng sintetik thith me biberon
syçkat e ujshme pulit, njeh botën
Rreth djepit, objekte katrorë,trekëndorë, kubikë
të zes, të bardhë, gri,të mrehtë, cinikë
Pastaj vështrimin miop, krisur linjave të thikta të arredimit minimalist
ja ngjit një pasqyre,që ndërron çast pas çasti pamje e ngjyrë
Xixëllonja elektrike formulojnë mbi qiellin e qelqtë
CV e tij (ai ende se kupton) dhe një ofertë:
''Nëse të duhet një çilimi
kliko në intrenet ëëë. bebe_epruvet"
Dhe pret t`i ofrojë dashuri prindërore,
mbase një çift ufosh nga tjetër planet
duke ëndëruar ledhat e babit hipi e puthjet e mamit silikon
rritet i programuar, obez.
Ndërkohë nga brënda kutisë
gjyshja marionetë zemërkarton
e nanuris me ninulla akustike
e i tregon përrallën: '' Na ishte njëherë njeriu"