Miresevini ne ALBPOEM.COM

Home
About Us
Contact Us
Eva Saliu
Arjan Larashi
Arqile Gjata
Agim Bacelli
Agron Elezi
Albana Lifschin
Aleko Ballauri
Ali Bregu
Alma Papamihali
Antela Vouli (Spaho)
Arjan Kallco
Bardhyl Mezini
Bedri Hoxha
Bledi LLangozi
Bujar Muçaj
Bujar Plloshtani
Daena Alanaj
Diana Seitaj
Dhimiter Pojanaku
Dhimitraq Papando
Dorian Duka
Dorjana Bezat
Elda Kokoneshi
Elion Hyseni
Enkelejda Kondi Masseboeu
Edmond Shallvari
Eduart Sulollari
Fahredin Shehu
Fation Pajo
Fatmir Ceci
Fatmir Terziu
Faton Ratkoceri‏
Fejzulla Duraku
Filip Emanuel
Genc Kastrati
Genti Furxhiu
Gerti Pashaj
Gezim Ashimi
Gjergji Mihallari
Gjeto Turmulaj
Gjikë Kurtiqi
Gjon Neçaj
Grigor Jovani
Hysen Cifligu
Hysen Kobellari
Ilir Borova
Iliriana Sulkuqi
Iljaz Arif Bobaj
Irena Vreto
Ivana Dervishi
Janaq Pani
Jeton Kelmendi
Jonida Neli
Jori Kosti
Julia Gjika
Keze (Kozeta) Zylo
Klarita Selmani
Klito Fundo
Kostaq Duka
Kostika Zdruli
Kozeta Zavalani
Kristaq Turtulli
Kujtim Mateli
Leke Gjoka
Leon.Z.Lekaj
Lida Lazaj
Ligor Shyti
Luan Xhuli
Lulzim Logu
Mariklena Nico
Marjeta Çulla
Marjeta Ismailati
Merita Bajraktari Mccormack
Minella Borova
Ndue Hila
Ndue Ukaj
Pellumb Cuni
Perparim Hysi
Petraq Kote
Petraq Pali
Pilo Zyba
Qazim Muska
Raimonda Moisiu
Rakela Yzeiri (Zoga)
Rexhep Polisi
Roland Beqiraj
Rozi Theohari
Skender Rusi
Thani Naqo
Theodhoraq Ciko
Vaid Hyzoti
Vangjush Thoma Ziko
Vladimir Toroveci
Vullnet Mato
Ylber Merdani
Ylli Hoxhaj
Ziko Kapurani
Perkthime
Ligor Shyti
 

O ZOT!          

 

M’i pate shuar, Zot, gjithë dashuritë,

Po ndjemë,

zemrën s’ma zë gjumi,

dashuritë vdesin, por dhe lindin,

Tani, qan e qesh, o zot, dhe lumi.

 

  

NËNË

(nënës sime)

 

O dritë dielli që lind çdo mëngjes

Shën Mari e një planeti të vjetër

E dua shumë nënën e Jezusit

Por ty nuk të ndërroj me asnjë tjetër

 

Për mua je një dashuri pa krye

Dhe xixëllonjat natën ti m’i kthen në yje,

Nuk je gjë tjetër, veç një diell në Perëndim

Që hedh një dritë dhe shkëlqen në shpirtin tim

Një hënë, meteor apo planet

Që lindi e hodhi rrënjë në Përmet

O dashuri që nuk njeh zhgënjim!

O fushë e gjerë, e gjatë pambarim

Një zë që çirret brenda shpirtit tim

O mall i djegur, i tretur, përvëluar,

Çoban i tufës që një sy mban zgjuar

Nuk ke as ngjyrë, je si pika e vesës

Lëshon një dritë që quhet drita e shpresës

Je valë lumi që kurrë s’u qetësua

Një zë bilbili që s’pushon në krua

O nënë e shtrenjtë, e mirë, s’ka si ti

O pemë e lartë, e bukur si Selvi!

 

 

DUA

 

Në pranverë

Kur lulet të çelin,

Të qesh me ty dua.

 

Në verë,

kur Dielli të djegë

Të los me ty dua.

 

Në Vjeshtë,

Kur shi të mos bjerë,

Lotët e tua dua.

  

 

PA TY            

 

E dashur,

Në verandën e dashurisë sonë,

pa ty,

fryn vetëm murrlan.

Në verandën e dashurisë sonë,

Pa ty…

Zemra vetëm qan.

Në verandën e dashurisë sonë,

ku dikur pinim verë,

sot,

pa ty,

fryn vetëm erë.  

 

SHI I BUKUR

 

 

Sot, në perëndim të diellit,

Ra shi i bukur.

Shi pranveror që vinte valë-valë.

Shi i lehtë,

që binte mbi pemë, mbi gjethe, mbi fletë,  

dalngadalë.

 

Qeshi mali.

Qeshën pemët, bari, lulet...

qeshte dhe vasha që ecte nëpër shi si flutur.

Po.

Në pragmbrëmje,

kur Dielli po puthej me malet,

mbi qytetin tim,

                         binte shi i bukur.

  

TY

 

Një laps,

Një gotë verë

dhe pak letër,

Që unë të të bëj ty

Të ndihesh një tjetër!

 

  

PËR TY

 

Për ty,

Me ngjyrat e ylberit pikturova një flutur

Që nesër në mëngjes të fluturojë

të të sjellë një të puthur.

Për ty,

Mund të bëj çdo sakrificë,

apo... çmenduri.

Për ty mund të kaloj male, fusha,

Ndoshta…

më këmbë mund të futem në det,

nëse ti, në anën tjetër më pret.

 

  

SOT

 

Sot qyteti më duket bosh.

Është zhytur krejt në zbrazëti.

Sot,

mungojnë puthjet,

qafimet, përkëdheljet, nazet,

Sot,

qytetit, i mungoje ti.

Sot,

nuk ndihen takat e tua të larta,

Edhe ajri rrotull teje s’fërfërin,

Trendafilat në lulishte janë vyshkur,

Sot,

mungojnë ato buzë gjithë blerim.

 

JETA

 

 

Nuk është vetëm pasuri,

mirëqënie,

seks.

apo radio, makinë, biçikletë,

që po u prish, prapë e ndreq

Ajo është ëmbëlsi,

buzëqeshje,

      fjalë,

                                                thënë pa të keq.

Jeta është varkë e bukur

Që lëkundet nga valët e detit,

është themel kështjelle që tronditet

nga lëkundjet e tërmetit,

një klithmë luani,

që në pyll vetëm ka mbetur,

një ëndërr e gjatë

që bashkë me njeriun

është lindur dhe tretur.

Një kazan me vuajtje

Që zjen gjer sa vdes

Një çast i lumtur që ëndërroj dhe pres

Një shtëllungë leshi që me gas e tjerr

Një fund i hidhur që e pret me tmerr…

  

 

VËSHTRIMI I SAJ...

  

 

Veshtrimi i saj më fut në mendime.

Apologji e Sokratit bërë jetës sime.

Vështrim, që nganjëhere me tremb,

më lodh,

me mundon...

Album fotografish që kujtimet më zgjon.

 

Vështrimi i saj,

më ngjan me një ëndërr

përpara të tjerëve më vë mua në qendër.

 

Vështrimi i saj…  nuk është gjë tjetër

Kujtim i rinuar i dashurisë së vjetër

Qortim, mallëngjim... a pendim, kush e di?!

Një plagë e rinisë që rishfaqet tani

Dashuri e munguar e fshehur në gji,

Trendafil i vonuar që fuqishëm shpërthen

Një dallgë e trazuar që zemrat rrëmben

 

Vështrim i një femre që dot nuk urren!

 

Vështrim i saj… më bën të vuaj

Mëkatet e rinisë tani t’i paguaj,

Vështrim i një jete që s’kthehet më pas

Shpërthim i një shpirti që ka një maras

Kujtim apo ëndërr, o Zot, kush e di?!

Një puthje e rrëmbyer, dikur në rini.

 

Vështrim i saj… sa gjëra më thotë

O Zot i madh, si qënka kjo botë!

Një jetë të tërë nga femrat vështrojmë

E lodhëm qafën… dhe askush s’na beson

Vështrimi i saj…

sa shumë më mundon!

           

JASHTË BIE SHI

 

Jashtë bie shi.

...mbi taracë,

...mbi pemë,

...mbi asfaltin e mbetur jetim.

Një mesazh

vjen në celularin tim “Vodafon”.

Jashtë,

mbi llamarinën e një kjoske,

shiu pikon…

                        ...pikon.

   

 

NUK E MBAJ MEND

 

 

Nuk e mbaj mend se ç’ishte prill a maj

Kur pranë meje erdhe dhe u ule

Buzëmbrëmje ish’ kur ti më the:

-Sot s’dua verë, por dua lule!

Të shpura në një kopësht si Eden

Buzëlumit pemët kishin çelur

I roitur porsi bletët qeshje

Dhe degës lulevishnjë se ç’ju sule.

Ajo ditë e bukur ish’ pranverë

Kur ti ngadalë degën ule

Nuk kishe pirë as rraki, as verë,

Por… ishe dehur me aromë lule!

 

 

ECI KOT...    

 

Eci… nëpër rrugë,

… kot.

Çudi!

Nëpër faqe e sy, nuk ka lot.

Pse, o Zot?

Ca, kanë sy, dhe s’derdhin lot.

Ca, sy nuk kanë,

Zotin nuk e vënë re,

dhe lotët u shkojnë nëpër faqe rrëke.

Të lutem, zot!

Ditën e gjykimit...

                        ... sillma sot!

 

 

LIGOR SHYTI Lindi në Kosinë të Përmetit më 29/12/1957. Pas përfundimit të shkollës së mesme dhe shërbimit ushtarak, iu përkushtua karierës ushtarake, prej së cilës u shkëput nga një aksident i rëndë automobilistik, që e bëri të jetojë mbi karrige me rrota. Pas korrikut të vitit 1991 i është kushtuar artit dhe letërsisë. Në pranverën e vitit 2000 doli në qarkullim libri i tij i parë i titulluar “Çmimi i Faljes” dhe më pas vazhdoi krijimtarinë e tij.

Ka marrë pjesë në konkurse të ndryshme lokale, kombëtare të poezisë dhe fabulës dhe është vlerësuar me çmime të ndryshme si brenda vendit, në Itali e Greqi. Romani “Letër nga Ferri” është shpallur nga Lidhja e krijuesve “Pegasi” me qendër në Gjirokastër, si vepra më e arirë e vitit 2005. Pjesë nga krijimtaria e tij janë botuar në shtypin e përditshëm lokal dhe atë kombëtar, si dhe në Kosovë, Sh.B.A. dhe Italinë e jugut. Romani “Ishte Eliana”  është botimi i tij më i fundit.

 

Botime në prozë:

“Çmimi i faljes” , shkurt 2000 (roman)

“Letër nga Ferri” korrik 2003 (roman)

“Françi, mbesa e kapitenit” 2007 (roman)

“Në aerodromin e ëndrrave të mia”2010 (poezi-lirika)

“Detektivi” 2006 (tregim)

“Kuqoja” qershor 2008 (tregim)

Në qendër të të gjitha gjërave qëndron Mirësia tregim,

Publicistikë:

“Kosina dhe kosinaret ne vite”, shkurt 2007

“Bastioni” i socialistëve në Përmet, u shkërmoq” Janar 2007.

 


 

ME TY

 

I vetëm ndihem larg teje,

dhe veset fillojnë të ngrejnë krye.

Me ty, bëhem me krahë,

kapërcej male, kodra…

Me ty, mund të kapërcej edhe yje.

 

  

Në natën e ndërrimit të viteve

 

 

Në natën e ndërrimit të viteve,

dua të kem zhurmë,

pije pafund.

 

Në natën e ndërrimit të viteve,

dua të kem edhe borë,

mundësisht dhe pak hënë.

 

Në natën e ndërrimit të viteve,

dua që…

gjithçka të shkëlqejë si vesë.

 

Ju lutem:

Në natën e ndërrimit të viteve,

mos më shkruani pa adresë!

 

 

 KUR TË IKËSH

 

Kur të ikësh,

Portën lëre hapur

Të shpresoj se do trokasësh përsëri

Edhe pse e di që kurrë më,

kurrë s’do të kthehesh ti.

Kur të ikësh,

Gjumin mos ma prish

Të të shoh në ëndërr si një zanë

Edhe pse e di që ne të dy

Kurrë s’do të jemi pranë e pranë.

Kur të ikësh,

Hape një dritare

Të t’i shoh në qiell ata sy

Edhe pse e di që kurrë më

Kurrë s’do të shihemi të dy.

Kur të ikësh,

Ec ngadalë

 

 

VETMIA

 

Pak orë na ndajnë nga ndarja e viteve

Një Vit i Ri troket në prag

Në një qytet të dashuruar

Sa afër jemi dhe…

                                    sa larg!

 

Vetminë tonë mes njerzve ndajmë,

Mes njerëzve heshtim, mes njerëzve qajmë

Marazin tonë as shiu s’e ndreq

Sa keq më vjen,

                        vërtet,

                                    sa keq.

 

Vera e kuqe dhe rakia,

Na shpie në një botë tjetër

Po s’vemë dot atje ku duam

Tek dashuria jonë e vjetër.

 

 

MJER!

 

Mjer…

Kush më parë një tjetër nuk deshi

Nuk qau me lotë e pastaj nuk qeshi

Mjer…

të papjekur qershinë kush s’e provoi

E ëmbëla, e bukura, më pas e hidhëroi

Mjer…

kush do fronin pa u rrëzuar prej kalit

Mjer ajo çupë që s’u puth prej djalit.

 

 

LUM! 

 

Lum ai,

që pret Diellin pas territ të natës

që mishin e ha pas supës, sallatës

I lumtur ai,

që dhimbjen e ndarjes e kaloi një herë

Ai,

që pas dimrit kërkoi pranverë.

Lum ai,

që prej dallgës pak ujë kapërdiu

Ai që të djeshmen nga memoria s’e fshiu

I lumtur ai,

që gaboi dhe nxori mësim

Ai që humbi betejën dhe u kthye si trim.

 

 

NËN DUSH   

 

Kur të shihja nën dush,

nën dush, në vaskë banje,

parfumoje erë shampanje.

Bukuroshe faqe prush,

Nën dush!

 

Nën dush moj mëkatare

Se ç’m’i more mendtë fare

Kur të shoh i përvëluar

Hiret e tua zbuluar.

 

Nën dush, moj port’ e fatit

Se ç’më ftove drejt mëkatit

Nën dush moj shtojzavalle

Herë më vdiqe e herë më ngjalle.

 

Nën dush!

Në atë të shkretë vaskë,

Kokë e këmbë në shampanjë

Ah, të vij të bëj një banjë!

 

Bashkë me ty të jem i dehur

Her’ i gjallë, e her’ i vdekur

 

Në u ngjallsha ndonjëherë

Me shampanjë a me verë

Do të vij moj faqeprush

Të të shoh, a je nën dush!

 

 

MOJ MIKE

 

Rrije ulur,

në karrige,

moj mike.

Këmbë mbi këmbë.

Më pije duhan përballë meje.

Unë,

Rrija në divan dhe të vështroja.

Të vështroja, të vështroja, të vështroja…

Ah, sa shumë do të doja…

Jo të rrija dhe unë në atë karrige,

Po ti të vije moj mike.

Ta lije atë karrige

Atë karrike dhe atë farmak duhan,

E këtu, me mua të vije

Tek ky i butë divan.

E të më shtrije…

Gjerë e gjatë të më shtrije

Me atë afsh dashurie,

Me atë frymë perëndie,

Me një vrull prej çmendurie…

 

E në u zalisça, moj mike,

Të jem bërë i verdhë ftua,

Mos nguro e mos prit shumë

Po të hidhesh përmbi mua

Të shtrëngosh buzët e tua

Përmbi buzët që po presin

Paskëtaj lumtur të vdesin.

 

Vetëm pak më rri dhe ikë

Ikë, mos u kthefsh më kurrë!

 

Nuk të shoh dot më, moj mike,

Këmb’ mbi këmbë në karrige!

   

  

O MOJ DEGA E BORZILOKUT!

 

 

Mund të shkojmë ku të duam, mund të vemë dhe në hënë

Po sado larg që të jemi, s’e harrojmë dot fshatin tënë.

Mund të vemë nëpër shkolla dhe të dalim të shkolluar

Po në fshat do vijmë prapë me një shpirt të përvëluar.

Se është malli i vegjëlisë që na mban me gas e shpresë

Që e mban njeriun gjallë, që sa lind, gjersa të vdesë.

Janë gurët e sokakut dhe pemët që kemi hipur,

Janë brigjet dhe përrenjtë ku ndër ferra jemi grisur.

 

Ka qytete shumë të bukur, plot me vila e makina,

Ka dhe fshatra të qëndisur, por asnjë s’ësht’ si Kosina!

 

Ndaj të jem edhe një herë atje poshtë, tek kaçk’ e kishës

Të ngre bedena me lënxhe  prej qiparizit dhe pishës.

E të kthehem i gëzuar te çesma e fshatit tënë,

Ku ndrin uji i kulluar, ku ndriçon e buk’ra hënë.

Të shoh kishën tonë të vjetër që është krenari e fshatit

Të ngjitem rrugës përpjetë për tek kodra e shën Thanasit.

Dhe të vete nëpër dasma, ku kërcejnë djemt’ e hazdisur

Të shoh çupat bukuroshe me fustanë të qendisur

Të ngre nusen në valle, duke i hedhur një pesqinçe

Të nxjerr këpucën prej këmbe dhe të pi rraki kosinçe.

Të gëzohem kur ta shoh, që tek porta pret të dalë

Të vrapoj si i marrosur, siç vrapon i buk’ri kalë.

 

O moj rrugë e fshatit tonë, që ndriçon në dritë të hënës

A s’më shpie dhe një herë të mbush ujë tek çesm’ e Dënës?!

 

E në qoftë mot i thatë, tek burimi s’pikon fare

Të marr kënaçen në krahë dhe të shkoj në Kavastare.

Të bëj kanalin me baltë, të nxjerr ujë tek Laseja

Siç e bënin gjyshërit tanë, siç e bënte Nafizeja!

 

Atje, ku hazdiset qengji, ku vërret i trembur keci

Ku bëhet paçe me uthull, ku përdridhet kukureci!

 

O moj dega e borzilokut që më fal të bukur erë,

Që lëshon farën në vjeshtë dhe ma çel prapë në pranverë!

Kthemë, kthemë dhe një herë!

Të provoj të ëmblat shegë edhe dardhët e goricës,

Të mbledh mare për rraki nëpër kodrat e Mokricës

Të vadis misrat e lartë, që janë mbjellë tërë fushës,

Të kullos unë bagëtinë lart nga kodrat e Zleushës.

Të ulem nëpër sofate, ku janë ulur pleqtë tanë

Me tespie nëpër duar, pijn’ kafe e grijnë duhanë

Në më zëntë gjumi i rëndë, gjumi i gjatë të më zërë,

Tek gorica, tek Vëlltori, ku po fle një fshat i tërë.