Flutura.
Prej teje
I doja shumë zogjtë
Pastaj më vonë fluturat.
Por kisha harruar
Më shpejt se çdo gjë tjetër
Fluturat të ikin prej dore?!...
Njeriu.
Njeriu qëkur ëndërron lumturinë e madhe
Njeriu sot vdes për një orë liri
Njeriu, të vetën pronë, mund ta bëjë hënën
Njeriu, zvarriset i mjerë , në uri.
Njeriu, vuan, për të bukurën dhe shpresën
Korret nga sida dhe vdes me drogë
Njeriu, për atdhe mund ta bëjë dhe marsin
Njeriu kryqëzohet si lypsar në botë.
Njeriu, sot matet me kohën, ta mundë atë
Njeriu, diku në glob, rrethohet me tel si kafshë
Beson pafund, shan pafund zotin
Dhe se ndan dot ferrin me parajsë.
Njeriu, qëkur, ëndërron lumturinë e madhe
Njeriu, sot vdes, për një orë liri
Njeriu, pareshtur thyen mite, piedestale
Dhe kurrë s’gjen qetësi.
Ah, njeri!
1991.
Kur të kthehesh.
Kur të kthehesh, do të jetë vonë
Zëri më është mekur
Dhëmbët më kanë rënë
Si ujk i vetmuar flë gurëve të bjeshkës
Dhe vdekja rri mbi mua si hënë…
1999.
Ajo.
Ajo shkoi, siç shkojnë gjërat që vijnë rrallë
Kur plaket njeriu, vdes dhe për një puthje
Kur plaket njeriu, e do dhe një përrallë
Ajo shkoi…
Ajo shkoi, ditët vazhdojnë komplekse
Pjesë e zotit të pakënaqur që përsos
Në marrinë që quhet lindjevdekje
Ajo shkoi…
Ajo shkoi, befas u bë e domosdoshme
Rri në mua, ekuilibër i shpirtit të vrarë
Dhe çuditërisht jeta s’ndihet boshe
Ajo shkoi…
Ajo shkoi dhe kujtohem se duhet vazhduar
Se duhet të ndihem prapë I gjallë
Por përbuz të qënit e harruar
Ajo shkoi…
1999.
Boronica.
Në mungesën tënde
Në mungesën tënde të gjatë
Në lokalin e vogël të Valbonës
Vazhdimisht pi lëng boronice
Lëng të ftohtë
Lëng të zi.
Më bie ndermënd për sytë
Për sytë e tu të shtrenjtë
S’gjeja kurrë krahasim më të mirë
Ishin dy boronica.
Në mungesën tënde
Në mungesën tënde të gjatë
Pi lëngun e ftohtë
Pi lëngun e zi.
Diku në gjoks kanë mbetur
Dy kokrra boronica
Dy sy.
Po vdes ngapak përditë…
2002.
64 orë.
Rastësisht, ishim bashkë
64 orë
64 rrugë
64 prekje
64puthje
64 shpresa
64 lutje
64 letra.
Rastësisht, ishim bashkë
64 orë me ty
Janë kujtim i rëndë
Në rafte zemre, tashmë të zënë…
Mëkat.
Tani s’ka më kohë për mëkat
Në u quajtë ky veprim, mëkat
Kur unë lidhem krejt pas teje
O zot, ato vijat paralele të buzëve tua
Hekurudha e vetme për në parajsë…
Tani s’ka më kohë për mëkat
Në u quajtë ky veprim, marri’
O zot, sytë e tu, shpella pafund
Hone ku rashë befas, një ditë
Por kurrë s’mund të dal përsëri…
Tani s’ka më kohë për mëkat
Në u quajt ky veprim, mëkat a diçka tjetër
O zot ti po ikën, vertet, po ikën
Po kush, pas teje, kush pas teje mbetet?!...
Fryma.
Çdo mëngjes, po eci më ngadalë
Çdo mesditë, po më merret ngapak fryma
Çdo mbrëmje, më herët i afrohem shtratit tim
Çdo mesnatë , po ndihem më i vetmuar…
Eshtë fundprill, është fillim maj
Por nuk qaj…