Mermeri dhe plastelina
Ndodhi si në përrallë,
Një ditë te noteri
U takuan ballë për ballë
Plastelina dhe mermeri.
- Kam vënë re, - tha plastelina,-
Verë qoftë apo dhjetor,
Nuk ndryshon siç e don klima,
Ke mbetur konservator.
- Ke të drejtë, -tha mermeri,-
Kam qëndrushmri të lartë,
Eshtë çështje karakteri,
Unë s’mund të bëhem baltë !
Bishti dhe sopata
Pylli shumë vite më parë
Mori kredi nga një druvar,
Druvari nuk pranoi kamatë
Por vetëm një dru dhuratë.
Dhe si e mori dhuratën
E bëri bisht për sopatën,
Pastaj sopatën mire e mprehu
Dhe me të gjithë pyllin preu !
Tha pylli dy fjalë të arta:
- Më preu bishti, jo sopata !
Bordi i privatizimit
Në bordin e privatizimit,
Me kritere për “së mbari”
U caktuan pas testimit
Ujku, dhelpra dhe gomari.
Tha ujku: - Nuk ka dyshim
Se ky bord fort i nderuar
Do më trajtojë mua në fillim
Si ish i persekutuar.
- Të takon të jesh i parë,-
Përkrahu ujkun veshgjati,-
Meriton të jesh pronar
I gjithë tufës që ka fshati.
- Tufën ti e ke meritë,-
Tha dhelpra gati për firmë,-
Por më parë ndajmë tapitë,
Të marr unë pularinë.
- Edhe unë një copë lëndinë.-
Goxoi kerkoi veshgjati i ngratë,-
- Ti boll, - i thanë,- e ke lirinë
Të pëllasish ditë e natë.
Derrat në kabinet
Tregojnë një herë,
Ka disa vjet,
Derrat formuan
Një kabinet.
Derrat si derrat
Kusur më s’lanë,
Ha, pi, shëtit
E vërë dhjamë.
Koritë më koritë
E pronë më pronë
Të gjithë u zhytën
Në korrupsion.
Bëri ç’nuk bëri
Ky farë kabineti
Dhe fermën e la
Ku thërret qameti !
- S’kanë faj derrat,-
Lopët thane,-
Derri është derr,
Nuk bëhet luan !
Ferra dhe vreshti
Tregojnë një here
Për një ferrë
Që vreshtit i tha:
- Të lutem vëlla,
Më lerë
Një cope vend
Në gjirin tend !.
Dëgjoi vreshti
Dhe heshti,
Por ferra s’iu nda
Ju bë ferrë:
- Më lerë,
Të lutem, më lerë,
Të hyj dhe unë.
Nuk të prish punë.
Do të qëndroj
Aty mënjanë
Dhe do të mbroj
Mos të të hanë !
Mendoi vreshti
Zemërgjerë :
“Le të hyjë
Fundja një ferrë”
Dhe e hapi derën
Për ferrën.
Ferra hyri
Si pa u ndjerë
Dhe dalëngadalë,
Pa zhurmë e fjalë,
Lëshoi me mija
Bij e bija.
Kur vreshti e pa
Të shtrirë gjatë e gjerë
I thotë:
- Ti më zure frymën
Moj ferrë !
I përgjigjet ferra
Me buzëqeshje
Si ngahera:
- Në t’u zy fryma,
Ja tek është dera !
Në zoopark
Shkoi në zoopark të kërkonte punë
Një elefant i murrmë.
Majmuni Hirko, shef i personelit
I thote qe pertej sportelit:
- Punen që sot mund ta fillosh,
Vendi ariut është bosh.
Ose te ndonjë kafshe tjetër…
Flet Elefanti i prekur ne sedër:
- S’mund ta pranoj këtë ftesë,
E quaj bile… ofezë.
- Si të dëshironi zotëri,
Por sa për dijeni,
Këtu sorkadhe kemi një dhi
Dhe drerin me brirët një pash
E kemi për dash !
Dhelpra dhe fiqtë
Një fabul shkrova,
E qava me lot,
Për dhelprën dhe fiqtë
Që s’i kapte dot.
Dhe si u mundua
E s’mundi t’i zërë
Tha : “S’janë për mua;
Janë të pa bërë”.
Dikush i nxituar
Mund ta ngrejë zënë:
“Fabulën Ezopi
Me kohë e ka thënë”.
Kjo s’është e vërtetë,
E di mirë gjithkush,
Fabulën Ezopi
E ka thënë me rrush.
Pra ka një ndryshim,
Kam vënë pak dorë,
S’kam bërë veç përkthim
Si disa autorë !
Helmimi
Një mushkonjë
E gjinisë mashkullore,
Jetën bashkëshortore
Me mushkonjën
E tjetrës gjini
Po e kalonte bukuri,
Aq sa zili
Ju a kishin harmoninë.
Por një ditë
E prishi biografinë…
Filloi t’i bërtasë
Mushkonjës grua:
- Fjalë shumë s’dua!
Ke bërë ç’ke bërë
T’i vëmë kapak,
Jam unë zot në konak,
Dhe ti,
O do ma dëgjosh zënë,
O marsh te jot’ëmë !
- Ç’na gjeti kjo e keqe;
Ç’na gjeti !
(Mushkonja grua u alarmua)
Ne ishim bukur e mirë…
Duket te një fanatik
Gjak të helmuar ka pirë !
Minjtë e ugarit
I kini parë beharit
Minjtë e ugarit
Si kerkcejnë përpjetë
Kur u tronditen foletë ?
U mblodhën një herë
Kokë më kokë në një ferrë,
Kundër plugut të ngrejnë padi.
- Shpesh nëpër këmbë na ka marrë,
Na prish rehatinë,
Ne që kurrë s’kemi hyrë në hambarë,
Qelibar e kemi biografinë…
Dhe filluan ta ngrejnë zënë,
Por s’qe e thënë…
Një zog i pranverës
Nga dega e ferrës
I dëgjoi dhe u tha:
- Mjaft u mburrët
Me biografitë
Ju o parazitë !
Bleta dhe flutura
Një ditë qershori
Tek një lule e bukur
Nikoqirja bletë
Takoi një flutur.
Bleta me nektar
Plot e ngarkuar,
Flutura stolisur
Dhe parfumuar.
- Me ç’po shoh,- tha bleta,-
Sot paske pushim.
- Jo, - përgjigjet flutura,
Kam lënë takim.
Punën s’e duroj,
Më prish freskinë e shtatit…
Së shpejti filloj
Muajin e mjaltit !
- Gëzohem,- shtoi bleta,
Por për mjaltë mos u mburr.
Ty një muaj të ka jeta,
Mua s’më soset kurrë !
Kur dhelpra bëhet luaneshë
Një ditë luani
Me ariun u ndesh.
Me kthetra e përfshiu,
E shtriu në shesh.
Dheplra me vrap
Erdhi pranë,
Pështyu arinë,
Përgëzoi luanë !
- S’më vjen keq,-tha ariu,-
Pse luani më mundi,
Më shtriu në shesh,
Por vetëm për dhelprën
Që u bë luaneshë !
Shkëlqimi
Hëna tokës
I tha një ditë:
- Kam më tepër dritë,
Shkëlqim e bukuri,
Jo më kot poetët
Më thurin lavdi.
Shkëlqej në qiell
Si xhevahir.
Bile dhe ty të ndriçoj,
Natën në errësirë.
- Po,- tha toka,
Të falenderoj
Për dritën që më jep mua,
Por, në s’gaboj,
Atë dritë dhe ti
E merr hua !
Pleshti dhe merimanga
Pleshti qe shtrirë
Në shtratin e butë,
Pranë tij merimanga
U ul me parashutë.
- Mirë se të gjëta
O plesht pelivan !
Të pashë të krekosur
Që lart në tavan.
Me ç’po shikoj
Te ka ecur fati,
Askush s’ta kalon
Në kërcim se larti !
Ta them sinqerisht
Je një xhevahir…
Meriton te kesh
Një shtrat më të mirë.
Dhe i endi shtratin
Merimanga shpejt,
Ku pleshti u shtri
Dhe ngeli në rrjet !
Pellgu dhe burimi
Pyeti burimin me xhelozi
Një pellg ujëkëllirë :
- Përse tek unë, kushëri,
Askush s’vjen për të pirë ?
Me një sentencë
Përgjigjet burimi:
- Se s’ke transparencë
Dhe mungon qarkullimi !
Krasitja
Në baçen me mollë
Plot kokrra ngarkuar,
I flet baçevanit
Një djalë i shkolluar :
- Si ka mundesi
Në gjithë këtë arë
Që të japin mollët
Prodhim kaq të mbarë ?!
- Unë, - tha baçevani,-
Shfrytëzoj praktikën;
Në pranverë pres degët
Që fryjnë organikën.
Ç’të zë syri te të tëra,
Vit për vit kalon gërshëra…
Kungulli dhe gardhi
Kungulli pranë gardhit kishte mbirë,
Në tokë të butë dhe të mirë.
Lëshoi rrënjë,hodhi shtat, degë e fletë
Dhe morri ngadalë gardhin përpjetë.
Vuri tul e dhjamë mbi gardhin me kathja,
U majm e u fry nga kënaqësia.
E duroi sa e duroi gardhi mbi kokë,
Pastaj plluq, e lëshoi mbi tokë.
I tha gardhi: - S’ta pata fajin unë,
Ti o mik u fryve si shumë !
Toka dhe reja
Një reje, një ditë
I mori erë koka,
U krekos, u fry
Dhe u largua nga toka.
Lart e më lart
Në qiellin pa erë
Me hijen u mat,
U shtri gjat’ e gjerë.
Me hundën përpjet
Nis tokës i flet :
- Hej tokë, e shikon ?
Nën hijen time qëndron !
Toka mëmë s’foli,
Priti sa erdhi një stuhi…
Reja u drodh e u përdrodh,
U bë lesh e li,
U kthye më pas në shi.
Kur zunë rrëketë
Të derdhen tatëpjetë,
Toka i tha resë :
- Po të marr përsëri
Në gjirin tim,
Për riedukim !
Gjike Kurtiqi