
MJEGULL NË ZEMËR
Lamtumirë?!...S’ të them lamtumirë,
Gishtat trokthoj mbi portën e vjetër.
Druri kumbon: “Harroje dashurinë,
Më tradhëtove; shkove me një tjetër!”
Lamtumirë?!... S’ t’a jap lamtumirën,
Botën e tërë ka mbuluar mjegulla...
Kënata e vjetër përcjell psherëtimën:
“Zemrën harakate e rrëmbeu tjetra!”
Lamtumirë?!... Sërish do të vij,
Dashuria gdhënd vetëm një emër.
Hape portën dhe më ler të hyj,
Të shfryj mjegullën që kam në zemër.
"Firoi edhe ky vit..."
“Firoi dhe ky vit…”, flas i hutuar,
Lypa vështrimin e syve të saj.
“Vërtet firoi…”, thotë zë i drithëruar,
Psherëtimat karvan ngarkuar me mall.
Sytë tështimtarë kërkojnë nga ardha,
Qielli dhe uji shkrirë njësh.
Porsi dhen të trembura, dallgët e bardha,
Rrugën m’a presin: fësh-fësh, fësh-fësh…
“Firoi e ky vit... Mbetëm më të lehtë,
Qelizat e vyshkura i çoi në harrim…”
Zemra “duk-duk!” në zgavrën e fshehtë,
Zgjohuni!- u thërret pranverave - gëzim!
“Firoi e ky vit…” thanë buzët e thata,
Çekanin e zemrës unë s’ munda t’a ndal.
“Të paktën, vajzat, mos bëhen plaka!”
Dhe zemra m'u shkund sikur të qe mal.
"Firoi një vit?!... Hajt, me këngë përcille!"
Kumboi kitara e pluhuruar.
Për dore më kapi, shëtitëm nëpër vite,
atje, ku zemrat mbeten rinuar!
* * *