U çelën portat e Festës ...
Për të kuvenduar me etërit
Ai,
nga zemra e maleve hapon drejt Kullës.
ku ende është i varur qielli i vranur.
Është në këmbë...
Me fytyrën veshur me diell
nëpër gurtonët(1) e flakëruar
që kanë një emër,
këndon këngët e lirisë.
Në të gdhirë
me të dy krahët mbledh yjet
në qiellin e zjarrtë,
i shtron në sofrën e madhe
të Ditë-Lindjes.
Si rreze drite rend nëpër Dardani
e bashkë me gjakun e shokëve
kënga ‘’ U Kry Bac’’
i dhanë Ymër(2) Mëvetësisë…
Nga vlaga e tokës
pëshpërimat e shpirtërave të vrarë
kanë çelur luleborat..!
1-gurtonët– nëpër gurët
2-Sipas mitologjisë Ymri është ai që i dha jetë Burrit
VAJZA E KËNGËS LABE
Për Ditën e të dashuruarëve.
Vajza e Këngës Labe
nga majëmalet
hapi derën e mëngjezit…
Bukurisë së saj
i rrinë afër retë dhe erërat.
E pa vëmendëshme prej tyre
qëmton këngë
me iso labe në trastën e saj
për ditën e Shënë Valentinit.
Shikonte lindjen…
Nga një zhurmë e bardhë
nën gjethet e një lisi
iu shfaq dëshira
për ta thyer qelqen e moshës.
* * *
Dua të soditem, t’i jepem djalit të isos!
Tingëllimën e qelqtë ta shijojë
si melodi këngësh
dalë nga oshëtima e zërave tanë,
në ditën e të dashuruarëve
kur dielli do shlodhet
dhe hëna të flerë.
MONOLOGU I SHURDHUR
I betuar në sytë e kohës
ndërgjegjja ime qëndron si kockë
në këngë
e hovshëm merr frymë
monologu i shurdhur.
Monologu…
pret të shkruaj mes erërave
dhe qiellit që pikon yje
të nesërmen,
mbetur në ashtë të trupit.
* * *
Në vite ndërtuam gjigandë,
më pas i tretëm rrëzë maleve
ngrohur nga drita e hënës.
Në monologun e shurdhur
hija ime
banon në lagjen e vdektarëve
ku stinët kremtohen me dhimbje.
* * *
Të gjithë ankohemi për keqësimin e motit,
më shumë natë se ditë.
Dhe me mall e kurajo pimë gotën e verës
nëpër rrathë ku nuk ka rrufe djegëse.
Flokët e monologut
krehin mallëngjimet e detit,
ku e djeshmja mungon
në përgjigjen time,
veç e nesërmja zgjatë krahët
të më shuaj etjen e moshës.
Athinë Janar-Shkurt 2011
E Qeshura
Kur isha djalë i ri
qeshja shpesh,
tani e qeshura është frika që kam
nga vetja,
e në dritë të vetëtimës
më ka filluar t’më vdes koha
nëpër duar.
* * *
Si i shkon puna njeriut!
Ecën vrullshëm nëpër ëndrra
pengohet sa herë shkon të pi kafe,
as dashuria nuk i shuhet.
* * *
Eh..këto përfytyrime...!
Të frymëzojnë vend e pavend,
me rrugica të këndshme që buzëqeshin
e shpirtin ta bëjnë pasqyrë nga thinjat.