
Pas Gjurmëve te mia
Erdha, i dashur, tek ti sërish,
erdha… Të mirë se të gjeta!...
Më prunë këtu një sërë ndjesish,
mori kujtimesh të vjetra…
Më pruri këtu një mal me mall,
palë-palë palosur në vite,
një zë i brendshëm: -Ku je, qyqar?
Harrove vendin ku linde, u rrite…”
Erdha tek ty nga rruga e vjetër,
me gurë dhe drurë të çmallem me radhë,
ajo, e ngushta me shtegun e gjelbër,
jo rruga me çakëll të bardhë…
Eca pas gjurmëve të mia të para,
pas gjurmëve të lëna dikur,
pas pikash të gjakut nga gishtat e çara,
kalldrëmit më gur e me zhur…
Nga rruga e gurtë që bëja çdo ditë
me çantën me libra nën sqetull,
ku dita ditës më rritej një dritë,
që unë e shkrepja nën vetull…
I njoha… Më njohën dhe gurët dhe drurët,
më dukej se flisnin e qeshnin…
“Pa shihni, kush ardhka!...” Me mallin si grurët
më tokin… më heqin dhe veshin…
“…Po ku ke qenë?... Eh, vitet si vite
rrodhën e ne nuk të pamë.
Qytetit si rrodhe nga prapa iu ngjite,
menduam se vdiqe, përpak sa s’të qamë…!”
Melodi dehëse
Ku më ikën ti, moj mendje,
ku, moj, ku më bredh?
Sa shumë ty ta paska ënda
t’ ikësh breg më breg…
Pa më thuaj, që ta di,
ku më paske shkuar?...
-Mbi ca shkallë të një shtëpie,
shkoj për të dëgjuar…
…Më të ëmblën melodi
të xhura-çobanit.
Në të shpirtin derdh ai
te një mriz i stanit…
Ashtu, shtruar, me të qarë,
vajin ia dëgjoj.
Nuk e di se ç’i ka ngjarë
rri e ëndërroj…
Vetëm di që jam e dehur
nëpër çaj çairi,
mendja kurrë nuk rri e mbledhur,
se i loz fiqiri…
Koha ikën me gallop
e na lë dhe prapa.
Sot ka rrep e rrok e pop
diskoklube e sfilata…
Po unë jam veç mendja jote,
kudo që të bredh…
Të më falësh zotërote,
kjo xhura më vjedh…
Dhimbja e strehëzës
U gjerbova duke pritur,
Prit e prit… Nuk mbahet mend!...
Po në ç’vend më paski ikur,
Ku më jini, miq, në ç’vend?
Ndjehem qyqe majë bliri
Rrahur shi e fshikur shqotë,
Krejt i thatë më mbeti gjiri,
Sytë më rrjedhin pika lot.
Kush t’ma ndezë pakëz zjarrin
Kush dhe dritën të ma ndezë?!
Kush t’ma shuaj pakëz mallin?!
Kush…Asnjë s’troket në derë.
S’ndjej më çapa vocërraku,
As dhe ison që të ziejë,
Nuk më ulet kush te pragu,
S’kam të pritur, të përcjellë.
Bëhuni njëherë të gjallë,
Të mos ndjehem krejt e mjerë,
Të ndiej hapa nëpër shkallë,
Të nxjerr mallin, të thaj vrerë!
U gjerbova duke pritur…
Pritja qenka pik e helm.
Ndjehem si kandil i fikur,
Si një shpirt që heq e merr…
Sa dëshirë do të kisha
Sa dëshirë do të kisha
që të hiqja shtruar-shtruar
vallen dyshe gorë-opare
nëpër ison e kënduar.
Fustanella palë-palë,
hapur krejt si parashutë,
gjoksit varur një qostek,
mbathur këpucë me xhufkë.
Kur unë t’ia merrja këngës
dhe ortaku të ma priste,
të gjithë burrat më këmbë,
edhe isoja të buçiste.
Dhe me një kërcim kaprolli
në tavan koka t’më zinte,
me përplasje burrërishte
në dysheme këmba t’më binte.
Këmbën mbi këmbë unë të hidhja,
pastaj të bija në gjunjë.
Qosh më qosh odën të bridhja,
të thoshin:-Të lumtë bre burrë!
Sa dëshirë do të kisha
që të hiqja shtruar-shtruar
vallen dyshe gorë-opare,
bashkë me ison e kënduar…
Korçës
Korçë plakë të thonë,
je vërtet e vjetër.
Kur ti hape shkollën,
s’kishe shoqe tjetër.
Dallëndyshja e parë
folenë te ti ngriti.
Të tjerat me radhë
ajo vetë i priti.
Hua, Korçë, hua
ky popull ta ka,
aty nisi rruga
për të bërë gjithçka.
Gjakmarrja
Sa shumë rëndon gjakmarrja,
Me plagë ,me gjak, me lot.
Vritet prej saj e ardhmja,
Pa ardhur ndjen dhimbje që sot.
Një krismë diku dëgjohet,
Një burrë varroset në dhe.
Një nënë nga lotët qërrohet,
Një nuse as kokën s’e ngre...
Emri i vrasjes përpihet,
Një tjetër zë radhën që ka.
Vdekja zë qesh e zgërdhihet,
Veç rrobe të zeza në gra...
Që në bark të nënës fëmijën
E pret gjakmarrja-lubi.
U mplakën nuset,u thinjën,
Përsipër çative tym gri...
Dhe thonë se ka qeveri!...
Ah, më ka mbërthyer vjeshta....
Në një tryezë...Karriket bosh,
Vetëm në njërën...Unë i vetmuar.
Të tjerat plot me bukuroshe
Dhe bukuroshë të dashuruar.
Hedh vështrimin rreth e rrotull,
Por asnjë sytë nuk m’i hedh
Ashtu i heshtur e kthej gotën
Dhe thith kafenë me pak sheqer...
Kthehem prapa në kujtime,
Para meje – një imazh....
Krejt si ata – rinia ime
Zemërqeshur, buzagaz...
Po çfarë të bëj? Kujt t’i ankohem
Që sot më ka mberthyer vjeshta?...
Ja, pse vjedhur unë largohem,
Kridhem dhimbshëm nëpër vjersha...
Nostalgjia ime, simfoni e pyllit
Ja, ku erdha prapë, por jo si dikur…
Kopesë përpara, me krrabën në dorë,
Gunën përmbi supe, fërshëllimë në buzë,
Te kërmitja kecat dhe cjapin përçor.
Vjen kokulur miku yt i vjetër,
Humbur bulevardesh me zift katranosur,
Vij për këngë zogjsh, si kërcen një ketër,
Fëshfërimë gjethesh, me brengë tejngopur.
Vij si mik i vjetër, i thekur nga malli,
Të qetoj pak shpirtin, trazuar- tallaz
Si në dimrin tënd rrudha-rrudha balli,
Të prehem pak çaste, shpirtin tim të zbraz.
Të vështroj thëllëzat tufa-tufa ngrehur,
Krraket e trumcakut, këngët e bilbilit,
Skifterin-pikiadë, mbi lepur, i kredhur,
Gurgullimë ujërash prej lotëve të dimrit.
Poshtë nën gjethe të zbuloj kërpudhat,
T’më kullosë kopeja në bebe të syrit,
Përkarshi livadhet kuqur luleshtrydhet
Nostalgjia ime: simfoni e pyllit.
Erdha, por çfarë gjeta? Ç’po më ther kjo zemër,
Tek të shoh të plakur, tek të shoh gjymtuar!
Po ku ma ke nurin? S’ke më atë emër!...
Oh, si nuk u prenë, s’u thanë ato duar!
Oh, ç’të paskan bërë! Maja thika ngulur,
Thellë në mushkëri, prerë kapilarë,
Prej dhimbjes së plagës rrëke lotësh turbull.
Eh, s’ke çfarë të presësh nga njerëz bastardë!
Këngë moj
Këngë moj, krahengjëllore,
Nuk t’u ndava asnjë hap.
Më dhe rreze diellore,
Me to shpirtin ma përflak.
Këngë moj, si brucë çobani
Më ke mbrojtur në janar.
Me aroma jargavani
Ditët ti m’i bën behar.
Këngë moj, s’e shtyj dot jetën,
Pa ty jeta s’ka kuptim.
Mos më lër, të lutem, vetëm!
Jam një bisk në drithërim!
Pema e vetmuar
Mal në shpirt e mal mbi shpinë,
Me zheg vere më djeg malli.
Zogjtë lanë fole-shtëpinë
S’ka më këngë bilbil-gjyzari.
Pemë e hijshme rri e ngrysur
Dhe lëvorja i ka krisur.
Ç’kishte lule, i janë vyshkur,
Era tej ia ka degdisur…
Pema qenka e trishtuar,
Rri e prêt e bën durim.
Përtej dimrit- egërsuar,
Ëndërron për pak blerim!
Strehëzës
Ç’më këndelle, streha ime,
Si e fshehur në zabel.
Para teje, porsi hije,
Më ngjan Kulla Ejfel…
Me përkundje nanuritëse
Më ke dhënë flatrim krahësh.
Që të ika…të lashë vetëm,
Oh, të lutem, të më falësh!...
Nëpër ditët dritëhije
Edhe netve terr në sy,
Mendja ime nuk të shqitet,
Fle e zgjohet bashkë me ty!
Ec, e gjej një tjetër botë!...
Ç’po këndirrem nga një kërrn,
Kërrn bezdisur i mërzisë,
Një kërrc-mërrc shpirtin ta shemb,
Shemb dhe trarin e shtëpisë.
Dhe me kokën ulur poshtë,
Vështroj poshtë i çmerritur,
Ku më del para një botë,
Një botë fare e fëlliqur.
Ndaj vështrimin tim e tres,
E tres thellë në fund të gotës
Dhe kërkoj aty të gjej,
Ëmbëlsinë e të gjithë botës.
Fundi i gotës më përqesh,
Më përqesh e çuk në zemër,
Mirëpo, ec edhe të gjesh,
Botë tjetër, tjetër emër!...
Ku ta gjesh një tjetër botë,
Botë tjetër, tjetër emër,
Jet’ pa dhimbje, sy pa lot,
Sy pa lot, pa cërr në zemër!
Këngë që s’vijnë
Një erë e lehtë më zbuloi thëngjijtë,
Mbuluar nga hiri…Dhe pastaj,…
Më solli ndërmend gishtërinjtë
Ngatërruar mbi flokët e saj…
Më ndërmendi atë natë të bukur,
Mbi krye kishim gjithësinë.
Rrugës gjithë duke u puthur,
Në buzët tona-këngë që s’vijnë!