E çmendura
El Grekoja penelin e fantaksur e bëri shigjetën e Erosit.
Po edhe te pikturat ishe vetëtimë në lëvizje, krijesë eterike, mbretëreshë e boshit.
Unë s’të dashurova. El Grekoja - s’e di.
Mjekët bluzabardhë me shenjat e elektroshokut në vend të rrudhave
mbledhin supet kur flasin për ty.
Ku je gërshetderdhur mbi supe magjie, me një det të kthjellët mbledhur hajmali.
Ma jep gërshetin ta pres, hajmalinë e detit ma fal
Ku je e çmendura e parrezikshme, e vdekura pa funeral.
Ku je. Mbaj mend një tren që rend dhe ti që rend para trenit
(i ngjashëm ky imazh me flakën e gërshetit).
Pastaj fizarmonika në një mbrëmje buzëdetit
dhe guaskat që i bëre vëth
dhe laureshat që vdekjen presin përmbi kurmin tënd.
Ku je e çmendura e mençur, jetimja me një ëndërr fejuar,
lot i vonuar që bie heshtur
nga syri i dikujt
që ka tre orë pushkatuar.
Thoje se të ndiqnin hijet, policët. Një revolver i artë
rrinte fshehur në gonxhe jargavani. Pasqyrat
të bënin shenja me çdo të plasaritur,
gjyshi të dërgonte degëz ulliri me sqepin e një pelikani...
Ku je tragjedi e lodhur, Kasandër e vrarë, Andromakë e marrosur,
Lot i vonuar që bie heshtur
nga fytyra e ëngjëllit prej vitesh vrarë.
Vdekja e murgeshës
Kur vdiq ajo
kambana nuk ra...
E gjetën kambanarin tek po qante.
Kombinim gjarpri dhe molle
Kafka mollë dhe brenda saj mbledhur kutulaç gjarpri i trurit
Qafa-gjarpër dhe brenda saj e sapogëlltitur: molla e Adamit
damarët-gjarprinj blu dhe zemra: mollë e kuqe,
seksi i mashkullit-gjarpër dhe mollë seksi i femrës
poshtë syve-koka gjarprinjsh: rrinë ndezur mollëzat e faqeve
në fund të krahëve gjarprinj: dhjetë mollëzat e gishtërinjve
gjarprinjtë e këmbëve dalin nga dy mollaqe
madje dhe gishtat e këmbëve janë dhjetë gjarprinj me mollëza
koka gjarpri thithkat mbi mollët e gjinjve
dhe gjinjtë- mollë sulmohen nga dhjetë gjarprinj të etur
mes buzëve-mollë del gjarpri i gjuhës
barku i nënës shtatëzënë ka formën e mollës së pjekur
me kërthizën e ngritur: gjarpër nga muzika ndezur
në javët e para foshnja ka formën e gjarprit...
dhe gjarprinj na presin pak orë pasi kemi vdekur.
* * *
U shkurtua shelgu buzë lumit,
i bëra degët flauta për rrugaçët e vegjël
- Ua! - thanë nënat - po lëviz shelgu
pa e ditur se tej te lumi ti kishe mbirë te bregu.
- Jam e lagur se Parajsa ka vesë, se Parajsa ka vesë...
- O Zot! - thanë djemtë - u ngrit e mbytura e lumit
rrugaçët çapkënë me flauta zgjonin vdekjen nga gjumi.
E shkurtova shelgun buzë lumit: flauta për rrugaçët e vegjël
- Ajooo!! - thanë vajzat, mbyllën perdet e dritareve të trembura
- Jam e lagur se Parajsa ka vesë, se Parajsa ka vesë...
U zvogëlua shelgu, muzika zgjoi një të vdekur.
* * *
Jashtë bie breshër
në klub pleqtë
hedhin zaret.
Erdhi batica
Nata e nginjur me furtunë, larg një ngërç vetëtimash rakitike
nga Parajsa një shpirt pikasoje zhgarravit sërish Guernikën
goja e shkyer e Hënës jep urdhër për baticë...
Erdhi batica e madhe: dem mitologjik në arenën e njohur
dridhen direkët ngulur në të -
shtiza toreadorësh.
Demi ngulçon: kurrizi me pulla të kuqe muzgu
shtizat e direkëve dridhen majtas – djathtas. Ngulçon demi.
Erdhi batica, e dashur, erdhi batica dhe kujdes kur lahesh nën baticë
një det në baticë më shumë se dallgë mbart mbi vete sinonime e metafora
meduza me tentakula nga familja e shandanëve: ndriçon e djeg.
Kujdes detin - dem
në kurrizin e murrmë: shtizat e direkëve...
Vallëzuesja e haremit
Në pjatancën e skenës me pakëz dritëyndyrë kërcen ajo: vallëzuesja e haremit.
Qirinjtë mbi kokë: dhjetra minare në shtatë kodrat e Stambollit.
Ajo kërcen me gjinjtë e kthyer në mollë aromë euroje dhe dollari.
Ajo kërcen: flakëz shpirti me pakëz tym shamije.
Rreth saj me sy të perënduar: grekë, shqiptarë, gjermanë,
bullgarë, francezë, italianë...
Një vallëzuese tund shtatë kodrat e saj: Stamboll mishi dhe shpirti.
Në pjatancën e skenës me pakëz dritëyndyrë kërcen ajo: vallëzuesja e haremit.
Sy të kaltër: miniatura të kubesë së Xhamisë Blu
Vija e gjirit: Ura e Bosforit lidh Europën me Azinë
në Ngushticën e Dardaneleve ka pak mjegull: s’duket Deti i Zi.
Ajo kërcen me gjinjtë e kthyer në mollë aromë euroje dhe dollari.
Një vallëzuese tund shtatë kodrat e saj: Stamboll mishi dhe shpirti.
Barku dallgëzon si Deti i Marmarasë dhe kërthiza si kështjella e farit
ku s’arrijnë të shpëtojnë dy të dashurit.
Veshja e hollë, e lehtë me të blertën e Kodrës së të Dashuruarve
spërkatur me xhevahire zambakësh, tulipanësh e lulesh huazuar nga Parajsa
Muzika buron lehtë me ca hapa thikash ferri
Ajo kërcen me gjinjtë e kthyer në mollë aromë euroje dhe dollari.
Lorka qau para pushkatimit
Spanja ngulte thonjtë në duar: zjarrin e gjakut lotët s’e shuajnë.
Qau, si fëmijë qau, me zë qau
Bajonetat: brirët e demit të zi që Injacion vrau.
Qau. Ushtarët fshinin faqet e nxehta te kondaku.
Lorka kish njëmijë fëmijë me njëmijë nëna prej brumi qiellor. Qau.
Hëna lart - peng. Do të vrasim Hënën, apo mishin tënd të zjarrtë..
Jo Hënën, jo Hënën, Vrasës!
Shkrepin armët s’qëllojnë me plumba po me shegë të çarë
Shegët buzë Guadalkivirit: u thanë.
Qau. Ushtarë, hiqini gishtat nga këmbëzat
këmbëzat bëjini vegje për lotët
të shëtisni nesër me lotët e Lorkës................
Trëndafili i kuq që dikur kish qenë njeri
Ky trëndafil i kuq në varrezën e vjetër
para dyqind vjetësh qe njeri...
përpiqet i gjori të zgjoj kujtesën nën shi:
kam qenë ushtar
ushtar i vrarë
ndaj u bëra petalekuq
se po të kisha flamur të bardhë
trëndafil i bardhë do isha unë.
Një pikë (.)
Ishte një pikë e thjeshtë . si të gjitha pikat
si shenja që lë kompasi mbi letrën e bardhë
para se dikush të krijoj Botën.
Një pikë e vockël në kërkim të mbylljes së një fjalie
mbase të harruar nga Shekspiri...
Një pikë shumë e vockël: majëz nga bari i përjetësisë
rrëmbyer nga gjarpëri i Gilgameshit...
Një pikë thuajse e padukshme: njollëz loti zvogëluar me lupë ligësie.
Rrotull asaj pike u mblodhën të gjithë
të mëdhenj e të vegjël
shikonin njeri - tjetrin në sy
për të zbuluar
nga cila retinë
kish rënë.