Miresevini ne ALBPOEM.COM

Home
About Us
Contact Us
Eva Saliu
Adnan Mehmeti
Arjan Larashi
Arqile Gjata
Agim Bacelli
Agron Elezi
Aida Bode
Albana Lifschin
Aleko Ballauri
Aleko Likaj
Ali Bregu
Alma Papamihali
Antela Vouli (Spaho)
Arjan Kallco
Bardhyl Mezini
Bedri Hoxha
Bledi LLangozi
Bujar Muçaj
Bujar Plloshtani
Daena Alanaj
Dalan Luzaj
Diana Seitaj
Dhimiter Pojanaku
Dhimitra Adham
Dhimiter Nica
Dhimitraq Papando
Poema
Dorian Duka
Dorjana Bezat
Elda Kokoneshi
Elion Hyseni
Enkelejda Kondi Masseboeu
Edmond Shallvari
Eduart Sulollari
Fahredin Shehu
Fation Pajo
Fatmir Ceci
Fatmir Terziu
Faton Ratkoceri‏
Fejzulla Duraku
Filip Emanuel
Fitim Sula
Genc Kastrati
Genti Furxhiu
Gerti Pashaj
Gezim Ashimi
Gjergji Mihallari
Gjeto Turmulaj
Gjikë Kurtiqi
Gjon Neçaj
Grigor Jovani
Hysen Cifligu
Hysen Kobellari
Ilir Borova
Iliriana Sulkuqi
Iljaz Arif Bobaj
Irena Vreto
Ivana Dervishi
Janaq Pani
Jeton Kelmendi
Jonida Neli
Jori Kosti
Julia Gjika
Keze (Kozeta) Zylo
Klarita Selmani
Klito Fundo
Koço Sterjo
Kostaq Duka
Kostaq Mizaku
Kostika Zdruli
Kozeta Zavalani
Kristaq Turtulli
Kujtim Mateli
Lediana Kapaj
Leke Gjoka
Leon.Z.Lekaj
Lida Lazaj
Ligor Shyti
Luan Kalana
Luan Xhuli
Lulzim Logu
Mariklena Nico
Marjeta Çulla
Marjeta Ismailati
Merita Bajraktari Mccormack
Minella Borova
Ndue Hila
Ndue Ukaj
Nexhip Bashllari
Pellumb Cuni
Perparim Hysi
Petraq Kote
Petraq Pali
Petraq Risto
Pilo Zyba
Qazim Muska
Raimonda Moisiu
Rakela Yzeiri (Zoga)
Rexhep Polisi
Roland Beqiraj
Rozi Theohari
Skender Rusi
Tahir Bezhani
Thani Naqo
Theodhoraq Ciko
Vaid Hyzoti
Vangjush Thoma Ziko
Vladimir Toroveci
Vullnet Mato
Ylber Merdani
Ylli Hoxhaj
Zana Hakani
Ziko Kapurani
Perkthime
Dhimitraq Papando
 
 
 
Poema
 
             Muzgu
 
                   I
 
Në fund të ditës afron një çast,
Kur dielli shuan vatrën e shenjtë.
Eshtë një çast kur gjithshka meket.
Veç perëndimit krejt të kuq;
Ku retë puthen me njëra-tjetrën,
Me faqet flakë nga zjarr’ i diellit.
Eshtë një çast tepër i shkurtër,
Kur sendet pezull zënë e rrinë.
Sikur përpiqen që të çlirohen,
Nga forc’ e tokës që i tërheq.
Eshtë një çast që po ta kapësh,
Kupton dhe ndjen të gjith’ magjitë.
Të lind përbrënda fllad i hyjnishëm,
Që shpirtin ëmbël ta drithëron.
Rreth kokës ndjen aureolë.
Eshtë një çast kur përmbi tokë,
Vijnë dhe rrinë gjith’ perënditë. 
                   II 
Eshtë një çast në fund të ditës,
Në frymëmarrjen e perëndimit,
Që muzg i thonë...e çfarë tjetër;
Kur gjiri i detit fillon gufohet,
Mbarsur nga Kronosi i lashtë,
Kur brenda zemrës ke mall të thellë.
Dhe bukuritë gjith’ duke parë,
Të vjen një gaz dhe brengë bashkë,
Që shpirtit dhimbjen i shton paprerë.
I hidhëruar qiellin shikon.
Miken e zemrës që s’e ke pranë,
Thërret për ndihmë gjysëm i dehur,
Të ndash magjitë që  rrotull ke.
Dhe pik’ e lotit ndriçon e zbehtë,
Plot reflektime prej diamanti,
Nga zjarri i brendshëm që rreh të dalë.
...Qerpiku dridhet… diç duke fshehur.       
                 III
Si drit’ e ditës ze e venitet,
Dhe zjarr’ i diellit fillon të ftohet,
Një tis i hollë bie nga qiejtë…
I madhërishëm pra, çfaqet muzgu,
Kur sendet hije më fare s’kanë.
Vërtet, pa hije të gjitha janë,
Se hijet ikin tinëz dhe fshihen,
Shpejt nëpër qoshe, në errësirë.
…Të dish të shohësh veç e të ngopesh!
Me një prarim prej paradisi,
E gjithë gjindja është e mbështjellë.
Edhe pastaj... kur lëmshi i zjarrtë,
Fshihet nxitimthi pas horizontit,…   
Kupton papritur që dridhja... shuhet.
Dhe syri i lodhur kërkon te ndjellë,
Të tjera lodra të gjithësisë,
Perde e natës sa nuk ka rënë.  
               IV 
Kur yjet lart zënë e çukisin,
Me dritë të dridhur perden e zezë,
Zhurmat e jetës fashiten shtruar;
Si kali i lodhur nga pun’e gjatë,
Kërkon të gjejë pak qetësi.
Dritat e natës ndriçojnë vakur,
Dhe hëna del me psherëtimë.
Nata ka rënë me krahë hapur.
Yjet të trembur nga ethe e muzgut,
Pas perde-zezës duan të fshihen.
…Në mjegullsirën që vjen nga qiejtë,
Dëshirë ke të humbësh rrugën.
Se errësira që po afrohet,
Mes njerzve shton veç turbullirë,
Por edhe dhimbjen katalizon.
Dhe vetëm ndihesh në mes të turmës.
Çdo gjë rreth teje nis e largohet.
                  V
Me Muzat...muzgjesh kërkon të vidhesh;
Si në përrallë do të shpëtosh.
Përbrënda shpirtit ndjen që të digjet,
Zjarri i ndezur nga ëndërrimet.
Si perëndimi dhe perënditë,
Të tjerë zjarre të shenjtë ndezin.
Dhe gjithë eteri elektrizohet,
Në flakërim të amëshuar…
Dhe kokëulur në vetësirë…
Nis pëshpërit me zë të shuar.
Duke fundosur në jerm të thellë;
Botë të tjera aluçinante,
Krejt i habitur duke zbuluar.
Si të jetosh një tjetër jetë,
Prej infinitit që vjen vibrant;
Ku sendet kanë një tjetër formë,
Dhe shpirti vetë tjetër kuptim.
                     VI 
Pa ndjere fare... lind një poemë,
Ku vargjet vijnë pas njëri-tjetrit;
Dhe gulçi grykën aq ta ngushton,
Sa fjalët dalin krejt deformuar.
Si me kamzhik dhimbj’e krijimit,
Trupin të tërë ta rreh e mpin,
Vraga të thella gjith’ duke hapur. 
Shpirti nis dridhet i llahtaruar.
Dhe zemra brinjët kërkon të çajë;
Në një torturë plot me kuptim;
Si një luan me zjarr rrethuar.
Apasjonim i vetëdijshëm…
“Kur dhimbja puth kënaqësinë,
Të dyja bashkë krijojnë thesare.”
Dhe shpirti prehet ngadhënjimtar,
Në një zenith të pambarim.
Çdo muzg që vjen lind një poemë.
Poemat vetëm në muzg këndohen.
 
 

                 Udhëtim

 

I

Jo, jo, akoma nuk kam arritur,

I lodhur ndihem dhe i drobitur,

Tek shoh si malet rrotull e rrotull,

Përbrenda tyre mbyllin rrethuar,

Fushën e bukur të lulëzuar,

Që si një nuse e porsa zgjedhur,

Vendos mbi flokun e saj të derdhur,

Kurorë degësh dhe lulesh mbledhur.

Mbajnë rrethuar mes bukurisë,

Një medaljon të madhështisë,

Ankthin dhe afshin që të nxit shpresa,

Mallin e djegur keq nga largesa.

 

II

...Dhe pas çdo kthese, pas çdo bregore,

Si labirinthet me Minotaur,

Të tjera brigje…përpara dalin.

Me mijra gracka rrugën më ndalin,

Dhe horizontin aq të kërkuar,

Në thellësinë e amëshuar.

Nis dhe rëmoj në vetësirë,

Të gjej një fjalë jo aq të mirë,

Duke u grindur porsi gërnjar,

Për konstruktorin imagjinar,

Që paska qenë kaq i vendosur,

Të stisë rrugë që s’ka të sosur.

 

III

Dhe syri ndjek pavetëdije,

Si në një film vetëm me hije,

Çfarë natyra ofron bujare...

...Kishat rrethuar me pem’ e varre,

Kodrat me mollë, fushat me grurë;

Më tej një pyll, pastaj një urë.

Ca p’rrenj të thatë me një gisht ujë...

...Më tutje pamja bëhet rrëmujë,

Tek më s’e ndjek lajthitjen time;

Veç ndjej që zhytem në ëndërrime.

Dhe syri dridhet e sheh përbrënda,

Thellë kujtesës, pamje të rënda.

 

 

IV

E ndjek vetvehten mbrapa në kohë,

Remineshencë që s’di të shohë.

Hije të vjetra që të kërkojnë,

Dot s’u shpëton, për ty vrapojnë.

Fantazma-veshur që ulërijnë,

Miq dhe armiq në radhë vijnë.

Ti vetëm ikën... ata të ndjekin,

Dhe pas makinës grushtat përpjekin.

...Dhe befas zgjohesh krejt i hutuar,

Përreth vështron i turpëruar,

Pa ditur fare ç’gabim ke bërë,

Nis buzëqesh... siç bëjn’ të tërë.

 

V

...Pastaj ca fshatra krejt të rrudhosur,

Tek ti afrohen faqepudrosur.

Porsi ca plaka…kur humbin sensin,

Vrapin e kohës duan të ndjekin.

Tualetosen, lyen e ngjyen,

Si pula klloçka, stisen e fryhen,

Me shum’ seç mosha u pranon hije,

Si ca piktura pa pikë shije...

...Edhe ata ashtu llastohen,

Si duke dashur të zbukurohen,

Veç buzë rruge vitrinën ngrehin,

Pamjen e hidhur duan te zbehin.

 

VI

Sheh emra firmash, si në përralla,

Ca kombinime aqë të rralla,

Që nuk i njeh onomastika.

Shpikje të shekullit bastard...

...Dritat plot ngjyra që syrin çpojnë,

Me prapaskenën keq kontrastojnë.

Ndrisin e feksin e s’kan’ të sosur,

Përmbi fasadën e përdhosur.

Por prapa tyre  syri i hutuar,

Vështron një pamje të mjegulluar.

Pas mykut pluhur me erë burgu,

Pejsazh të zbardhur si raso murgu.

 

 

 

 

VII

Dhe prapa gardhesh gjysëm rrëzuar,

Pas njëri tjetrit rrinë shtërnguar,

Nëpër ca poza gërmuqe mbetur,

Të shkalafitur edhe të tretur,

Mullare kashte gjysëm të ngrënë,

Si goj’ të zeza e dhëmbërënë,

Që prej së largu përqeshin hidhur.

Një fat i keq i mban të lidhur.

Ngulur në tokë si ca qyqarë,

Flokët përpjetë dhe të palarë.

Me kokën jashtë, ashtu të ngrirë,

Tek ulërijnë për mëshirë.

 

                 VIII

...Vështroj të mijtë bashkudhëtarë,

Faqeparruar, fytyrëvrarë,

Ashtu përgjumur teksa qëndrojnë,

Me sytë hapur, por që s’vështrojnë,

Asnjë ndryshim që del përpara.

Duke lëpirë buzët e çara,

Krejt të harruar koten e flenë,

Sado të mençur që të jenë.

Njëri pas tjetrit vënë në vijë,

Luajnë kokat pa vetëdijë.   

Ritmin e rrugës tek imitojnë,

Indiferentë përreth pohojnë.

 

IX

...Por dhe mohojnë gjithashtu,

Shpesh duke qeshur kuturu,

Mes ëndërrimesh delirante.

Gjestikulime krejt aberrante.

Dhe i vështroj që fare pranë,

Me mendje humbur hequr mënjanë.

Krejt i çuditur sikur të shihja,

Një lloj të ri që nuk e njihja.

Në ndonjë tombë në shkretëtirë,

Në mes të rërës tek qëndron shtrirë,

Mumje Egjypti gjysëm të tretur;

Në sarkofag të porsagjetur.

 

X

Nuk di në çfarë më të besoj,

Nuk di se ç’hymne më të këndoj,

Se jo, askush s’më ka besuar,

Se vetë Zoti më ka harruar.

Një zë njeriu pra, ku ta gjej,

Ç’mblodha në zemër t’i rrëfej?

Më thoni pra ku të kërkoj,

Një këngë gryke ku të dëgjoj?

Ku ta ndjej erën aqë të mirë,

Të një duhani të porsa grirë?

...Të shoh një mace si vjen përtuar,

Prekjen e ngrohtë për të kërkuar?

 

XI

...Të ndjej që jam njeri e zot.

Si isha dje, të jem dhe sot.

Të ec i zhytur nëpër kujtime,

Të takoj pleqtë e rrugës sime,

E ta ngroh vatrën me dru të thatë;

Të numëroj yjet nëpër natë.

Dhe të hap derën e shtëpisë,

Pa pasur frikën e perëndisë?

Të ndjej në zemër që kam tallaz,

E ta pi lotin që vjen... me gaz.

E të bërtas kur dua vetë,

Të fle e ngrihem... zot i vërtetë?

 

XII

...Një libër mbyllur e mbaj në duar,

Të një shkrimtari të padëgjuar.

Nuk do të mundja që ta lexoja,

Nuk do të mundja ’dhe po të doja.

Më ngjan një histori e njohur,

Që asnjëherë s’më ka ngrohur;

Si e lexuar një tjetër herë,

Si e jetuar me miq të tjerë.

Në një vend tjetër, një “dezha vú”, *

Me ca kasolle bërë me dru;

Ku si i egër fshehur jetoja,

Ku ditën vdisja dhe natën rroja.

 

          *Déjà vu, të jetosh edhe një herë një gjëndje që e ke jetuar me parë, nga frëngjishtja i referohet një fenomeni paramnezik.

 

XIII

...Qielli rëndonte si plumb i derdhur,

Dhe hëna villte dritën e verdhur,

Pëmbi natyrën e pangjyrë.

Dhe ajri i rëndë porsi lyrë,

Të zinte frymën dhe të lodhte.

Ku ti e dije se çdo të ndodhte,

Kur dielli shterpë sillte pak dritë,

Që të ndriçonte njerzit e mpitë,

Që mbushnin pyllin e paanë.

Dhe udhëtarët që i kam pranë,

Këto të vrara silueta,

Ishin fantazma të vërteta...

 

XIV

...Një gropë e rrugës më gjen habitur,

Gjysëm të fjetur, gjysëm dremitur.

Tek  hedh vështrimin me sy të vagur,

Përmes qerpikut nga loti lagur.

Rrah të shkëputem nga bot’ e vdekur,

Ku u mundova me zë të mekur,

Të flas me hije imagjinare,

Brymë fantazmash që gjen mbi varre.

Nuk di pse qaj... ndoshta aty

Jetohet vetëm me lot në sy.

Lotë të ftohtë që dhimbje sjellin,

Të tjerë lotë së thelli ndjellin.

 

XV

...Dita nxituar diku largohet,

Ashtu si niset, kurrë s’mbarohet;

Por rrjedh si uji prej kroit vetë,

Që s’ka të sosur në këtë jetë.

Ashtu si koha mbështjell vetvehten,

Minutat, orët dhe ditët treten.

S’janë gjë tjetër, veçse një grimë,

Në qiell të kthiellët një vetëtimë.

Një hap i vogël që s’numërohet,

I një agrepi që rrotullohet,

Mbi një sahat të pambaruar,

Që s’ka përsipër asgjë të shkruar;

Fushën të bardhë, si shkretëtirë.

Ku rrotull vimë ne si të pirë.

 

XVI

...Në pjalmin blu të erës zhytur,

Në eter ëndrrash plluskojm’ të mbytur.

Ne udhëtarët që s’kan’ stacione,

Mbi hije shpresash ngrehim pasione.

Dhe bredhim rrugë plot kthesa dredhur,

Në zemër mbajmë një lëmsh të mbledhur,

Të mallit zjarr, që nuk u shua,

Më shumë u ndez, më shumë u zgjua,

Prej reflektimit të vetmisë;

Një mall i dhimbjes dhe dashurisë.

Mjegull’ e kohës e mban mbuluar,

Dhe ngjan së largu një zjarr i shuar.

 

XVII

Veç një puhizë të fryjë lehtë,

Zbulon pas mjegullës së zbehtë,

Llavë vullkani që rrjedh si lumë,

Që djeg e grin, zhurit më shumë.

Një flakadan me flakë ferri,

Që si përbindësh ngrihet nga terri.

Ku zhytur rrimë prej vehtes fshehur,

Me sy çaplyer dhe veshin mprehur,

Presim të dridhur nga fundi honit,

Mes angushtisë dhe pasionit;

Një shkëndijim që të shikojmë,

Ç’po ndodh pas territ të mësojmë.

 

                 XVIII

Sa të arrij, nuk kam durim,

Të mbështet kokën në pragun tim.

Atje ku linda dhe ku jetova,

Dhe në mes njerzve, njerëz shikova,

Ku rashë, u ngrita dhe prapë rashë,

Dhe ku të parën fjalë e thashë.

Të ndjej aromën, sa kam filluar

Me flegrat hapur, sytë çapluar.

Si kafsh’ e egër që ndjen dëborën

Dhe ulërin pa pritur orën,

Që të arrijë në vend të njohur,

Të ngrohë prapë gjakun e ftohur.

 

 

XIX

Të ndezë prapë zemrën e ngrirë,

Me zjarr të shpirtit dhe me dëshirë.

Me kokën ngritur, andej drejtuar,

Nga ndjej një shënjë të adhuruar,

Filloj nuhas dhe unë malet,

Nga vjen një afsh që s’mund të ndalet.

Mes melodish vjen harmonia,

Vjen shpres’ e humbur dhe siguria.

Vjen mes kujtimit më sjell  një shpresë,

Si llav’e zjarrtë që s’do të vdesë.

Më merr nga qielli ku kisha shkuar,

Më zbret në tokën e premtuar.

 

XX

Tek fryn, me sjell veriu i thatë,

Prej hapësirës së pamatë,

Spicat e akullit dhe ngricës,

Erën e çajit dhe të zhumbricës,

Që vjen e njelmët porsi mallkimet,

Më ndjek në rrugët, në shtegëtimet,

Me ndjek në ëndërr, më ndjek në gjumë,

Më dhemb sa dhimbet, më mundon shumë.

Më djeg, më pret në zemër thellë,

Atje ku mallin e mbaj të mbjellë,

Porsi një lule të shumë vyer,

Me gjak të shpirtit dhe lot ushqyer.

 

XXI

Filloj lëviz brenda makinës,

Duke vështruar përjashta tinës.

Të shpërthej dyert, të fluturoj,

Ndër ato male, atje të shkoj.

Të ve pëllëmbën në gji të dheut,

Të dëgjoj zemrën e mëmëdheut.

Se edhe tigri, një egërsirë,

Brenda kafazit nëpër zinxhirë,

Kur pranë ndjen erën e vluar,

Të pyllit thellë, ku ka jetuar;

Kërkon të shkojë atje, të shohë,

Ç’ka ka përgjuar për aqë kohë.

 

 

 

XXII

Ç’ështe kjo ndjenjë që më djeg mallë?

Ç’është kjo brengë, kush e di vallë,

Që lind në shpirt dhe syrin ndrit,

Më djeg e pret, si zjarr zhurit.

Pse brez pas brezi e mbajmë vluar,*

Si një thesar tepër të çmuar?

Në ç’lloj materje e ka burimin,

Në ç’farë ngjizje e ka fillimin?

Pse e ushqejmë e mbajmë gjallë,

Këtë mister kaqë të rrallë?

Kush i jep shpirt ç’është ai zot,

Që e kërkoj dhe s’e gjej dot?

 

XXIII

...Vështroj përjashta, kokën kthej prapa,

Frymën që iku dhe dot s’e kapa.

Vështroj drejt qiellit në perëndim,

Drejt horizontit të pambarim,

Prej nga përhapet si hymn i rrallë,

Tek retë digjen në zjarr të gjallë ,

Një zjarr hyjnor, që s’ka të shuar.

Dhe vetë dielli i lumturuar,

Teksa mes flakës, ndriçon e tretet,

Ashtu si ylli në qiell kur mbetet;

Ndrit e ndez yje të tjerë ,

Që vijnë rrotull nëpër erë.

 

XXIV

Jehonën sjellin tek heshtin vrapin,

Frymën e fundit ndërsa e japin,

Brengën e tokës duke kënduar,

Që veç një zemër e përmalluar,

Një zhpirt i djegur di t’a dëgjojë;

Dhe n’unison nis të këndojë.

Mban portat hapur për bukurinë,

Dhe ritmet pret atje të vinë.

Tingujt e ëndrrave duke ndjellë,

Nis emeton prej shpirtit thellë,

Pasione e ndjenja qe s’kanë të sosur,

Që mbytin botën e vrerosur.

 

*E mbajmë vluar ose mbluar=e vendos në një vend të sigurt, ruaj diku me kujdes; është një dialektizëm i juglindjes së Shqiperisë.

XXV

Çliron demonët që nga zinxhiri.

Dhe si Feniksi që lind nga hiri,

Rilind sërisht nga nat’ e mekur,

Dhe zjarr i jep shpirtit të vdekur.

Një zjarr që ndez e ndrit mistere,

Që më ringjall si atëhere,

Kur kodrat ngjitja që të vështroja;

Kur frymën mbaja që të dëgjoja,

Tingujt e hënës tek largohej,

Ngjyrat e ditës që po afrohej.

Kur thithja diellin në mëngjes-herë,

Kur pija vesën me miq të tjerë.

 

XXVI

Natyr’ e bukur më trazon fshehur,

Tallet me syrin që sheh i dehur,

Çdo grimcë pluhuri e pavlerë.

Çdo cicërimë që vjen në erë,

Zgjon ëndërrimet, brengat që shkuan,

Dëshirash djegur që s’u harruan.

Që rrisin mallin në zemër thellë,

Si stalaktitet që rrit një shpellë,

Me dashuri pikë-pas-pike.

I mbreh pas dhimbjes majat magjike,

Që çpojnë e çpojnë, në gjoks sëmbojnë,

Sa t’i mendosh, më shumë çpojnë....

 

XXVII

Dhe lind një ëndje prej qënjes thellë,

Paqen qiellore kërkon të sjellë.

Një harmoni me gaz dhe lotë,

Që zbukuron jetën e kotë.

Që na gëzon... për çfarë s’kemi.

Na ndjek e dashur kudo që jemi.

Materje fine në shpirt e tretur.

Hije sublime në thelb e mbetur.

.............................................

Burim ushqimi për zjarr të vjetër,

Të tjera malle, një kohë tjetër.

 

                             Dh Papando 2005 NY