NATË PA HËNË
Lotët e tu më mbetën në faqe,
Si kristal u thye mbrëmja.
Nuk ka hënë brenda kësaj nate
Pylli ndanë lumit oshëtin nga dhembja.
Iu luta ëndrrës, mos ikë këtë mbrëmje,
Ëndrrës jetime në botën e hirtë,
Nata e trishtë si gjysmë hëne
M’u ul të banojë në shpirt...
PEZULL
Gjithçka pezull ka mbetur në motin gri,
Kjo mbrëmje pa ajër po më tharton,
Si vera e kuqe mbetur pa pirë...
Në një festë që pa filluar mbaron!
Përhumbur jam në këtë mbrëmje gri,
As vetë s’e di çfarë më mungon.
Kjo verë e kuqe mbi tavolinë,
Me ty më ngjan e më trishton…
RRUGËTIM
Shiu nuk ia shuan etjen
Tokës që digjet në përvëlim.
As lotët e tu nuk e tretin
Mallin që djeg vetë dashurinë.
Po këtë mbrëmje ku je?
Në ç'rrugë rrugëton.
Po fjalët që m’i the,
Në ç'ëndërr i belbëzon?
Ku janë thyer kristalet,
E syçkave të tu,
Ku është ajo dritë
E qiellit bardh e blu ?...
* * *
Nëse do të pish një gotë verë,
Për gëzim, këtë mbrëmje,
Më kujto dhe mua një herë
Se më ke lënë pa mendje!
TRISHTIM
Kanë çelur lulet, rrugët ndrisin
Gjithandej plot shkëlqim.
Të rënduar e kam shpirtin,
As hir e as gëzim...
Dhe eci rrugëve, kuturu...
As vetë s’e di ku shkoj,
Sikur të vije ti këtu,
Ah, do të ishte tjetër soj…
Më mungon buzëqeshja jote,
Shikimet e tua si shigjetë,
Eh, s’ia gjetën fundin kësaj bote,
As filozofë, e as poetë...
NËNË
M’u lagën mendimet
Nga shiu i lotëve
Që pa pushim
Bie prej qiellit të vrenjtur.
Fjalët
Më janë tharë nga dhembja,
Duart
Më dridhen si mështekna
Nga erërat,
S’reshtin për asnjë çast
Pendimet...
Është dimër
Dhe fjalët kanë ngrirë,
Nga qielli
Si breshër më bëhen...
Në ajrin e qelqtë
Vizatoj portretin tënd
Dhe thellë,
Thellë së brendshmi
Ndjej puhizën e ngohtë,
Buzëqeshjen tënde
Që më ngroh
Në këtë natë polare...
LIRIKË DIMRI
L.Poradecit
I ftohtë Pogradeci këtë ditë,
Mjergull, mbuluar anembanë.
Imazhi i qytetit ngrin tek sytë
E vajzës që kam pranë...
Fjala në buzë ngrin me drithmë,
Vala buzë gjolit llokoçit e zjen.
Nga Mali i Thatë dëgjoj një klithmë
Si krisje dallge përmbi liqen…
Më bëhet se vjen Lasgushi prej Edenit,
Të gjejë Cucin ku i mbeti…
Përmbi stërkalat e liqenit
Dashurisë ia derdh vargjet poeti.
KOSOVË
Gurët e kullës
Së lashtë,
Syzgjuar përherë,
Në mort
E në dasma...
Dhembja merr frymë
Përvuajtshëm
Në ëndrrat e mia
Të përgjakura.
Kosovë
Ti, krenaria
E dhimbjes sime.
Kosovë
Ti,
Dhimbja
E krenarisë sime.
Kosovë
Ti,
Krenaria
E krenarisë sime..
ERËRAT E JUGUT
Në Jug tani fryjnë erërat e Jugës
Rrugët kanë ngrirë nga dimri i acartë
Gurët e mallit lartësohen drejt qiejve
Malli im tretet në qytetin e lashtë...
Gurët e mallit lartësohen drejt qiejve
Ëndrra përkundet në dallgët joniane.
Me mijëra herë i hipur në kuajt e erës
Jam nisur në udhën e shpresës asaj ane.
Në Jug tani fryjnë erërat e Jugës
Ka ngrirë pasioni brenda meje
Do nisem dhe në mbetsha udhës
Do të prehem në një vello reje...
DHIMBJA E DETIT
As guri nuk e duroka dhimbjen e detit
Endur vorbullshëm nëpër dallgë,
As vet dallgët joniane nuk durojnë
Turfullimin e rrebesheve fjalë...
Enden si pëlhurë erërat jonike,
Fjalë e mall, prush zjarr zhuritur,
Krater vullkani në mes të detit
Unë Odise që në Itakë s’kam zbritur.