| TI S’DUHEJ TË IKJE -mikut tim Ll.Serbo- Ishte natë nga më të bukurat, Që ti zgjodhe për të ikur, miku im! Nga ç’perëndi,atje në qiell, i more urdhërat? Nga cili Olimp? Ti ike me hapat e vetmisë, (Nuk doje ta zgjoje Korçën që po flinte!) Nata pranë teje si një dorë e shtrirë, Brenda dorës tënde lëvizte! Kjo botë që të kish lënë të pagjumë, Ish për ty e gjitha një absurd i madh! Ti ishe në të njejtën kohë dashuria Dhe indiferenca e çuditshme e saj! Dhe ishe i mbushur plot me trille, Oazë më vete ishin sytë e tu gri! Ti ishe në të njejtën kohë, njeriu me kapele, Që të pëlqente ta mbaje në kokë, vetëm ti! Dhe ike kur ende ishe i bukur, (Bukuria nuk të braktisi asnjë ditë!) Edhe dielli,kur u gdhi,se si dukej, Prej teje,miku im,vonoi të lindë! Ishte natë nga më të bukurat, Kur ti i the lamtumirë botës! Nga ç’perëndi,atje në qiell, i more urdhërat, Ti, Bekim Fehmiu i Korçës!? NE S’BËJMË ASGJË TË KEQE
Ne s’bëjmë asgjë të keqe.Duhemi. Ndaj dhe kjo ditë nuk po perëndon ende! Ne jemi akrepat e orës së diellit, Lëvizim brenda tij si brenda një brenge!
Ne s’bëjmë asgjë të keqe.Vështrohemi. Duke u bërë secili sadopak i verbër! Që mos na vijë aq turp kur të takohemi, Në ato vende ku s’ka shkelur asnjë tjetër!
Ne s’bëjmë asgjë të keqe.Puthemi. Duke hapur portën e botës së përtejme! Brenda saj gjithmonë ka diçka prej absurdi, Që bëhet shkak për grindjet mes njerëzve!
Ne s’bëjmë asgjë të keqe.Gënjehemi. Duke i marrë atë që i mungon njeri-tjetrit! Në u bëfshim Prometej, zjarre nuk do vjedhim, Por urrejtjet që në shpirt mbajnë njerëzit!
2 shtator,2005 LUMENJTE
Lumenjtë e duan shiun, Sidomos kur me rebesh fillon të bjerë! Se veç prej tij ata e ndrrojnë shtratin, Dhe shkojnë e futen nëpër shtretër të tjerë
Unë i dua lumenjtë, Se ata vetëm në det pranojnë të vdesin! Dhe tradhëtojnë rrallë, shumë rrallë, Jo çdo ditë si njerëzit! DËBORA E PARË
Këtë vit,çuditërisht, ti erdhe natën! (Kaq shumë,njerëzve, jua paske frikën!?) Ti ngjan me atë nusen në momentin pas dasmës, Që xhvishet pranë shtratit pasi e ka fikur dritën!
25 janar,2004
| | Ka lindur në Vishocicë të Devollit më 15.07.1952 dhe ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi në vitet 1971- 1975. Më pas,në vitin 1984 është diplomuar për dramaturgji dhe në vitin 1998 është specializuar për drejtues biblioteke në Kajro.. Ka botuar 10 libra me poezi,1 libër me përkthime si edhe janë vënë në skenë nga trupa e teatrit”A.Z.Çajupi” 1 komedi dhe 1 dramë ,me të cilën është laureuar edhe me çmim kombëtar. Po kështu është fitues i disa çmimeve të para në poezi në shkallë kombëtare dhe ballkanike. Ka publikuar poezi në Sh.B.A dhe në disa vende si ne Gjermani,Zvicër,Maqedoni,Kosovë dhe Greqi. Për 12 vjet me rradhë ka drejtuar Klubin e Shkrimtarëve”Bota e Re” dhe sot është kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve në Korçë. Prej 9 vitesh Skënder Rusi organizon dhe drejton aktivitetin më të madh kulturor në Korçë: ”Netët korçare të poezisë” me poetë nga Kosova,Maqedonia,Greqia, Turqia , Rumania ,Bullgaria etj. Aktualisht është drejtor i bibliotekës”Th.Mitko” Korçë.---------------------------------------------------------------- VETMI GRUAJE
Hyra brenda vetmisë së një gruaje, Si brenda një shtëpie të braktisur! Dorezat e dyerve ishin ende të ngrohta, Nga prekja e duarve që kishin ikur.
Ato ishin vazhdimi i duarve të saj, (me to ajo ndërtonte përqafimet!) Ndërsa tani lëvizin si skelete në ajër, Në gjysmë terrin e kësaj shtëpie!
Këtu nuk hyn asnjë reze drite, (shtëpi pikëllimi, pa asnjë dritare!) Veç një qiri që është duke vdekur, Hedh dritë mbi këtë natë të madhe!
26 shtator 2005 PRILLI YT I MOSHES -Nadjas,sime bije-
Ti ende je në prillin tënd të moshës, S’ke nisur ende, ndjenjat t’i pjestosh! Kjo ndodh me ty si në çdo vend të botës, Për muajin maj ke lënë një vend bosh!
Të shoh kur fle edhe më dukesh foshnjë, Bëj të të puth në ballë edhe të ik, Po frikë kam se s’dua që të zgjohesh, Se brenda ëndrrës flet me ndonjë princ!
E ja kështu, largohem pa të puthur, Vetëm çarçafin që të ka rënë, e ngre! Gjersa ti je në prillin tënd të bukur, Diku,pas majit, do na vesh dhe ne!
21 shtator 2005 MOS MË DUAJ MË
Mos më duaj më! Nis më urre nëse do mundësh! Dhe qiellin(qielli jam unë!) S’përmbyset bota po ta humbësh!
Mos më afro më! Nuk mund të duash dy njëherësh! Dhe ajrin(ajri jam unë!) S’përmbyset bota, po ta shkelësh!
Mos më kujto më! Nis fshiji puthjet, po të duash! Dhe zjarrin(zjarri jam unë!) S’përmbyset bota, po ta shuash!
23 shtator 2005
SHKOVA -sipas Zh.Prever-it-
Shkova në dyqanin e dëshirave, Bleva një shall të bukur për nënën. (Nëna më qortoi që u harxhova!)
Shkova në dyqanin e dhuratave, Bleva një orë xhepi për tim atë. (Ai më tha ta ktheja ku e mora!)
Shkova në dyqanin e dashurisë, Bleva një varëse tjetër për gruan. (Ajo më kërkoi edhe një byzylyk te dora!)
30 tetor,2005 ÇAST
Po digjen drutë e lëshojnë flakë. Po digjem unë e lëshoj veç tym! I njëjti shi ne na ka lagur bashkë, Po tjetër erë brenda meje fryn!
Është era jote përzier me mars, Që sidoqoftë e zbardhi një mister! Kush është i djegur nuk lëshon më flakë, Ndaj edhe unë vetëm tym po nxjerr!
29 nëntor 2006 | |