Miresevini ne ALBPOEM.COM

Home
About Us
Contact Us
Eva Saliu
Adnan Mehmeti
Arjan Larashi
Arqile Gjata
Agim Bacelli
Agron Elezi
Aida Bode
Albana Lifschin
Aleko Ballauri
Aleko Likaj
Ali Bregu
Alma Papamihali
Antela Vouli (Spaho)
Arjan Kallco
Bardhyl Mezini
Bedri Hoxha
Bledi LLangozi
Bujar Muçaj
Bujar Plloshtani
Daena Alanaj
Dalan Luzaj
Diana Seitaj
Dhimiter Pojanaku
Dhimitra Adham
Dhimiter Nica
Dhimitraq Papando
Dorian Duka
Dorjana Bezat
Elda Kokoneshi
Elion Hyseni
Enkelejda Kondi Masseboeu
Edmond Shallvari
Eduart Sulollari
Fahredin Shehu
Fation Pajo
Fatmir Ceci
Fatmir Terziu
Faton Ratkoceri‏
Fejzulla Duraku
Filip Emanuel
Fitim Sula
Genc Kastrati
Genti Furxhiu
Gerti Pashaj
Gezim Ashimi
Gjergji Mihallari
Gjeto Turmulaj
Gjikë Kurtiqi
Gjon Neçaj
Grigor Jovani
Hysen Cifligu
Hysen Kobellari
Ilir Borova
Iliriana Sulkuqi
Iljaz Arif Bobaj
Irena Vreto
Ivana Dervishi
Janaq Pani
Jeton Kelmendi
Jonida Neli
Jori Kosti
Julia Gjika
Keze (Kozeta) Zylo
Klarita Selmani
Klito Fundo
Koço Sterjo
Kostaq Duka
Kostaq Mizaku
Kostika Zdruli
Kozeta Zavalani
Kristaq Turtulli
Kujtim Mateli
Lediana Kapaj
Leke Gjoka
Leon.Z.Lekaj
Lida Lazaj
Ligor Shyti
Luan Kalana
Luan Xhuli
Lulzim Logu
Mariklena Nico
Marjeta Çulla
Marjeta Ismailati
Merita Bajraktari Mccormack
Minella Borova
Ndue Hila
Ndue Ukaj
Nexhip Bashllari
Pellumb Cuni
Perparim Hysi
Petraq Kote
Petraq Pali
Petraq Risto
Pilo Zyba
Qazim Muska
Raimonda Moisiu
Rakela Yzeiri (Zoga)
Rexhep Polisi
Roland Beqiraj
Rozi Theohari
Skender Rusi
Tahir Bezhani
Thani Naqo
Theodhoraq Ciko
Vaid Hyzoti
Eshte rritur djali
Dhe yjet
Vangjush Thoma Ziko
Vladimir Toroveci
Vullnet Mato
Ylber Merdani
Ylli Hoxhaj
Zana Hakani
Ziko Kapurani
Perkthime

Vaid Hyzoti

 

 

 

 

 

 

Gushti i emigrantëve

 

 

S’e di pse heziton Presidenti i Republikës,
Përse nuk shpallet në gazetat zyrtare,
Akoma gushtin s’e paskan caktuar
Muajin e Çmalljes Kombëtare?

Ndonëse në porte vijnë më shumë tragete,
Aeroporti-më shumë emigrantë,
Në pikat e kufirit nuk ka ndërprerje…
E prapë gushti nuk shpallet i veçantë.

Vijnë nga gjithë bota me çantat e mallit.
Kollare,kostum kanë bërë kujdes të veshin.
Mos t’u duket lodhja, rrudhat mos t’u duken,
Por mallin, ah mallin, nuk dinë si ta fshehin.

Për të vegjëlit -, një lodër, veshje, çokollata,
Për të rriturit- kuleta pak e fryrë pas një viti.
Një vit nuk është pak, krijon deficite
Për dhimbjen, për mallin që të mban shpirti.

Dikush do të ngejë varrin e babait.
Një tjetër s’erdhi dot në fejesën e motrës.
Ah dhe çatia pikonte nga malli…
Dhe ata punonin çative të botës.

Dikush…o hallet s’kanë të sosur
Dhe malli mbi halle -oh, ç’barrë e madhe!
Si vallë akoma nuk qenka vendosur!


DITELINDJA E GRUAS

Gjithçka e vendosën fëmijët.
Ata e bënë dhe regjisorin.
Mua më lanë aktor rezervë.
Vetë përgatiten dekorin:
Mbushën shtëpinë
Me tollumbace gëzimi
Dhe nënën (gruan time)-
Si gjithnjë-tek gatimi...

Mërziteshin nga ngathtësi e akrepave.
Gjithçka duhej gati në gjashtë pasdite.
Gjashtë ore jemi pas Shqiperisë
Dhe atje së pari niste kjo ditëlindje;
Atëhere duhej shuar qiriri mbi tortë
Dhe ata gëzueshëm të këndonin fort.

Dhe gjashta erdhi-torta u përflak
Një blic mbi të shkruarën shqip dhe anglisht:
"Happy ditëlindjen"-
Kompozim i çuditshëm
Si ne, që në dy vende jetojmë njëkohësisht.
Dhe kënduan me melodinë e njohur.
Gjithçka u mundova ta fiksoja në kamera...
Por dhe syrin s'e ndaja nga gota.
Tavolina plot me pije dhe mezera...


Dhe u shtrova...gjithnjë më të vogla gotat
Edhe pjatat u zbrazën aq shpejt.
Kur nuk munda , kur më mundi ngopja,
U kujtova të uroj-është adet:
"Gëzuar, grua, edhe shumë vjet!'
Ajo qeshi, si të më thoshte:
Prisje të më uroje më parë!
Ah, inati i pijetarit:
"Kam qenë i dehur grua,
Kur vendosa me të marrë!".


PRITJA

Prisja të vdiste një sekondë e më parë.
Ajo frymonte:
Prapë qenka e gjallë!

Ia shihja fytyrën e lemerisur,
Një e çarë thike në zverk,
Njerin sy krejt të buhavitur,
Dorën këputur në aksident,
Fustanin e çjerrë, gjinjtë e mavijosur,
Një thes të linjtë kur e morën peng...
Unë u ktheva korb e doja ta përpija...
Pritja më trembi,-
U bë dordolec!

Kisha ankth se jetonte akoma.
Ku të gjeja një vrasës për të.
S'ishte nevoja të mbaja dietë,
Më ktheu pritja pa peshë e pa zë.
Merrte frymën time për mushkeritë e saj,
Unë-korbi krokitja në hapësirë të vdekur,
Po linte pulsi,
Mbeta i mekur...

Por, s'më le aq gjatë:
"Jam mirë!Të puth zemra ime..."
Pashë pritjen që dha shpirt
Dhe harrova gjithë mundimet...


UNE I NJOH...

Unë i njoh, unë e di
Kush do marrë pjesë në funeralin tim;
Kush do të qajë me lotët e shpirtit,
Cili- veç t'i duket një lot në faqe;
Kush me duf të vërtetë e shfaq mërzitjen;
Cili mërzitjen e ka vetëm shfaqje...

Unë i njoh,unë e di
Cili në funeral do më vijë.
Emërat e tyre i kam si në listë,
Familja, të afërm dhe miq,
Shokë që në jetë e gjerbëm një kafe me qejf,
Të njohur në jetë,
Që kurrë s'patëm mllef.

E di se kush do të vijë i detyruar
Në shlyerje të një nderi, apo lidhje krushqie...
E di se ajo nuk mund të vijë, ndonëse ndjen dhimbje,
Ajo-e fshehta, e përjetshmja në lidhje dashurie.
Ne çastin e fundit ndonjë i hepuar,
Dikush hapin do ta kthejë prapa...
Një hatërmbetje, një ndihmë e padhënë
Dhe ai s'gjeti xhep ku të rrinte falja...

Unë i njoh, e di kush merr pjesë
Se të gjithë me emra "i caktova" sa isha në jetë.
Se njeriu në gjallje nuk bën gjë tjetër,
Vetëm përgatit funeralin e vet...


BUSTI

Ai bust në laboratoret e anatomisë në shkolla,
Qe përdoret për qellime didaktike,
Ku trupi i njeriut është prere më dysh,
Eshtë busti im,
I çare me majë thike!

Aty ku truri duket i korracuar,
I ashpër, guackë, si kurriz breshke,
Ku gjysma e zbuluar është në një hemisfere
E tjetra i përket një tjetër hemisfere...
Eshtë truri im
Në koken e prerë...

Ata damarë të ngjyrosur për tu dalluar,
Që vrapojnë drejt zemrës,fshihen tek barkushet,
Arteriet, venat dhe kapilarët,
Për të dhënë bymimin edhe sesi tkurret...
Eshtë e imja ajo zemër e allçinjtë.
Punon vetëm gjysma,
Veç ajo që s'duket.

Dhe njera dorë e zhveshur nga mishi,
Dhe dora tjetër që vjen e plotë,
Janë të miat,por ju mos provoni
Në secilën prej tyre të vini një orë...
Se njera shkon gjashtë orë para
E po aq shkon tjetra prapa...
Herë 18 orë më vjen dita,
Herë po aq më vjen nata...

Dhe ashti...o i gjithë busti i allcinjtë,
Që keni parë në shkolla, në laboratoret e anatomisë,
Me prerjen klasike vertikale.
Eshtë i imi, më ngjan mua
Dhe gjithë emigrantëve...
Veç ende s'e di pse nuk e lëvizin
Për në departamentin e shkencave sociale..

New York, 2010

 


DALLGE DHE SHKEMB

Deti rreh brigjet e vendlindjes sime,
Brigjet e çdo moshe parreshtur m'i rreh deti.
Mbeta mes tyre i thyer mëdysh.
Herë vij si dallgë,herë copëz bregu.

Herë valëz e qeshur e ranishte e butë,
Herë murrëtyer e plot stuhi.
Një guackë e zbrazur në lojën e ujit,
Herë kep i shkëmbit e s'jepem kurrësesi.

Herë jam i detit, herë jam i bregut,
Herë-urë paqeje,herë-log beteje...
Gjithnjë i pangopur me puthjen e bregut.
Por detin s'e lashë kurrë të më rrëmbejë.


TELEFON I PASMESNATES

Ka një zile të tmerrshme,
Na shungullon aq shumë.
Dhe bie gjithnjë, si tërmetet,
Gjithnjë na gjenë në gjumë.
Sjell një zë të dridhshëm,
Ku je fshehur "...sapo na la!".
Ne s'dimë se ku të vemë,
Jemi aq larg nga "ata".

Përcellon telefon i pasmesnatës,
Si dhimbja
e pacientit ne spital,
Sapo e ze gjumi pas dhimbjeve të thella
Vjen infermierja t'i marrë gjak.
Eshtë zile makabre që nuk harron
Të bjerë në familje emigrantësh,
Tek ne që "...i lamë", lajmërojnë "...na la"
Telefoni i kobshëm i pasmesnatës.


KEPUCET E VAJZES SIME

Këpucët s'janë më të reja, do të blesh të tjera.
Kepucët për mbrëmjen kur nbarove shkollën.
S'e hodhe kutinë.Aty paske stivuar
Fletënderet e shumta, medaljen, diplomën.
I paske lëne mes pakove të shumta,
Të vëna në radhë me rrobat e dimrit.
Nga frika mos t'i harrosh padashur
Në ardhtë shpejt dita e deportimit.

Se fundja nuk ka se ç'të duhen tani
Diploma dhe "Çelësi i Artë" që të dhanë.
Ti s'duhet të punosh (këtë shteti e di),
Me "biografi të keqe" kë nënën dhe babanë.
S'ka gjë se u rrite në Amerikë,
Askush nuk pyet për fakultet e master.
Në një mënyrë tjetër shihen biografitë,
Siç ndodhte në vendin tonë të varfër.

Ne bëmë sa mundëm për diplomën tënde,
U lodhe,bija ime, për ato rezultate.
Gjithë mundin "e fshehe" në një kuti këpucësh
Se si dihet kur të na trokasin pasmesnate...
Dhe të na nisin si kriminelë.
Ndaj gati i kemi kutitë.
Në ato letra janë "këpucët" që të blemë,
"Këpucët" që në jetë do të veshësh çdo ditë.

 


PAS VITESH…

Pas shumë vitesh u shkëmbyem në një web.
Më drodhe me foton,
Në telefon-më çmende me zërin

Dhe...
Më more të tërin!

Facebook

 

Sa keq jam mësuar me thashetheme.
Pa bërë "biografi" nuk rri dot...
Kush e hapi? Pse? Cili fshihet brenda?-
Pyes dhe veten rregjistroj.

Sa zhgënjim-takimi i parë:
Gjithcka e hirtë...
Rregullsi varrezash:
Gri kompiuteri
Dhe "pllaka" për fotografitë;
Dhe statuset,numri i paktë i fjalëve
Sepse me ngjanin si amanete...
Kush është "bosi"?
Ndofta varrëbërës,
Ose agjent i kompanisë së varrezave.

Dhe vendosa emrin shpejt të fshija.
Jam i ri për foto në pllake...
Krejt papritur ne u takuam,
Pas shumë vitesh,
Sa vite larg!

Dhe kompjuteri u kthye në lëndinë.
Ti e vogël-veç 16 vjeçe...
Gjithë jetën unë të kërkova
Dhe s'të hasa...
Të kisha fshehur në vete.

Të kërkova e të gjeta këtu.
S'iki më.
Si mundem të le vetëm?
Se facebook-un e paska krijuar
Ai që të dashurën
E kërkon gjithë jetën


NE METRO S'KA BLICE...

Turistë të uritur
Të zënë
gjithçka,
"Kodakë"-krahëqafë
Kamera të mëdha
E s'kanë të sosur
Blicët në ditë...
Më shumë "të shtëna"
Se në Luftën e Dytë...
Manhatani i qeshur
U rri para syve,
Në ngopje të urisë
Dhe ëndrrës së tyre...

I gjen në çdo rrugë,
Në çdo avenu...
Një blic atje
Një tjetër këtu...
Në muzetë e shumtë,
Në Broduej
shou...
Në shijon Manhatanin
Nga dheu mbulohu..
Në zë rrokaqiejt
Që parfumos vesa...
Në ç'tjetër lartësi
Mund të të ngjitë jeta...

Dhe s'di pse s'kujtohen,
Në metro pse s'vijnë,
Një blic për ne
Me Manhatanin mbi shpinë.
Këtu s'ka parfume,
Kurrë s'bie vesa,
Veç në të rëndomtit
Nga rendja, nga djersa,
Këtu nuk hyn dielli,
S'duhen mjetet e
ngrohjes.
Temperaturë e lartë
Nga duhma e lodhjes.
Dhe trenat vërshojnë
Manhatanit rreth e qark.
Të gjithë mbi supe
E mbajmë nga pak.

E mbajmë mbi supe
Dhe na jep frymë të pakët,
Një çek, si një fryt
Para se të kalbet.
Ushqehemi për vete
Dhe mbajmë fëmijtë.
Teprojnë dhe thërrime
Këtu poshtë për minjtë.

Shkrepin blica Manhatanit,
Fiksojnë më të bukurat...
Bota s'pyet për rrënjët,
Nga pema do frutat...


GJENERAL

Jam gjeneral, mbuluar me flori,
Me gradë e nishane tek xhaketa.
Tegela të artë në pantallona,
Me yje dhe dafina në spaleta.

Ndjek me vemendje luftën e përditshme,
S'ka gajle pse jo në vijë të parë...
Trofetë i marr në çdo fund jave,
Më shpërblejnë mirë me dollarë.

Kam
radio në vend të celularit,
Urdhëroj gjenerale të tjerë të shtabit...
Çdo zë, ankesë e përcjellë në çast
Urgjent me zilen e alarmit...

Urdhëroj një gjeneral nga Bangladeshi
Me leckë të ngjitet tek ashensori,
Se qeni i ëmbël i zonjushës Xhoi
Nuk doli jashtë dhe aty përmorri;

Me vrap e nis një meksikan rronco
Në katin më të lartë tek lënesha...
U bënë dy javë që ditë më ditë
Porosit kunguj dhe kastraveca të freskëta;

Dhe urdhërat e mia zënë vend,
Të gjitha zbatohen me përpikëmëri;
Para banorëve, si rregull bëhem shqerrë,
(Sepse civilët drejtojnë dhe në ushtri).

I shoh zotërinjtë, sa gjatë e mas fjalën,
Krejt i përkorë, i zbutur tërë kujdes...
Në çehre kuptoj se humbin në bursë
Apo fitojnë mirë në bisnes.

Përpara zonjave jam përherë xhentil
Dhe ëmbël, butë koplementoj avash...
Ngaherë s'durojnë, janë tepër nervoze,
Kur janë me...ah,s'e di, është çeshtje
grash...

Vazhdoj betejën pesë ditë të javës,
E ndërpres luftën me dy ditë pushim.
Trofe të njënjtë gjithnjë marr
Një çek për rent dhe ushqim.

Krejt i kënaqur shihem në pasqyrë,
Gëzoj për arin në kapele e spaletë.
Se sot në botë s'është lehtë të dallosh
Në është kallp a flori i vërtetë.
 
GJITHE JETEN....
-Fëmijëve të mi-

Sa erdhët në jetë e kam ndjerë
Se do bëhesha kali juaj, para se të ecnit
E të kalonit nga një kolltuk tek tjetri;
Se do bëhesha ura juaj me konstrukt të dhemshëm

Të kalonit nga njëri
Tek tjetri cep i bregut...

Nuk është se u pendova
E kurrë s'iu mora inat
Kalë dhe urë
Për ju bëhem prapë.
Dhe tani që vete ecni
E kapërceni brigje...
Jam shtojcë e hapit tuaj,
E udhës që shkelni,
Jam në retinën e syrit,
Endërrës që shprehni...

Dhe mbetem urë dhe kalë,
T'iu mbajë gjithë jetën...
Dhe tani në gjallje,
Dhe më pas i vdekur...

Veç ju gjithnjë të ecni
Por kam dhe një merak:
Sa herë mbi mua të shkelni,
Mos përdorni taka
A këpucë me gozhdë-
Se më japin dhembje.
Për ju urë bëj dhe kokallat,
Veç më shkelni me të sheshta,
Kaloni me
atlete...


TE KERKOJ...
"...DHE UNE JAM HUMBES I DASHURISE SE PARE" - Lermontov

Ishte një shi i butë dhe i ëmbël fundmaji
Stinët për t'i ndarë.
Nën vrullin e moshës s'e ndjeva plagën.
S'kuptova se përjetë do isha i vrarë.
S'do përjashtohesha nga soji njerëzor
I humbësve të dashurisë së parë.

Dhe kur kuptova që s'të
zëvendësoja,
Shpalla kërkimin anëmbanë globit.
Tek të gjithë vajzat që më ra të njihja
Veç lipsej një përngjasim i vogël,
Si pak pikaloshe,symbyllur në qeshje dhe
të drejta flokët.

Tek të gjithë vajzat që më ra të njihja
Dhe me ato pak që kam fjetur,
Ty dhe vetëm ty të kam kërkuar.
I shihja me vëmendje
Cilin tipar të kishin vjedhur.

I shihja kur ecnin, si e mbanin çantën,
Pëlqeja kur flokët hekurosnin me dorë.
Se më sillnin vegimin e kodit sekret,
Kodit që ishte vetëm për ne,
Postim i një puthje të fshehtë.

Dhe tek asnjera s'të gjeta të plotë,
Ndaj shpirtin nuk e lëshoi brenga.
Veç t'i më mësove si fshihen thesaret,
Dhe sa e dashur ngaherë është dhembja
Dhembja ku harrohet vetja.

Të kërkoj dhe kur shpresat humba
Me fëmijet përdore u shfaqe papritur...
Ndjeva shkulmimin e detit të ndjenjave,
Kuptova se ende jam i parritur...
Po
zëri...ah iku!Kam lindur i ngjirur...

E njëjta qeshje, i njëjti zë...
Ah, detyrat mëmësore ndaj vajzës dhe djalit...
Asgjë s'ka ndryshuar-jam ende në jete!
Dhe ti dëborë e virgjër, e përjetshme
Që shndrit maje malit...

ME NISE RRUFETE.....

Në fillim-një vetëtimë ngjyrë violet,
Si e dalë nga shtëpi e funeralit...
Por s'durove:i nise rrufetë
Nga kështjelle e Krujes
E nga mali i Dajtit.
Në kala të Ishmit, Durrës, Prezë, Petrelë...
Qielli i tëri
U dogj nga zjarret...
Thierzat e rrufeve më përshkuan venat
Vrullshëm rrodhi gjaku tek damaret...
S'më duheshin më ilaçet për hollim gjaku.
S'më vlenin recetat, doktorët, spitalet..

U shkri qielli dhe pikoi brenda shtepisë sime në Tiranë.
Çohem dhe e gjej në gotë dhe e pi i qetë.
Vendi im më qetëson,
Më çmall mallin e malltë
Qoftë dhe kur këtu larg më nis rrufetë!