Miresevini ne ALBPOEM.COM

Home
About Us
Contact Us
Eva Saliu
Arjan Larashi
Arqile Gjata
Agim Bacelli
Agron Elezi
Albana Lifschin
Aleko Ballauri
Ali Bregu
Alma Papamihali
Antela Vouli (Spaho)
Arjan Kallco
Bardhyl Mezini
Bedri Hoxha
Bledi LLangozi
Bujar Muçaj
Bujar Plloshtani
Daena Alanaj
Diana Seitaj
Dhimiter Pojanaku
Dhimitraq Papando
Dorian Duka
Dorjana Bezat
Elda Kokoneshi
Elion Hyseni
Enkelejda Kondi Masseboeu
Edmond Shallvari
Eduart Sulollari
Fahredin Shehu
Fation Pajo
Fatmir Ceci
Fatmir Terziu
Faton Ratkoceri‏
Fejzulla Duraku
Filip Emanuel
Genc Kastrati
Genti Furxhiu
Gerti Pashaj
Gezim Ashimi
Gjergji Mihallari
Gjeto Turmulaj
Gjon Neçaj
Grigor Jovani
Hysen Cifligu
Hysen Kobellari
Ilir Borova
Iliriana Sulkuqi
Iljaz Arif Bobaj
Irena Vreto
Ivana Dervishi
Janaq Pani
Jeton Kelmendi
Jonida Neli
Jori Kosti
Julia Gjika
Keze (Kozeta) Zylo
Klarita Selmani
Klito Fundo
Kostaq Duka
Kostika Zdruli
Kozeta Zavalani
Kristaq Turtulli
Kujtim Mateli
Leke Gjoka
Leon.Z.Lekaj
Lida Lazaj
Ligor Shyti
Luan Xhuli
Lulzim Logu
Mariklena Nico
Marjeta Çulla
Marjeta Ismailati
Merita Bajraktari Mccormack
Minella Borova
Ndue Hila
Ndue Ukaj
Pellumb Cuni
Perparim Hysi
Petraq Kote
Petraq Pali
Pilo Zyba
Qazim Muska
Raimonda Moisiu
Rakela Yzeiri (Zoga)
Rexhep Polisi
Roland Beqiraj
Rozi Theohari
Skender Rusi
Thani Naqo
Theodhoraq Ciko
Vangjush Thoma Ziko
Vladimir Toroveci
Vullnet Mato
Ylber Merdani
Ylli Hoxhaj
Ziko Kapurani
Perkthime
Ylli Hoxhaj
 
 

Bashkautorësi

 

( kafeja e përcjelljes)

 

“ A mund t’i bënte Zoti tërë krijimet i vetëm”?!...

Tani, në vargjet e fundit të librit tim

            më lindi hija e dyshimit...

Më ndje, o Zot i vërtetë, asnjëherë tjetër,

nuk më ka tunduar kaq mundimi i krijimit.

 

Se, si Zoti dhe Unë, edhe Ti, o njeri i mirë,

Kemi bërë e do të bëjmë krijime përherë:

“Krijoni dhe ju!-na ka thënë Lavdiploti, -

               jini zotër të lirë “.

Pa krijimet njerëzore bota jonë

   do të ishte një hapësirë bosh pa vlerë.

               

Dhe kështu, Bota u përmbyt me kaq krijime,

Si janë dhe sa vlejnë ato, unë nuk mund të flas kot,

E di mirë, s’arrij dot atje lart,

           e, s’është puna ime,

Veç autorësinë e këtyre krijimeve,

           ende s’po e kuptoj dot...

 

Se, i vetëm s’mundet t’i ketë bërë Zoti

           tërë ato krijime me” kurorë”,

Domosdo, do të ketë pasur edhe ai një Zonjë,

                 si zonja ime,

Dhe, natyrshëm, me atë, të dy,

            janë edhe bashkëautorë;

Të dy zotër dhe “mjeshtër të shquar “në krijime.

 

I lodhur e i djersitur nga krijimet e mundimshme                      

                  Zoti, nuk kishte kohë të pinte as ujë:

Zonja Perëndi djersët ia fshinte           

       dhe qiqër i rrinte më këmbë plot përkushtim:

Veç të tjerash, një kafe, a një çaj,...     

                                       dhe supën të ngohtë ia shpinte në punë,

                                       pa pushim, gjer në përfundim.

 

Pastaj Zonja Perëndi, njësoj si zonja ime Shpresë,

I paska thënë:“Mjafton emri i burrit tim zotni.“

I Madhërishmi paska heshtur dhe ndodhi një”harresë”,

Dhe në heshtje, tërë ato që u bënë,

             mbetën me një autorësi.

 

Falmë, o Zot, po unë do të bëj pak ndryshime:

S’mund të harroj e, do ta shpall bashkëautorësinë:

Gjithçka që kemi ne: krijesa dhe krijime

       (natyrisht, edhe në ato pak poezi, )

 Jemi bashkëautorë: Unë dhe Bashkëshortja ime.

Dua të më besoni – që njerzit dhe Ti, Zot

          të mos më quani herezi.

 

 

Tani ç’kisha në zemër, të gjitha ua kam thënë.

Mëkatin e Adamit do ta mbart mbi shpinë:

“...s’mund të rri dot pa Grua e pa Nënë,

Si bir i Adamit do të vazhdoj ta dua Perëndinë. “

 

 

Flasim me Hyjtë

Zërat tuaj vinë nga larg,
Kapërcejnë qiej e yje,
Vinë nga lart si kristalë të thyer,
si mot i ngarkuar...
Zërat tuaj ndihen kaq pranë
të butë,
të ëmbël,
më të njohurit në botë ata janë.
Vinë larg, nga një pikë e globit,
Diku, aty, afër Nord-Polit.

Nga lart,
që nga lashtësitë,
kemi folur vetëm me hyjnitë.

Tani?!...
Ndodhi dhe kjo çudi:
 s’i veçojmë dot këto zëra:
Janë fëmijët që kemi në mërgim,
Apo ata qënkan bërë Hyjni?!
Sytë e një Nëne si retë e shiut:
Mall i përvëluar ata lot;
Sa fjalë na mbetën në fyt,
nuk u thanë,
por, edhe nuk i kapërdimë dot.
Ndodh kështu, vërtet,
Kur me fëmijët e me Hyjtë flet.

 

Pesha e mallit

Jam udhëtar i rrallë me avione
dhe kam emocione:
Shkoj larg, në Veri:
( kohë emigracioni... )
Kaq vjet pa u parë
Me fëmijët e mi.

Kontrollet e rrepta në aeroporte
Matin mbipeshat.
(s’lejojnë mbi njezatat.( 20 kg))
Kontrollorë të akullt:
Nuk e kanë bagazhet e mia superpeshën sot.
Kurrësesi.
Kontrolli juaj është i kotë:
Këtë peshë malli
Askush s’ma peshon?!
Ndoshta,
    po të matej
do të ishte qindra ton,
e, nuk mund ta mbartte dot
asnjë avion.

 

...pranë Dodonës

Çamëri:
Kaq mjegull të kanë hedhur përsipër
e nuk mund të të shoh mirë:
Të kam përballë e copa-copa të gjej:
Një copë këtu e një tjetër andej.
Ç’u bë dielli yt 100 e ca vjet?!...
Në sa copëza u thërmua që çamët e morën me vete?
Kam ardhur të të shoh,
e t’i falem edhe një herë Dodonës për ty.
Plagë e pambyllur që rrjedh
nga zemrat e nga sytë.

Çamëri,
siç mban midhja margaritarin brenda zemrës,
Orakullin e Dodonës ende
brenda zemrës tënde e mban dhe ti.
Ç’thotë Orakulli i famshëm?...
Nuk parashikon më profeci?!
Flijimet që i ke bërë ti vatrës tënde
i kapërcejnë flijimet e Perëndisë.
Ç’bën ai Orakul, pse hesht!!...
Mos edhe ai vetë
    është bërë fli e lakmisë!!
Folë, Orakull i Dodonës!
Çamëria
dëshmitar më hyjnor s’mund të ketë.
Froni i lartë i Baba Tomorrit rron e flet.
E bija e tij, Dodona, ka shekuj që hesht...
Kush arrin të mbyllë gojët e Orakujve,
genin hyjnor s’mund ta ketë.
Folë, Dodonë!
Të iki mjegulla e dielli të ngrohë pjesën e vet.

 

Mos e qortoni më...

Mos e qortoni më, o njerëz Evën e Adamit!
U binda, është pa faj...
Tonelata mëkati padrejtësisht
kot ia kemi veshur asaj?!
Ç’gabim bëri e Mira Evë, më shumë se Unë dhe Ti,
ç’bëri më shumë
edhe nga Ata që këto na i thonë?!
“ E paska mashtruar Djalli “(?!)
Po Ai i mallkuar s’ka tjetër punë...
E thirrje të tilla ka për të na bërë gjithmonë.

Tërë kohën dy pyetje vet-vetin na i kanë trazuar:
Pse qënka faj njerëzor të lakmosh “Mollët e ndaluara!?...
Kush e mbushi Botën me kaq shumë nga këto të bekuara?!...

Mos e qortoni më Evën, nuk është mëkatare, jo.
Më thoni: Pas asaj,
Cila grua,  perëndinë e burrin e saj e deshi, si ajo?!

Eva dhe unë s’jemi më fajtorë për këto “mollë”,
                                                              pas kësaj,
Të tjerët janë të lirë, ta pranojnë,
         apo të vazhdojnë ta bëjnë atë me faj.

                                           

 

 

Ylli Hoxhaj lindi  në Xhanaj të Përmetit më 1942. Shkollën fillore  e bëri në  Mërtinj e uniken në Këlcyrë. Mësimet e mesme i përfundoi në pedagogjiken “Pandeli Sotiri” Gjirokastër. Eshtë diplomuar  në Universitetin e Tiranës, në degën  gjuhë-letërsi. Ka punuar mësues në shkollat e mesme Përmet dhe Këlcyrë dhe për  disa vjet edhe në Kabinetin Pedagogjik të rrethit me detyrën  e metodistit dhe të drejtorit. Ka kualifikimin  pasuniversitar për pedagogji-psikologji. Shkruan poezi, studime letrare, pedagogjike e historike. Eshtë autor i studimit pedagogjiko-sociologjik ”Profile” dhe i vëllimit poetik “Baladë pa mite.” Gjatë këtij viti ka botuar monografine “  Njeriu vlen aq sa i vlen puna që bën ” dhe vëllimin me tregime e novela “Deri te kloni i fjalës.” Është tepër aktiv duke bashkëpunuar me organe të ndryshme të shtypit.

 


 

 

Dhimbje

Në këtë “Shoping Center” *)
pavione pa fund...
Hyjnë e dalin me dhjetra,
e, çdo gjë e gjen këtu:
Nga mini-mini sendet,
deri te supershenca.

Jam midis njerzve që s’reshtin:
Kërkoj,
diçka më mungonte...

Pak Shqipëri, ( të paktën ),
shpirti ma donte.

Vrapoja, midis pavioneve.
Kërkoja...
“ Po ku jemi ne, ku?!”
me vete belbëzoja.
...
Ja dhe pavioni i librave:
Shpresoja tek ky pavion.
I njeh qysh herët shqiptarët Evopa:
Dietarë, shkrimtarë, shenjtorë,...
madje edhe Perandorë...
edhe heronj.
Libra nga gjithë bota shoh:
Ja Ibseni, Balzaku,...me radhë...
Ka shumë:
Disa i njoh, disa jo,
“Po shqiptarët këtu,
        ku janë?!
Ku është Kadareja,
Ku je Dritero?!
Skënderbenë, Shënjtoren Terezë
Këtu s’po i shoh.
Këtë heshtje–harrim,
këtë shurdhim
s’mund ta kuptoja.
Evropa e shurdhët, siç ka qënë në mote.
Shqipëria, bijë e saj e braktisur,
ende, e harruar, e lënë jashtë porte...
Flisja shqip:
Ata që më rrethonin,
Gjuhën time nuk e kuptonin dot.
Dhe dëgjonin.
Dëgjonin e shihnin:
Mbi faqen time shkisnin edhe dy pika lot.

*qendër tregëtare  (nga cikli: “Vargje që u shkruan në Pol”
Norvegji, Kristiansand, korrik 2003

 

... S’m’u ndave

( Bajames së Kutalit që lulëzonte
në muajin shkurt. Ajo ka vite që ka vdekur.)

Bajame që i shfaqes botës me lule të bardha,
Kur mbi degëza copëza bore, ende ke:
Ç’bën kështu?!
Ti e para!
Shoqet e tua, ku i le?!
Ato dridhen nga thëllimet e fundshkurtit,
ti çel lule, moj bajame!
Vini të dy me bardhësi:
Shkurti me dëborë, ti me lulësi.
Kjo lulësia e bardhësia jote shkrepëtit,
i hap sytë botës, që dremit.
Në portat e zemrave tona pranvera troket,
“ Erdha, -thotë ajo, -erdha shpejt!”

Bajame, moj që kaq shpejt lulëzon,
Më gëzon, më mundon, më tundon.

Ky lulëzim i beftë, puthjet e zemrave ndez,
Ndonëse tërë ajo lulësi, shkrin e me borën vdes.

S’arrite kurrë të bëhesh nënë,
Veç ca ditë nuse:
Nuse, që merr nga të gjithë,
( jo vetëm nga çapkënët ),
mijëra e mijëra përqafime e puthje.
Bajame, që s’e ndjeve një herë mëmësinë,
Përherë mbete një adoleshente e pabindur,
Që e para shkopsit gjoksin
       e i shfaq botës bardhësinë.

Kush ta ndezi këtë shpirt lulëzimi?!
Dashuria, bukuria, apo padurimi?!
Apo do që e para të shfaqesh,
si nuse e re
e kurrë të mos plakesh?!
Poshtë fshatit,
     ndanë rrugës së madhe,
Tërë jetën s’të ndava e s’më ndave.

* alegorikisht, bajamja  shpreh marëdheniet e autorit me poezinë.


Jati?! = Përse?!

* ( Për t’iu përgjigjur Frosinës )

Ke më shumë se dyqind vjet që na pyet,
Ke më shumë se dyqind vjet që thërret:
“ Jati, jati?! “-klithma jote-...
Përse, o njerëz!?...
Përgjigjen nga ju e pres:
Çfarë i paskam bërë kësaj bote,
Përse, duhet të vdes?!... “

Ti u mbyte në Gjol, -legjenda tregonte:
Pashai u përlot e iu fal atij vendi, i pikëlluar:
Hiret e tua dhe bukuria të shënjtëronte,
E këtë humbje, me tërë humbjet Ai e pat peshuar.
Si mund t’i mbyteshin kështu thesaret Vezirit?!
Mjekërra e badhë i dridhej
           prej dhimbjes,
           prej tërbimit.

“Këtu, të hidhni njëqind thasë me sheqer:
të ëmbëlsohet vendi,
       e Bota Asaj t’i bëjnë nder!...”

Kështu ikët të dy, pa shumë fjalë, moj Frosinë,
Ti me hiret e me bukurinë,
Ai, me egërisinë e me madhështinë...
Dhe hytë në legjendën e dhimbjes të dy:
Ai Pasha i Janinës,
       Ti, hyjni e virtytit,
         e kryebukuri.
Ke më shumë se dyqind vjet
        që na pyet, e na pyet:
Po kush e di përgjigjen tënde, vërtet?!

Nuk ta kthejmë dot përgjigjen, jo,
 moj Frosinë.
Ti vazhdon e pyet:”përse e përse?”
Po ju jini larg e çdo gjë mbeti enigmë:
Aliu –bubullimë e vetëtimë,
Ti,
mbështjellë, me bardhësi lart, mbi një re.
........
Buzë Gjolit,
      në mermer klithma jote:
             “jati!?”...
Shpirtrat e njerzve i trazon si një magji.

Vjen e do të shkojë ajo në tërë breza që vinë.
Kush do të ta japë përgjigjen, s’e dimë...
Mos të vrau Bukuria, o motra Frosinë?!..                                                     

 

* Frosina nuk iu bind Aliut dhe u mbyt në Liqenin e Janinës.Te ai vend, në breg të Liqenit, është përjetuat figura e saj në një vepër arti. Ajo nxjerr dorën nga ujërat dhe shkruan mbi mermer:  ”j a t i ?!”= përse?”