Ziko Ll. Kapurani

KONSTANDIN KAVAFI
(1863-1932)
NJE I MOSHUAR
Në një cak të kafenesë, i mënjanuar ,
Përkulur mbi tavolinë rri një i moshuar,
Me një gazetë para syve, pa shoqëri.
Mes mjerimit të përçmuar që ze pleqtë
Shkon nëpër mënd se sa pak gëzoi jetën
Kur kish dhe forcë dhe fjalë dhe bukuri.
E di që u mplak, e ndjen, e prek, e sheh,
Dhe sakaq ato vite si të ishin dje i ze.
Ç’ hapësirë e vogël, ç’ hapësirë e vogël
Dhe i nënqesh besimi si e tallte në vite
Dhe si i besonte gjithnjë asaj lajthitje,
Gënjeshtares që i thosh:” Nesër, ke kohë!”
Kujton vrullet ku mbështetej , gazi i tyre,
Të paditurën e njohjes në ato vrulle
Dhe çdo çast i humbur me ironi e nget.
Nga të menduarit e shumtë dhe kujtimet,
Plaku u përhumb dhe u palos në dremitje
Mbi tavolinën e fundit të kafenësë në cep.
KOSTIS PALLAMAS
(1859-1943)
NJE UDHETIM
Më shtërngon derti si lak në grykë
Dhe në zemër më kafshon si gjarpër
Një udhë dua të çuditshme, të largët,
Një udhëtim pa fund, të mugët.
Nuk dua hapin dalengadalë të ngas,
Nuk dua asgjëkundi të ndal dhe kurrë
Shpirt të mos gjej e botë për rrëmujë
Botë të verbër, të shurdhët më pas.
Të ndjej rreth meje sheshe të vetmuar,
Shtëpi të mbyllura, oxhaqe mbuluar hi
Lart mos ndritë as dhe një yll , as kaltësi
Dhe poshtë mos ndritë asnjë grua.
E, në u gjença në një të tillë udhëtim
Shkretëtirës pafund në vend të panjohur,
Nuk do kem më tepër tmerr e të lodhur,
Se sa prej teje të humbas, Dashuri !
SHIKIMI I FUNDIT I NENES
Kur e cfilitur linte botën nëna ime e mirë
Para saj zog i vogël, i trisht’ i bie në gjunjë.
Vdekja frymën kur i rrufiste pa mëshirë
Me shikimin e fundit se ç’kërkon tek unë.
Nuk e linte t’i shuhej si dritë kandili vonë,
Para se të gjejë fole të ngjashme me të saj
Në kandil tjetër të çonte flakën e ngrohtë
Dhe në syt’ e mi shikimin e fundit la pastaj.
Qysh atëhere çka shoh e çka rrugës takoj,
Në çdo hap që hedh, kalimtarë të mundit
Si nëna do t’i përqaoj dhe do t’i dashuroj,
Se është në sytë e mi shikimi i saj i fundit.
LORENXOS MAVILIS
(1860-1912)
UJI
Zbret uji curilë
prej shkëmbit sipër,
lëshon tingullin e kristalit
dhe tek ngadalë rrjedh
loti del
si radhët mbi pllakën e varrit.
ULLIRI
(sonetë)
Trungut tënd folezë i ndërtoi bleta
Ulli i vjetër, që mpakesh në dremitje,
Të përkul akoma poshtë pak jeshile
Si të dojë të të përcjellë nga jeta.
Dhe çdo zog në dehje krejt harlisur
Të ulet duke pirë magji gjirit tënd
Në degën që tani nuk ka më krënd,
Në degën nga stinët krejt braktisur.
Sa fort do të të ëmbëlsojnë në vdekje
Bukuritë e fundit që syve të treten
Që të shpien e të sjellin në ato kohra.
Ato nure që të shtohen ty përbrenda
Eh, sikur të mudnin kështu u kish ënda
Dhe të tjerëve të shpirtit tënd simotra.
IOANIS POLEMIS
(1862-1924)
KATERVARGJESHE
Nuk e dua të jetë nur që magjeps
Ajo që fati të më japë po rend,
Më pëlqen bukuria e saj kur flet,
Dhe bukuria e saj që më tremb.
MUZIKA
Nga goja e shënjtorëve ajo vjedhur,
Në tokë qiellin sjell për ta kujtuar,
Ngjet për një çast det shkumbëhedhur,
Për një çast dallgë përmi rërë shuar.
Dallgë atje guximshëm hapen, përzihen,
Rrathë dhe gjëmba, plot zogj dhe egërsi,
Dhe me zemër udhëtoj unë n’ ato dridhje
Dhe nga veriu prapë hapem mbi veri.
Aq vende të reja ndesh në sytë e saj
Nëpër ëndra të vjetra të shpie përsëri,
Dashuri të shpërndara mbledh ndërkaq,,
Gaz e trishte, dhimbje e puthje gjithsesi.
Nga goja e shënjtorëve ajo rrëmbehet
Bukuri të reja bukurisë t’i shtojë,
Prandaj në gojë duhet të të mbetet,
Prandaj në gojë duhet të të rrojë.
Përktheu nga origjinali Ziko Ll. Kapurani
PANAJOTIS ARGJIROPULLOS
I takon brezit të ri të poezisë greke, duke e përfaqësur atë denjësisht. Eshtë filolog, kritik letrar, autor i disa vëllimeve poetike. Ka mbrojtur titullin “master” me komentin analitik të krijimeve të poetëve emigrantë shqiptarë në Greqi.
AG NE PILO
Shpirti
të shikon lindjen
dhe trupi
të kthehet në perëndim.
Shtrirja e madhe e hapit
të fatit tonë.
NE SHKEMBINJTE E PILOS
Ujrat dhe toka
gjithmonë kishin mosmarrëveshje.
Ndaj dallga shpesh
shpërthen mbi shkëmbinj.
NGATERRESE
U ngatërruan puntorët
në pemëtoren e ullishtes.
Nuk dinë kur godasin me shkop,
nuk dinë kur
me rrezet e diellit godasin.
DALLGA DHE QYTETI
“Të pështyj”,
i thotë dallga
dhe çahet mbi ‘të.
Duket qyteti
ish marrë sysh.
MESINIA MALORE
Veçim eremiti
në një vënd të kyçur.
Buzëqeshja
del nga vrima e çelsit.
Përktheu nga origjinali Ziko Ll. Kapurani