ZOGU I STUHIVE
Kur isha gjashtë vjeç dilja këmbëzbathur,
te pragu i shtëpisë përdhese buzë detit.
Ditë me radhë një zgalem krahëhapur,
më vërtitej përqark si balona rreth perit.
Më ftonte të fluturonim përtej horizontit,
mes reve e dallgëve ku vezullonte kaltërsia.
Pastaj, çuditërisht, më hyri brenda gjoksit
dhe rrihte krahët fort mes brinjëve të mia.
Atëherë gjithçka në trup m’u bë fluturuese,
krahët papritmas më morën fuqi reaktive,
zemra më rrihte me dallgë shkumëzuese,
sepse kisha brenda vetes zogun e stuhive.
Por koha e kuqe më prangosi atin pa faj
dhe më vuri përballë kafaze për kufizime.
Me shënjestrën e çiftes së gjahtarëve të saj,
më përgjonte tinëz pasionin për fluturime.
Më detyronte krahët si pulat t’i shtrëngoja,
të duroja breshrin bujtës në lëkurën time,
ushqimin e peshkut me lëpjetë ta ndërroja,
të më vdiste brenda vetes zogu i stuhive.
U deha me lotët e nënës dhe ika hapësirave,
zogun të shpëtoja nëpër errësirat e pyllit,
duke mësuar nga instinktet e egërsirave,
dinakërinë e fshehjes nga drita e diellit.
Aty një mëllenjë në fluturimin rastësisht,
më çukiti zemrën fort me sqep vajzërie.
E fsheha te strofka mes pyllit me ahishtë,
sepse kisha brenda vetes zogun e stuhive.
Gjatë ndëshkimit për shpirtin tim fluturak,
zvarrita krahët nëpër baltëra vështirësie,
por njoha skutat më të errëta për almanak,
me skenat e plota të atij ferri marrëzie.
Kur energjia reaktive të më shuhet tërësisht,
krahët do m’i rimarrin zgalemët e kaltërsive,
fluturimin e penguar të vazhdoj përjetësisht,
sepse kisha brenda vetes zogun e stuhive.
VJESHTA E SIVJETME
Vjeshta e sivjetme me gjinj portokalli,
dhe me buzët e fiqta të çara nga etja,
më prishi mendjen, aq sa nga halli,
filloi të më duket i marrosur vetja.
Më ndjell nëpër hije, më huton me joshje,
më mbështjell me vile rrushi në vreshta,
më deh me mushtin e verës majhoshe,
më puth me afshe të zjarrta nën dega.
Ndërron njërin pas tjetrit fustanet me ngjyra,
më flakëron sytë me gjethishte të kuqërreme,
më eksiton, më nxeh, më zhvesh në të linjta,
më drogon me lëngje mes kofshëve të pemëve.
Asnjë bukuri gruaje nuk më ka grishur,
sa kjo vjeshtë e ndezur nga vapa afrikane.
Thonë se si unë dhe të tjerë mendjeprishur,
ka bërë për në çmendinë kjo vjeshtë jarane...
KU I KEMI HERONJTË E SOTËM
Ku janë guximtarët e bëmave të mëdha heroike?
Ku i kemi heronjtë e sotëm të vetëflijimit fitimtar?
Flenë moteleve me dashnore e kurvicka histerike,
pinë “Viagra” dhe injektojnë “Heroinë” në damarë.
Mbushin faqet e shtypit dhe ekranet me ngjyra
disa prototipa të rëndomtë të llojit “Big Bradhër”,
që kacafyten tre muaj dhe bëjnë tualet në pasqyra,
për të fituar miliona duke puthur vajzat e radhës.
Palosin lojëra fjalësh në mikrofona opinionesh,
oratorët që shfaqen njëmijë herë në njëmijë ditë.
Mohojnë me nihilizëm bëmat pozitive të çdo kohe,
dhe pompojnë pareshtur të paaftët për “mrekullitë”.
Nderohet kush zotëron mirë mjeshtërinë e shpifjes,
kush zbraz për rivalët helm më të fortë se gjarpri.
Kamera spiune peshkon heronj video-përgjimesh
dhe hajduti milioner del nga lypsarët më i varfri.
Çmohet kush pa turp i rrëshqet moralit të elitës,
kush durimin njerëzve ua shkërmoq me daltë.
Ngrihet lart në qiellin ashiqare të mesditës,
kryevepra e atij që shkel ligjin, sa e bën baltë.
Quhet kryetrim ai që përdor lirinë si pronën e vet,
dhe nga milli i rebelimit të gjakut nxjerr shpatën;
sulmon të drejtën e të tjerëve egërsisht dhe godet,
duke plagosur rëndë kushtetutën dhe gjykatën.
Mendjehollët më të mprehtë po dalin gënjeshtarët,
që shpikin shfajësime duke pasur dështimin kalikiçi,
që fshehin si disa gra jastëkun te barku i barrës,
dhe në përfundim pjellin hiçin nga mitra e hiçit.
Ku janë guximtarët e bëmave të mëdha heroike?
Ku i kemi heronjtë e sotëm të vetëflijimit fitimtar?
Flenë moteleve me dashnore e kurvicka histerike,
pinë “Viagra” dhe injektojnë “Heroinë” në damarë.
FJALA E THJESHTË ÇOBAN
Fjala çoban duket më e thjeshta e fjalëve,
por mbart kuptimin e një rrapi madhështor,
se mbulon relievin e fushave dhe maleve,
ku tingëllojnë pareshtur zile dhe këmborë.
Nën hijen e këtij rrapi ndrit hëna e plotë,
mugullon bari i njomë, tërfili shtrin fletët,
mërzejnë vapës tufat me dele, dhi e lopë,
ulen për të shkruar vjersha baritore poetët.
Te fjala çoban tjerr qielli shtëllunga reje,
shiu thur litarë dhe breshri lidh kokrra,
era i bie fyellit me oshtima rrufeje,
bora shtron qilimin e bardhë mbi kodra.
Të kjo fjalë lehin qentë në gjurmët e arinjve,
ujqërit skërmiten fshehtas në korije të largëta.
Teksa kovat mbushen me currilat e gjinjve,
baresha ngroh gjoksin me puthje të zjarrta.
Te kjo fjalë gërshëra pret stofin e leshtë,
dhe kostumi i dhëndrit gatit dasmat e vitit.
Në baxho stanesh ngrin qumështi i nxehtë,
për fuçitë e djathit me dru të fortë prej lisit.
Te kjo fjalë e lashtë ku koha nuk ia di largësinë,
nëna pret sisën dhe vogëlushin merr përdore.
Njeriu mban kafshën dhe kafsha mban njerinë,
duke lidhur mes tyre bashkëjetesën tokësore.
Se qëkur hëngri mish e shtrydhi gjinj për të pirë,
njerëzimi bëri bagëtitë ushqim kryesor të botës.
Ujku u shpall armiku i përjetshëm, egërsirë,
dhe çobani u bë lartmadhëria absolut i kullotës.
BUKUROSHJA QË MA BËN ME SY
I falem fatit të parë që më dha fatmirësia,
për të lindur në Sarandën e bukurisë së shenjtë,
ku u mblodhën dyzet shenjtorë nga gjithësia
dhe i vunë emrin përjetësues të shifrës dyzet.
Ashiku dell që i sillet kësaj bukuroshje përqark,
dremit gjithë vitin mbi shkallët e saj harkore
dhe në udhën e dashurisë së tij të zjarrtë.
ka fiksuar këtu më të ndritshmen lakore.
Këtu mblidhen kureshtarët e të gjitha viseve
të sodisin këtë perri që i tërheq si magnet
dhe tre muajt e artë të gjithë mesviteve,
Saranda e flladeve jugore bëhet kryeqytet.
Këtu autobusët luksoz flenë bashkë me tragetet
të radhitur si dallëndyshet mbi telat e telefonit,
pasi kanë sjellë nga larg malet dhe detet,
të pushojnë në vargun e hoteleve si dallgët e Jonit.
Këtu vajzat dalin nga shkumëzimet e valëve
me belin hollak si bishti luhatës i peshkut,
me bukurinë e magjishme të sirenave detare,
dhe me joshjen gazmore që u jep fresku.
Këtu djemtë çapkënë me lëkurën çokollatë
çmenden për vajzat e ardhura nga Veriu,
dhe u zbresin përtokë hënën në mesnatë
dhe u nxjerrin nga deti oktapodhin me sy njeriu.
Këtu yjet e pjekur bien nga vreshtat e hënës
dhe i presin detarët në rrjetat e peshkimit.
Këtu horizontet të presin me dashurinë e nënës
dhe të dhurojnë portokallin e kuq të perëndimit.
Saranda kurdoherë lëvrin brenda damarëve të mi
dhe unë marr impulse nga zemra e saj e madhe,
nga kjo bukuroshesykaltër që ma bën me sy,
sa zbres hundën e Gjashtës nën dy vetulla malesh.
GJYSHJA PËR BIJËN E SHEJTANIT
Gjyshja pa dhëmbë në gojën e madhe,
qeshte dhe me ledha më quante keç.
Nëna e nënës, jetëgjata me tumane,
qeshi plot nëntëdhjetë e tetë vjeç.
Si ajo plakë gazmore dhe kapedane,
në jetën time nuk më deshi askush.
Më lëmonte kokën e nxirrte bajame,
nga xhepat e tumaneve të fryrë kaush.
Bir i gjyshes të bëhesh djalë i mirë,
mos puthësh kurrë “Bijën e shejtanit”,
si ai dajua i madh që na vjen i pirë,
me atë të flamosur nga degët e manit.
Dajua sarhosh s’më pëlqente as mua,
ndonëse më jepte të thyeja bajame.
Se kur vinte me këmbët i penguar,
kundërmonte të puthura era shejtane.
Kur arrita vetë moshën e pjekurisë,
u bërë kureshtar si ishte ajo dreqe.
Putha buzët e saj te gota e rakisë,
bija e shejtanit s’mu duk aq e keqe..
.
Dhe në dasmën e motrës, çakërrqejf
i thashë gjyshes para shishes me verë:
Putha bijën e shejtanit sa u bëra dreq!
Ajo qeshi atë ditë më fort se çdo herë...