Kepucet e Imelda Markos dhe ...te miat.
(Kronikat thone që "princeshes" Imeldë iu gjenden 3000 palë këpucë ..)
Dikur në Tirane të vetmeve këpucë
u merrja shpirtin nga e hena tek e shtuna
Të dielen, të mjerat prisnin në radhe
tek këpucari t'u qepte gojën, ndërsa une
Hirushja këmbëzbathur nëpër shtëpi
lutesha që në mbremje, në shëtitjen e madhe
ne bulevard, ku djemtë e vajzat binin në dashuri
të kullonte pambarim shi, shi, shi.
Shokët
Shokët nuk janë ata që nxjerrin me vrap çadrat,
kur dredharaket re te hirta, mblidhen në qiell.
Nuk janë ata që nuk dallojnë miellin nga krundet,
shokët janë ata që mendimi për ty s'u lëkundet.
Shokët jane ata që na njohin, jo ata që na mburrin.
Shokët janë ata që supeve pluhurin na shkundin!
Prill 24/08
Zbulimi i Kolombit
Zbulimi i Kolombit
nuk qe gjë fare
para zbulimit që bëmë ne të dy:
si dy anije, në ujrat e njëri tjetrit
ishim endur ndër vjete
kaq larg dhe kaq pranë të panjohur ende!
Kur ti hesht.
Kur ti hesht,
diçka ka ndodhur.
Ti hesht, për të mos folur.
Heshtja nuk është gjithnjë
shenjë urtësie,
mornica më jep në trup,
më rrëngjeth të tërën
si grackë tradhëtie.
Nënokja
Eh moj e ëmbëla nënokja ime,
ke lidhur duart e rri menduar
vështrimin hedhur përtej dritares,
e di c'mendon, e di se c'bluan
Dëborë e bardhë në grackë të zuri
qëkurse ke ardhur, e më s'tu nda,
c'dëborë rënka këtu, moj bijë
Po këtu tek ju qënka hata!?!
Mbeskat cicërojnë në telefon
Na mori malli o nëna, ku je?
Ti ditët me gishtrinj u numëron
Ja erdhi nëna o shpirt atje.
Ditët e kthimit numëroj edhe unë,
si do më ikësh kaq shpejt kështu?
Kaq pak do rrish o nënë me mua,
pangopur më lë nga "xhanet" e tua
Kokën në prehër më merr si atëherë,
Djal i nënës - ty të ka nëna trime,
për ty jam e qetë, me ty u cmalla,
Në Tiranë më presin Xhulia, Ana..
Janar 2001, Bruklin, NY
Dhimbje dhe mall
(Emocione nga vizita ime e parë në Kosovë)
Sot bulevardi i rinisë sime tiranase
me rrugët e tua Prishtinë u shkri e u bë një
E tronditur në mes pranverës së dubluar,
shpirti mall e lot mbi faqe për ty derdhtë.
Kuptova se aq gjatë sa unë Prishtinën,
ju o vëllezër Tiranën time ëndërruat!
Një mollë ndahet në mes për dashuri, një pjeshkë po ashtu,
por një atdhe për dashuri nuk ndahet në mes, kurrsesi!
Damarët e gjakut na i prenë vëllëzër, damarët e jetës
në fasha mbështjellë i kemi mbajtur, gjaku të mos na ikë,
të mos na prishet, të fikët të mos na bjerë, në tokë të mos biem,
dhe në gjunjë të mos biem gjithashtu..
S'e ndjeva mungesën tënde në Prishtinë, Tiranë,
çfarë ndjeva ishte dhimbje dhe mall...
Luleshqerat në Williamsburg
Uaa!
Se dija që mbrëmë
kisha rënë të flija në një hotel
të rrethuar me luleshqera.
Lulet e fëmijërisë sime.
Të kujtohet?
Mbushnim dikur prehërin me to
I bënim kurorë, i vinim mbi flokë
sa herë që çelte pranvera.
Pastaj guisnim, qeshnim, gëzonim
të çkujdesura kodrës poshtë vraponim
ndërsa fustanet na i merrte era.
Uaa!
Nuk e dija që në Williamsburg (colonial)
do gjeja kaq luleshqera!Lulet e rinisë sime.
Të kujtohet?
U këpusja petalet: më do s'më do, më do s'më do..
tek ngjiteshim nga kodrat pasditeve vonë
Ti qeshje: Pse s'e nis në të kundërt,
Të të dua përgjithmonë?
Çudi!
Nuk e prisja të zgjohesha sot
Në këtë vend të huaj, në Williamsburg
e rrethuar me luleshqera,
Ndjeva si erdhi tek unë, edhe një herë mrekullisht
Pranvera!