Zonja me kapele
U mblodhëm prapë në qoshen tonë,
Atje, ne shkojmë çdo të dielë.
Po sot nuk ishte si gjithmonë,
Mungonte zonja me kapelë.
Të gjithë pyesim ku është vallë?
Ajo që tinëz na vështronte.
Ajo që qeshte me çdo djalë,
Dhe gratë të gjitha i përçmonte.
Me njëri – tjetrin kuvendonim,
Dhe orët iknin pa u ndjerë.
Po s’dinim kë të dashuronim,
Mungonte zonja me kapelë.
Kur dolëm jashtë kish rënë nata,
Dhe hëna syrin kishte çelë.
Një plak na qeshte që nga prapa,
Në krah kish zonjën me kapelë.
Edgar Allan Poe dhe “Korbi”
Thonë që një korb hijerëndë,
Nga dhelpra e pabesë u mashtrua.
Po përse ky djall me pendë,
U shfaq kaq i padjallëzuar?
Poeti thotë që hija e tij e zezë,
Gjëmë sjell në botën e pabesë.
Atëherë përse mbi bust duhet të gërhasë,
Korbi që s’di të hajë një copë djathë?
Korbi dhe dhelpra na kujtojnë,
Se zia është e madhe gjëmë.
Po diçka tjetër nuk duhet të harrojmë,
Që pabesia është më e rëndë.
Poeti e quajti korbin, simbol të zisë,
Po më i zi është simboli i pabesise
Floku i debores
Mbrëmja ra në qytetin e bukur,
Filluan të duken dritat gazmore.
Në heshtjen e bardhë, çdo gjë përhumbur,
Vështron se si vjen, një flok dëbore.
Ai po sjell bardhësinë e parë,
Që shpejt do mbulojë qytetin e dashur.
Dhe shpirti do ndihet më tepër i bardhë,
Dhe ëndrra do marrë ngjyrë të kaltër.
Nëse një lule pranverën sjell,
Një flok dëbore si lule do jetë.
Në ëndje pranvere shpirtin mbështjell,
Në heshtjen e bardhë qyteti merr jetë.
Dhimbja dhe guri
Guri po hakmerrej
Mikelanxhelo
Në zemrën e gurit godiste pareshtur,
Ai pranonte ndëshkimin pa fjalë.
Goditja e bënte gurin të heshtur,
Apo dhimbjen shpërfillte shpirti krenar?
Godiste, godiste dhe guri coptohej,
Një qëshje e egër filloi të dukej.
Guri durronte njeriu tmerrohej,
Dhe qeshja e gurtë në hapësirë sulej.
Pranvera në Korçë
Po vjen pranvera si pa u ndjerë,
Qyteti hodhi, mantelin e blertë.
Ajri tashmë është më i lehtë,
Në pemë burbuqe dhe ndonjë fletë.
Një zog këndon, akoma i ndrojtur,
Po cicërimat shtohen çdo ditë.
Dëbora në male, është e pamposhtur,
Po mbrëmjet kanë, më shumë dritë.
Një vajzë dritaren e hap me gëzim,
Afrohet më shumë drita e diellit.
Një këngë dëgjohet diku, në agim.
Korça ka marrë ngjyrën e qiellit.
(Korce, 2007)