 .
A duam vërtet?
A duam të jetojmë,
Kur në humnerën e ferrit gjakun tonë derdhim, kur vrasim dashurinë dhe si statuja nderojmë skeletin!
A duam të jetojmë,
Kur mëngjeset mbysim dhunshën në orgjinë e natës së nëndheshme dhe lëmë mbi ne të fryjë era e shpirtit primitiv!
A duam të jetojmë,
A duam të jetojmë vërtet, ndërsa lakmia e pafund jehonën mbyt në terr? Përgjigjia po pret atjeeee
Mall
Eshtë e çuditshme ndoshta, por s’është asgjë e largët, nuk është asgjë e vjetër, dhe s’është as vend as emër.
Eshtë pasqyrimi që luan me mua, kush u jep dritë ndjenjave të mia, është malli për buzëqeshjen time të harruar edhe pse kaq pranë..,
por përsëri s’e kam.
Pafundësi
Jemi të vonuar në mbretërinë e yjeve, apo nxitojmë mbi hipotezat dhe iluzionet tona? Jemi ku besojmë dhe duam të jemi, apo shtyhemi pa kuptuar kush është e jona?
Pavarësisht nga kjo,do të gjejmë më shumë nga ç’kemi dhe do të jemi ç’farë s’mundëm të kuptojmë!
Do të nxitojmë ta kapim,në pafundësi…..
| Ka lindur në Korçë, njëri prej qyteteve më të shquar, për vlerat njerëzore, kulturore dhe artistike.U rrit në një familje me ndjenjë të thellë atdhedashurie..Librat do të mbeten bashkëudhëtarët e saja të përhershme.Në fillim të viteve 90-të,u vendos me familjen në Chicago(Illinois),ku banon edhe sot. Përjetimet e një emigrimi të vështirë,do të linin tek ajo gjurmët e veta. Mbi këtë sfond dhe shumë larg dashurisë se saj të përhershme për vlerat që kishte lënë pas, morën formë librat;”Pafajësia e Largimit”,një përmbledhje me poezi dhe prozë të shkurtër, më pas dy novelat,”Në krahët e një ëndrre” dhe “Ishulli i palmave” e së fundi, novela”Hija e vetes”.
Vetëm në mendjen time
M’u duk se dëgjova melodinë e dashur mbi udhën e shkretë,nëpër pyllin e errët! Shtrihet para meje bardhësia pa fund ndërsa trungjet të ngrirë,brenda saj flenë.
Këmbët po më çojnë andej ku unë them jo dhe nuk di,kujt i kundërvihen,kujt? Po luftojnë me mua,me erën apo ndjenjën?
Me asnjërën prej tyre m’u përgjigjën tingujt. Ato po ndjekin këngën!
Ashtu më gjeti dielli mbi udhën e bardhë, nëpër pyllin e ngrirë,ngrohur nga një ëndërr.
Kujtova Lejlekët
Shtegëtonin larg,për t’u kthyer sërish lajmëtarë të stinës së ngrohtë atje,tek foleja e vjetër mbi kulmin e shtëpisë. E njihnim njëri tjetrin dhe prisnim, përshëndetjen e heshtur,pas fjalëve të dimrit.
Kam vite pa i parë, por i kujtova sot, kur mbi ngrehinën e re fluturoi gjatë një zog.
Kush ishte heroi
Pyeta veten heshtur,para një bashkësie shkronjash të arta, që formëzonin përjetësine e mijëra emrave
Mbi ftohtësinë e një mermeri të zi Mbi shfajësimin e vonuar të pavlerë Mbi firmën e bukur të një koloneli Mbi krenarinë e shkelur të një presidenti
Mbi buzëqeshjen e ngrirë në sytë e fëmijëve Mbi dashuritë e vrara netëve Mbi idealet pa zot,mbi urrejtjen dhe vdekjen Mbi misterin e së djeshmes Mbi frikën e së nesërmes Mbi besimin e çmendur,tek lavdia e një beteje.
Kishin humbur të gjithë Në një fitore imagjinare.
|