ZOGU BËHET POET
Po t’iu them se Korça është një gjurmë dreri,
do t’më besonit, vallë ?!
- Përrallat mënjanë, leri ! – do t’më thoshit,
Duke më parë me inat, si të marrë.
Paçka se e kam seriozisht, unë i mjeri …
A nuk e dini ju, miq të dashur,
që pinin ujë nënat tona,
në atë gjurmë, si në postaf;
dhe zbukuroheshin pastaj, si amazona
mbi gjunjët e Moravës lëkurëkaf ?!
Dikur na lindnin ne, Zogj të gëzimit,
që ndryshe nga të tjerët, qeshnim që në djep ...
Kur bota – buçe pjell ujq prej frymëzimit,
Korça nënoke flamur për paqe qep.
Si zogj të etur, ne pijmë në këtë gjurmë,
çukthin e ngrejmë, shikojmë diellin.
Lëmshi i zjarrtë na duket si një hurmë,
me “ciu-ciu!” kudo duam ta mbjellim.
Mos prit të kthehet zogu në drenushë,
ai ngreh karhët dhe kridhet nëpër qiell;
hija e tij si pikë bie mbi det,
është bërë poet.
Dhe prapë kthehet tek qyteti im,
Postjer fjalësh magjike, lot mes vesës,
Letërkëmbyes i shpirtrave,
Letërprurës i shpresës.
Mesim kimie
Ndërtimi i lëndës;
Hidrogjeni- element i parë;
Ari- element i 79-të,
Këtu i hyn krimbi botës mbarë ...
U r a n i –
Element i 92-të, i fundit;
pas tij nis shkatërrimi i gjithësisë,
i Lindjes, Perëndimit, Jugut, Veriut ...
Përse u dashkan zbuluar elementë të tjerë,
O shkencëtarë të mjerë !?
Hej, zbuloni Dashurinë,
elementin selitur brenda Zotit,
brenda Njeriut !
PAK MISËRNIKE HËNE
Dëbora zbardh gjithë botën,
sundon kudo, si një Tirane;
Lart, në qiell, rri pezull, si e ngrirë
Hëna migjeniane
me fytyrën veremlie.
Kush ka uri në këtë natë magjike,
le të ngopet me bardhësi;
ai që ka pakëz shpresë, qan nën zë: Oji, oji !
E kush guxon sot të thotë: “Zoti të dhashtë !” ?!
Një qen i kënaqur brenda kasolles, mbi kashtë,
bie të flerë;
asnjë plesht nuk guxon ta ngacmojë, si në verë.
Bukuria që vret mbetet jashtë.
- Mos vdis, o shpirt nëne !
Kushdo qoftë i uritur, anë e kënd botës,
Le të kafshojë pak misërnike hëne !
PËRRALLA E PËRRALLAVE
Në breg të lumit, shokë mjerimi,
Plepi, Unë, Qeni dhe Dielli;
duam të pimë ujë burimi
dhe të shikojmë fytyrat, si jemi ...
Duam të pimë ujë burimi,
po druajmë, mos lumi është gjurma e drerit
dhe pastaj ... ju përrallën e dini ...
Plepi e dinte përrallën dhe gjethet rrëzoi,
Qenit, ia thanë përrallën dhe iku ...
Por uji-pasqyrë shëmbëlltyrat fiksoi,
i mori me vete, i treti, i fiku.
Mbetëm veç Unë dhe Dielli.
Po prisnim. Ne të dy.
Koha kalon. Ajo s’ka mëshirë.
Është një farë Zoti. Na ikën nëpër sy.
Unë, Dielli dhe krejt jeta jonë,
duam të pimë ujë burimi,
po druajmë mos Lumi është gjurmë dreri
dhe ju ... përrallën e dini ...
- Pi, në Lumin e jetës ! – tha Dielli.
- Historisë rrotën mbarë
Ja vërtitin guximtarët !
Dhe Unë piva, etjen shova.
U bëra Dre, Diell, Shqiponjë, Plep,
Qershi dhe Hurmë.
Po, shyqyr Zotit, e kuptova :
Çdo gjallesë në Lumin e jetës
e ka një gjurmë.
NATË E SHKREHUR
Midis lëpushkave të një misri të sapopjekur
qëndron paqja e kësaj nate feste.
Ç’natë e shkrehur !
Asnjë daulle nuk bën : Bum ! Dum !
Veç një yll i madh, bukurosh, vëngërosh,
vështron
q’atje lart
si dudum.
Midis lëpushkave të një misri të sapopjekur
qëndron fara e shurdhuar
e një lufte të mekur ...
MJEGULLA KA RËNË PËRMBI BEDENA …
Gjithandej mjegull përmbi bedena :
Përse thonë që Ali Pasha ka 7 zemra ?!
Kështjellat – Oda, ku yjet kanë arenën,
Era dhe shiu i Tepelenës këtu janë;
Mbi një shkëmb të madh, si sofër,
Xha Aliu me ndjekësit pi duhan.
Ditë e natë pinë merakun e pamasë,
Gjerbin hallet e mëdha të fukarasë.
Etja për liri ia ngjyen sytë e sertë,
Inati i paskaj ia ngre qimet përpjetë.
Struken atje të egrat dhi; Perandoria
Që udhë s’i hapi, po me dredhi
Në sy e pat, si halë ...
Prej flokëve të njomë del mjegull palë – palë,
tymi që mbulon e fsheh dhitë e pabindura,
Perandorinë kryeneçe, të ligë;
Popullin që nuk vetëmban rregull,
Pa kërrbaç e frikë.
Po dielli bie dhe mjegulla bën fir,
Çibukët e duhanit shndërrohen në oxhakë,
mes buzëve të kohës mbërthyer me kapakë ...
Hesht, vetëm hesht Ali Pashai,
ky vigan i egër.
Trupin përmbi tokë, kokën nëpër mjegull ...
Fluturo shqiponjë mbi male, fluturo !
Dheu i tret trupat,
mjegulla kokat – jo !
Mjegullën e thithin gjethet, e tret pylli,
Drurët bëhen letër, libra, histori.
Dilni të blini historinë e Plakut të Hekurt,
Që të mund të kuptoni pakëz Shqipëri !
XHINDI ÇAMARROK, LIQENI DHE ÇUPËRLINA
Mbi të djeshmen njomzake fluturoi ajo,
Mbi Liqen.
Qesh e luan,
Motiv Ilirie.
Pajdisur me Xhindin Çamarrok.
Botën nga e para nis ...
Flatrat e flakta mbi shpirt ia nden,
midis nofullash të ujta diçka bluan,
Përralla dhe Tirq.
Kostume jashtëtokësorësh.
Çupërlina kryeneçe mokrare, nazelie
Nuk ia hesh sytë Xhindit me pelerinë.
Dallgë e Liqenit ngrihet
Si këmishë lazgushjane në erë,
atje ku Nositi ka shtëpinë ...
Ai zemrën e bëri klinikë shpirtërore
Me perin e gjakut të vet përjetësisht arnon
Plagë njerëzore,
qep e shqep pambarim.
Në vetmi harrojmë të luajmë mëngjesthi.
Dëshpërimisht mbetet i mjerë
Kush kërkon vetminë.
Xhindi Çamarrok, Liqeni dhe Çupërlina
Vallzojnë lingthi krahëhapur
Dhe zbret nga rrotëdisku i Diellit
Rrëkeza e kërthizës së përgjakur ...
Liqenit i përflaket mjekra lara – lara;
muzikantit shaluar mbi hënë
i shkrin mbi gjoks kitara.
Xhindi... Liqeni... Çupërlina...
Dallgaviten, puthen, përputhen,
Thërrmohen si copra yjesh të valë
Zhduken,
Zhuriten.
Dalngadalë.
(Korce,2007)