Gjysmë dënesë, gjysmë e qeshur
Oh ky shkrim,
mpiksje dënese
e thatë,
e tmerrtë,
e patretshme.
Këndojnë në mish të therura të mprehta,
maja thike drejtuar nga vetja.
Shtrëngoj në mbidurim
krahët e mi të prerë,
Shqisa thellë kërkon
hajmalitë e fjalëve
oh thelbi i tyre i zbrazur,
o pafajësi sterile!
Kokrra të çuditshme në lëkurë,
kokrra dënese
shpërthejnë
në të qeshura sizmike.
Ora e këngës së natës
Oshëtijnë,
kremtojnë e gremisen.
Janë thirrje të largëta.
Është ora e këngës së natës.
Me zërin e saj,
ajo thith gjakun tim,
por ka tingullin
më të ëmbël
nga të gjithë zërat.
Përsëri duke ujitur terr.
Mes bregut të fjetur të saj,
yjet rrinë pezull
si të mbyturit e vetëm.
Hijet mbrehin kuajt e mungesës,
pluhuri i nisjes ngrihet në re.
Grua
Humnerë,
unë ty të avitem përherë
sepse je një grua, si unë.
Kur të mbështetet qielli në bark,
yjet të mbushin cit me parandjenja.
Tek të shoh aq të qetë,
të përhershme,
s’më duhet të mbështetem tek ti,
as t’i ankohem gjithësisë
për gratë që sillen si humnera.
E di, trupi i një gruaje
është plot luspa e gjemba
kur ajo nuk do.
E di, shpirt i një gruaje
ju ngjan me brumë lotësh e gjaku,
humbisni teksa futni duart për t’i dhënë formë.
E di?
Ajo – gruaja,
në bark përzien ujë dhe rrufe,
në buzë ka ëndrra, në qumësht zemrën
kurse me duar i jep formë gjithçkaje.