Emigrimi
U hap
Kështjella,
u hap.
Kështjellarët nga frika,
e jeta e mëparëshme
vrapuan për të ikur sa më larg…
Shpejt kuptuan
se kishin rënë
brenda kështjellave
të reja më të rrezishme
dhe dëshironin kthimin
te kështjella e tyre me mure të çarë.
Ironi
E thirra veten në gjyq,
Dhe mbas analizës,
duhet ta dënoja shumë.
Kur dënimin e rreptë po jepja serioz,
ajo qeshi me zhurmë e më tha:
-Unë kam para e miq shumë,
Tani edhe me “ vdekje “ më dëno.
Buones Aires 1995
Përjetësi
Akropoli
Pikturuar nga një mjeshtër në filxhan
Në duart e një turisteje shfaqet e zhduket.
E ajo
Duke pirë kafen e ngrohtë,
Me buzët e trasha
E puth fort,
Akropolin e vjetër,
Akropolin e ngrohtë.
Athinë, 1991
Vajzës
Brisa dhe prilli
erdhën në një kohë.
Vajza rrethuar nga njerëzit lindi,
prilli rrethuar nga zogjtë.
Dhe në qënien time një shtesë lulesh pati.
Ndjeva shtesë vargjesh,
shtesë ndjesish,
një gëzim me pushtoi shpirtin.
E quajta Brisa- trëndafilin tim pranveror.
Ty, që do të jesh 20 vjeçe në shekullin e ri
E më shumë se unë do t’i takosh atij.
Tiranë 1980