Malli për nënën.
U rrita kudo me hallet e jetës E lotët si shiu më bien në faqe Dua që çdo sekond të dëgjoj zërin e saj Por edhe ashtu prap nuk kënaqem.
Si nuk munda vargjet t’i mbaroj As lotët që bien në faqe e mjekër Nuk po mundem mallin ta kaloj Asgje në botë më të dashur nuk paska tjetër
Marr të flas me të, por nuk mundem Marr ti shkruaj por jo. Sa shumë unë për të po vuaj, Siç vuan për mua dhe ajo.
Dramcat e bukes
Para kohe nga sofra ngrihesha, kafshatën e fundit s’e mbaroja, dramcat i lëshoja mbi çardak. Nëna ashpër më qortonte: -Kush nuk mbledh dramcat e bukës dhe le kafshatën e fundit, dreqi i ka zënë vend në bark. Nuk e kundërshtoja, por sillesha vërdallë. Nëna përsëri më thoshte:-Dramcat Mblidhën, puthën e vihen në ballë.
Tani që jam vetë prind, këtë qortim fëmijëve ua hedh. Ata më përgjigjen duke buzëqeshur: -Dramcat e bukës në Amerikë, kush i mbledh?
Jam biri juaj! Rrugicave të fshatit sërish unë dola, prapë si dikur gjithë gropa dhe ujë. Jeta si në legjendë vitet m’i vodhi, O njerëz të mirë, unë jam biri juaj.
Kolovitem ngadalë me dregëza në shpinë, koha asnjëherë nuk i shëroi. Me moshatarët përqafohem, Me të vjetrit këmbëkryq rri, Kundërshtarve të dikurshëm Buzëqeshje u dhuroj.
Ngrihem ngadalë, i lodhur, i menduar, Buzëqeshjen e tyre mbi supe ngarkoj. Je biri ynë -më thonë të gëzuar, unë atë fjalë zemre kurrë s’e tradhëtoj.
| Ndue Hila ka lindur në fshatin Rraboshtë-Lezhë, më 28 tetor te vitit 1960. Hobi i tij është letërsia dhe drejtësia. Eshte gazetar ne disa organe shtypi si ne Shqiperi dhe ne diaspore. . Jeton se bashku me familjen ne Michigan, Amerike.
Ka botuar këto libra:
“E gjeta ku ta shkruaj emrin tënd”. Poezi “Meteor dhembjesh”. Poezi “Vraje vetminë” Poezi "Shungullimat e heshtjes" Poezi “Kitaristi i kabarese” Tregime. “Humbësi i emrit” Roman. “Heroi i dy Kontinenteve” Monografi
Disa nga poezite e tija jane perkthyer dhe botuar ne Italisht, Anglisht, Rumanisht.
Syte e tu Më kujtohen ata sytë e tu, ajo puthje e ndarjes në agim, dita si endërr e bukur m’u shua, mbet si dhimbje në shpirtin tim.
Për shumë vite u harruam në këtë dhe të huaj, të larë me lotë. Disa hërë u lodha t’i kujtoj sytë e shkruar, nga malli nuk i kujtova dot.
Mos ishin sytë e tu si ngjyra ylberi, si tallaz deti apo era në vjeshtë, mos kishin ndriçimin e diellit, apo bardhësinë e borës në bjeshkë?
Edhe sot kur i kujtoj kam mallëngjim, shkëlqimi i tyre përherë më djeg si zjarr. Shumë vite humba në këtë dhe të huaj, sytë e tu i dashuroj prap si i marrë.
Me puthje me mbulo Shiun ma prite me bluzën tënde të bardhë e për vete nuk mendove se u bëre qullë. Pisha shtatlartë i shihte puthjet tona… Të dua, më pëshpërisje në vesh me zë të ulët. Më beso më thoje, të dua si e marrë.
Buzët m’i rrëmbeje me afshin tënd të tërbuar, kujtoja se dielli i pashpirt ishtë zhytur në to. Ta kafshoj pak cepin e tyre?- belbëzojë lehtë, pastaj ti me puthje më mbulo.
Hesht Mos mendo se do më çmendësh, nga imazhi im të dalësh e larë, në fytyrën tënde dimri ka fjetur gjumë, hesht në damarët e trupit tim. Ka kohë që gjaku i freskët është tharë.
Hesht, dhe udhën e nisur mos e ndalo në natën e terratisur, mos rrëzo meteor. Ma mbyll gojën që të ma mbaj gulçimin, ajrin e mushkërive robtuar ta kem në krahëror.
Gjysmake ma le ëndrren sonte, shpirtin ma lodhi ankthi e mendimi. Brengën do e mbylli në vetvete, që nesër të shtriqet në kopshtin e harrimit.
|