|  Ecja nëpër pyll vesën duke pirë
Një mëngjes të ngohtë nëpër pyll kaloja, Kokën varur gjoksit, rrugës tek vështroja Lulëzat e kaltra në barin e gjelbër. Pa qëllim shëtisja, si një dre i verbër.
Kisha lënë shtratin shpejt në mëngjes-herë, Doja larg të isha prej njerzve të tjerë. Vetëm të shëtisja, larg nga bot’ e gjallë, Diçka që të gjeja, të më treste mallë.
Ecja nëpër pyll vesën duke pirë, Prekja hala bredhi ngjitur në rrëshirë. Përqeshja një lule, puthja një zog fushe, Më shihte një flutur porsi ëngjëllushe.
Era përkëdhelte gjethezat e reja, Një gugash i vogël qante tek foleja. Dhe ja si papritur nëpër degë e gjethe, ...Dielli më dha syrin, më futi në ethe.
Më ndezi vështrimin, më pushtoj të tërë, Ndriti pem’ e lule...”Zot! Ti, ç’paske bërë?” Filloj flas me veten ashtu i çuditur, “S’paskam parë diellin...është ar i situr.”
Si lindi mes pyllit kjo stoli e rrallë? Vërtet jam mbi dhé, apo në qiell vallë? Apo ajri vetë kur shkëlqen i dehur, Enkas na zbulon botën që mban fshehur...
...Na gënjen me ledha me çfaqje deliresh Që ashtu pa dashur të dhënë pas hiresh, Të harrojmë brengën dhe mallin e vluar, Të harrojmë dheun nga jemi larguar? Horizonte me mirazhe
S’di ku ike, s’di si ike? Eth’ e aurës ke qënë; Një kllapi, avull deliri, që vjen netëve me hënë… Pik’e virgjër e një loti, e përvjedhur si një hile, Pas kadifezës ezmere të një faqe karafile…
…Dhe besova prej një buze... belbëzimin e kërkuar, Çdo përdredhje dehjeplote... të një syri të mësuar. Kështu fala ç’kisha vluar me durim pikë pas pike, Flakëritjen e një ndjenje, përpëlitjen e një frike…
…Ndoqa visesh ekzotike gjith’ oazet të të zija, I magjepsur perëndimesh me gamile dhe xhamija. Por s’të pata dhe s’më pate, mes sixhadesh kishe mbetur. Një kujtim i një vegimi, pas mirazhesh ishe tretur.
Edhe ika zemërmbytur, prej një velature fine, Që le kurmi erëmirë i robinjës arapine Korça
S’di si të të dua, s’di sa të të dua; Veç kur jam atje, në rrugët e tua; Kur bliri pikon eliksir mbi mua; Filloj dhe të ndjej.
Këngë do mësoj, këngë që këndohen; Çupat ti trazoj në mëngjez kur zgjohen; Vellon t’u rrëmbej ditën që martohen. Do të vij, ti gjej.
Ndër kangjellat e tua dimërit me borë; Harpën ëngjëllore do luaj me dorë; Të dëgjoj’ muzikën zemra ime-e gjorë; Edhe të zhdëfrej.
Pa ta ngjit Moravën fshehur nëpër hije; Hije madhështie, hije bukurie; Ah!... Do ta shkul zemrën, ta bëj fije-fije; Ashtu të të ndjej. 2000
Vetëm ti më vjen...
Vetëm ti më vjen nëpër ëndërrime, Fshehur pas harresës, o nënëza ime. Mes hipokrizisë, shtirjes së paanë, Vetëm ti më vjen dhe më qëndron pranë.
Ngado që vështrova, kudo të kam parë. Ti je manushaqja me petal të tharë, Ti je trëndafili, çelur pas hardhisë; Tym’ i ngrohtë i zjarrit që del prej shtëpisë.
Të pash’ e të njoha, s’mund të ishte tjetër. Bisk i sapo-çelur mbi degën e vjetër. Edhe ai zogu me krahët e lehtë, S’mund të jetë tjetër, ndryshe s’mund të jetë.
Më sheh merakosur, pyet si kam qënë, Natën si kam fjetur, a u lodha mbrëmë? Pse kam sy të skuqur, ç’dhimbje m’i ka vrarë? Pse këngët e vjetra s’luaj në kitarë?
Ç’brengë kam në zemër që më këput zërin? Pse kjo hije lodhur më mbulon të tërin? Dhe kur me qesh buza për ata që dua; Lumturon e qeshesh edhe ti me mua.
Ngado që të shkoj, e di, të kam pranë. Dhe kur rri mendohem me kokë mënjanë. Dhe më vjen si vesë, dhe më vjen si erë. Vjen si yll’ i ditës plot me yj të tjerë.
Pa më bëhesh hënë dhe natën me ndrin, Pa më bëhesh diellë, akullin më shkrin. Herë dallëndyshe që më sjell beharë... ...Nënëzë të humba, malli më ka marrë.
Dh Papando 2001 NY
| | Dhimitraq Papando, ka lindur ne Korçë ne vitin 1954. Diplomohet në degen Mjekësi e Përgjithshme dhe më vonë specializohet Nefrolog. Ka punuar në Korçë deri ne vitin 2000. Tani banon në Brooklyn, New York. Ka shkruar poezi që në moshë të re, por i boton ato vetëm në vitin 2006, pas rreth 30 vjetesh. Libri me përmbledhje poetike “Yjet do trazoj” është libri i tij i parë.
Nga një lot ndryshoi bota Flutur drite flatrashkruar, pse zgjedh ëndrrat të më vish; Më trondit shpirtin e shuar me magjepsje perëndish? …Drodhi thellë gjith’ parajsën, lot’ i hidhur, i çuditur. Buz’ e bukur e idesë…prej nepërkës e zhuritur. Eshtë hapi që sa niset, loti i parë mes blerimit. Eshtë dhimbja që po ngjizet në themel të njerëzimit. Ja! Atje fillon kamzhiku fishkëllimash të përdridhet; Kryq i rëndë përmbi supe, shpirti kuq…në zift…që hidhet. Kështu nisi vetëtima, afsh’ i zi i një mëkati; Dor’ e rëndë përmbi supe, përkëdhelja e një fati. Dhe papritur mes mënxyrës, ball’ i bardhë i beronjës, Syr’ i ndezur i një kopiles* që pas supit të së zonjës. Dhe më tej, eh, ndër pallate…një shami e parfumuar, Që e humb qëllimthi dora e princeshëzës së vluar. Dhe një qeshje lodërtare…dhe një klithmë nëpër natë Pas një hije në dritare plumb’ i hidhur kur vret thatë. I shikoj që sillen rrotull, si çdo gjë gjith’ rrotull sillet Edhe unë midis tyre, zemra ime me gjith trillet. Flutur drite s’ke pse druhesh; eja ditën pa u vjedhur U ndryshua bot’ e tërë nga një lot…parajse derdhur. 6/2007 NY *Ketu ka kuptimin e një termi poshterues që dikur përdorej për shërbyeset Mes kreolesh (1)
Rri përgjoj një dallëndyshe në dritare Si po luan gushëfryrë në një tel Dhe në gjoks më vjen një thirrje mëkatare Që më shtyp nëpër damarë e më shkel.
Eshtë dimër, apo verë? S’ka më stinë! Si ta heq zvarrë…kështu, jetën e tërë? Gjithë stinët mpleksur bashkë këtu rrinë, Si sirena… vdekur, mbetur nëpër rërë.
Ndërroi bota…dhe nuk di ku më zë nata: Në bregdet, mes rërës, shtrirë më kurriz, Apo thjesht në varkën time me lopata, Teksa hënës vellon fshehur shkoj i gris.
Larg kam ikur, tej…mërguar vendit tim. Plot kreole kokëzeza kam përeth. Hije palmes me rendon si nje mallkim. Tel' i benxhos nuk e di sepse me ngjeth.
Rri i fshehur nën sombrero, i harruar, I rrethuar nga kreole gjakvaluar.
(1) Kreolet jane nje popullsi e perzjere, metise e Haitit e njohur per vajza shume te bukura dhe plot sharm e atitude...
Varka ime ku me shpie
Qielli varur perde-rëndë si një ballë i menduar. Zbret e griset nëpër pemë mbi liqenin faqe-shtruar.
Era fryn e ëmbël shumë dhe mënjanë i mbledh retë. Varka ime vozit thellë dhe me shpie nga do vetë.
Duke humbur gjethe-verdhat çvoshket hëna mbi liqen. Nata krejt e parfumuar që nga Mal’ i Thatë vjen.
Një shelg varet i argjëntë, nëpër ujë krahët lan. Hëna mbetur lakuriqe lotëverdhë nis e qan…
-…Pse më merr në ujë thellë, varka ime ku më shpie? -Më afro tek hën’e verdhë të shoh dritë bukurie!
-Laskuriqur, nëpër ujë, ku shkon hënëza dhe fshihet? -Me një krëhër prej kallamash flokët lag ajo dhe krihet.
Pas kallamave, në ujë, hëna kreh flokët e gjatë. Nazemadhe rrotull saj formon rrathëza një patë.
Duke mbledhur gjethe-verdhat atje dua që të shkoj; Të rrëmbej patën e bardhë, faqen ujit t’ja trazoj…
…Shushurin liqen-i pastër, kallamishtja plot shkëlqim. Varka ime gjith’ lëkundet pa lopata, pa drejtim.
Dh Papando 2005 Mars
Si mantel ia hedh mbi krye.
Ç’panë sytë e mij, oh, ç’panë, Nën qiellin e paanë! Më ikën mentë, më lanë. Një ëngjëllushe me fletë, Prej parajsës zbriti vetë.
Vjen nga retë e më rri pranë, Edhe vashë edhe zanë, Flokun lëshuar mënjanë, Përmbi supin e zbuluar. “Zot, ç’ke bërë, ç’je munduar!?”
Ladhatuar më thërret. Më zgjat dorën dhe më flet. Dhe më ngjall edhe më vret. Psherëtij mëndje trazuar... Si të bëj, ta marr ndër duar?
Përgjoj zemrën...s’di ç’më ngjet. Si qiri më djeg, më tret. E hap shpirtin sa një det. ...Rrëmbej qiellin me gjith yje, Si mantel ia hedh mbi krye.
Dh Papando 1990 Dimër
Kur vjen dimri i akulluar mbetem zgjuar nëpër netë. E ndjej shpirtin të më lerë, nëpër erë të mërgohet. Trupi mbetur i braktisur dalngadalë nis e ftohet, Si një vatërzë që shuhet në shtëpin’ e lënë shkretë.
Që prej xhamit të kristaltë shoh përjashta i nemitur, Si në natën e ndriçuar bora bie fjolla-fjolla. Syri griset i harruar nëpër perdezat e holla, Edhe tret lotin e nxehtë me qerpik të përpëlitur.
Dhe kur hëna e florinjtë që prej reve rreh të dalë, E vesh natën e pikuar në përndritje të praruar; Zem’r e dridhur ritmin shuan duke rrahur e hutuar. Hesht dëbora mbi çatitë ku ka rënë palë-palë.
…Kthehet shpirti i arratisur zemër-vakur tek mendoja. Ishte jerm apo ekstazë s’e kuptova ku u futa. Sy’n e bukur më jep hëna fshehur pas reve të buta. Flok’n e verdhë ka përhapur nëpër perdezat me hoja.
Dh.Papando KO NY 1976-2005 | |