Ndue (Tomë) Ukaj lindi në vitin 1977 në Stubëll të Epërme të Komunës së Vitisë. Ka kryer studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ku ka ndjekur edhe studimet e magjistraturës. Ka qenë editor i revistës për art, kulturë e shoqëri “Identiteti” (2001-2002) që është botuar në Prishtinë. Tekstet e tij letrare, eseistike, publicistike janë botuar në gjithë periodikun në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, diasporë dhe me gjerë etj.
Më 2004 ka botuar librin ”Diskursi biblik në letërsinë shqipe” (AIKD, Prishtinë).
Është bashkautor i monografisë “Stublla”, si dhe është i përfshirë në disa antologji të poezisë shqipe.
Ndue Ukaj shkruan poezi, prozë, eseistikë, teori, kritikë dhe studime letrare, si publicist.
Ka disa libra në dorëshkrim, të zhanreve të ndryshme letrare të cilat priten të dalin së shpejti në dritë.
PËRLESHJE
Nganjëherë i kafshoj dhëmbët furishëm
Më mbetet gjuha në dhëmbë nganjëherë,
Me gjilpërë më duhet ta qep gjuhën,
Engjëllushka ime, jo pse dua, nganjëherë
Çuditem edhe me veten si i kafshoj ëndrrat.
Hahem me to deri në përgjakje
I kafshoj dhe përleshem me realitetin,
Nëpër net me ëndrra vjeshtore
Dhe pranvera me buzëqeshje dashurore
Hamendja për fitore mbyt trishtimin
I kafshoj ditët, edhe netët i kafshoj,
Të zeza si futa, netët e paperënduara,
Përgjakem krejt nganjëherë,
Me dhëmbët e mi të rëndë, të rëndë,
Sa shkëmbinjtë e Bjeshkëve të Nemuna,
Nganjëherë botën e zë gjumi n’mes të ditës,
Dhe aty përulet miti i fuqisë së qëndresës
Trulloset bota krejt e humbur përkundet,
Harron përuljen e gjurit bota nganjëherë
Bie në gjumë nëpër ninulla ledhatuese
Papritur tretet nga thartira që të qet zorrët
Tëhuajësohet mendja dhe humb imazhin në pasqyrë
Pema e Jetës zë rrugën në mëngjesin me vesë diellore
E unë, nganjëherë i vetmuar përleshem me botën
Dhe përhumbem në lakuriqësinë e poezisë
TUNDIMI
Koka e rraskapitur tundet vend e pa vend,
Zoti im sa vështirë e kam ta mbaj drejt
Era e heshtjes e luhat si një fletë qershie
Bota qesh mistershëm
Unë nuk çaj kokën engjëllushja ime
Përkundem në tundimin tim
Aty ku rrëshqet dheu nën këmbë,
Mundësia për të mbajtur boshtin drejt
Është më e vogël si një zero e madhe
Tundimi mban peng kokën time
Rrëmujës së përplasjeve tokë e qiell
Për fjalën e ambël si gjini i nënës
Për shkronjat e emrit tim që i përpiu Liqeni i Shkodrës
Mori krimbash të qelbur ushqyer nga dromcat e vjella nga alkooli
Rrëzë Kalasë së Rozafatit u kryqëzua një grua
Dhe dymbëdhjetë meshkuj dhanë betime të rreme
Tridhjetë e tri shishe të zbrazura
Tridhjetë e tri të mbushura i cakërroj përnjëherë
Pëlcet pikëllimi dhe bërtet:
Sa i mirë është të mos lexosh poezi -
kjo domethënë, thjesht, të mos vrasësh kokën për asgjë,
Vetëm poetët, vetmitarë dinë të duan,
Të duan e të duan pakufi,
Të kapin diellin në shuplakë dore,
E të përqafojnë detin në gji
Vetëm poetët dinë t’i numërojnë
Heshtjet tua të dhimbshme
Të lavdishme, o Shkodra jonë,
Të puthurat e përgjakshme nga Kosova,
Dardania Antike e maja e Stubllës së kryqëzuar
Dhe një emër i përbashkët:
Të vdesësh për të rrëfyer mistere të përjetshme
***
Si të mësohet te shkruhet ardhmëria në dheun
Që rrëshqiti nën këmbët tona elastike,
Ikën frikshëm, sa çel e mshel sytë ikën si era
Ku ta vjedh një pikë uji ta shumëzoj si Krishti,
Ta shumëzoj e det ta bëj
Për pastrim të pluhuri të mykur ka etje
Dhe mendimet e burgosura të lirohen
Lëkura e gjarprit të nemur, O Zoti im
Ngre kokën mbrëmje e mëngjes
Zvarritur tokës së cilës i zihet fryma
Dhe një kope zvarranikësh të dehur
E një mollë e mbjellë pa dëshirë
Në oborrin tonë rrethuar pa dashje
Nga pluhuri dhe merimangat
ehu, po si të digjet pa tym e zjarr...
POET ME U BA
Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
Për secilën fjalë, për secilin varg.
A. Shkreli
Dje jetova për sot Poet të bëhem.
Ëndërrova gjatë
Nëpër natën e gjatë që humbi në horizont,
Në natën e veshur me lëkurë muzash
Recitova dymijë herë këshillën poetit
U përgjaka në ëndërr sa trishtueshëm i kafshova vargjet,
Thonjtë më mbetën në vargje pikëllueshëm
Kupa e Enigmës për pak sa nuk u përplas ballit tim,
Aty ku bluhen mejtime për Ty,
Ku zihet dielli e vullkanet e panumërta.
Në teh të dilemës recitova vetës dymijë herë këshillën e poetit
Me vargje s’mund të prekësh thellësitë e Tokës e lartësitë e Qiellit
Për vargje nuk vdiqët, thonë të pagdhendurit për poezi
Sot jetoj për nesër...
Poet të bahem
Me qirinj të mbyt terrin kafshues
*
Mbi Kopenhagë shfaqen re të bardha shiu.
Ngjyra blu s’ka më në qiell
Ca ide marroqe bredhin nëpër hapësirë
Teksa maratona e kuptimeve peshon rëndë në kozmos
Në majat e poezisë aty ku puthitet qielli me tokën:
Të ecësh nëpër Ferr, Purgator për në Parajsë s’është gjë e kotë,
Ku sytë e rëndomtë s’shohin gjë,
As sytë e kaltër të suedezeve shtatholla
Vetëm gjunjët e përgjakur dinë të ecin pafundësive,
Dhe sytë e Mona Lizës shpojnë kështjellat antike
Fortësinë e mureve të mendimeve.
Ca yje të përgjakur pikojnë si kujtime kohësh,
Sa mistershëm pikojnë mu në ballë të poezisë.
Dhe pra poet me u ba domethanë
Me u çjerrë sa herë të bjerë shi mbi tokë,
E sa herë të ketë rreze në qiell,
Me u ushqye me vargje, poet me u ba,
Domethënë me fluturue sikur zog nëpër qiell,
Me prekë sa e sa thellësi.
Me shkue te Kodra e Dashurisë,
Ku puthen qielli e toka, me pa çka nuk sheh bota.
Ku nuk shkohet me këmbë, veç me gjunjë të sakatosur.
Me u ba poet domethënë me besue në dashuri,
E me pika uji me mbushë oqeanin e thamun: Dashuri e Poezi.
KRIJIMI
Zoti, gjashtë ditë krijoi pa ndalë,
Të shtatën ditë
poetët i futi në Kopshtin e Fshehtësisë
ua mësoi zanatin e ua caktoi misionin;
Vetëm një gjë qysh ngaherë mbeti sekret,
Gjarpri!
Cilën ditë të krijimit u zvarrit së pari mbi Dhe?
PËRLESHEM
Nganjëherë i kafshoj dhëmbët,
I kafshoj sa fort gjuha më përleshet me dhëmbë,
Më mbetet gjuha në dhëmbë nganjëherë,
Me gjilpërë më duhet ta qep gjuhën,
Engjëlli im
Jo pse dua
E, pra nganjëherë çuditem edhe me veten si i kafshoj ëndrrat,
Hahem me to deri në përgjakje
I kafshoj dhe përleshëm me realitetin,
Nëpër net me ëndrra vjeshtore e pranvera me buzëqeshje dashurore
Hamendja për fitore mbyt trishtimin
I kafshoj ditët, edhe netët i kafshoj,
Të zeza si futa, netët,
Krejt përgjakëm nganjëherë,
Me dhëmbët e mi të rëndë, oh sa të rëndë,
Sa shkëmbinjtë e Bjeshkëve të Nemuna,
Nganjëherë botën e zë gjumi 'mes të ditës, trulloset bota krejt,
Harron përuljen e gjurit nganjëherë bota
E unë, nganjëherë i vetmuar përleshem me botën
Dhe përhumbem në lakuriqësinë e poezisë
TË GJITHË JEMI ODISE
*
Kërkimi është art!
Gjithë nga pak jemi Odise, kush kërkon Itakë e kush Penelopë
Pjesë trupi: gjymtyrë, sy, veshë
sa t’ përhumbur në lakuriqësi t’lakoreve ujore detit kaltërosh, detit idhnak.
Brigjet e rrahura prej miliona pika uji kërkojnë e nuk kthehen më kurrë,
Me heshtjen e detit, me zhurmën e detit thyhen heshtjet më të ankthshme
Më kërkue është art si me puth diellin me buzë të akullta
qiellin me kap në shuplakë, e me shtrydhun, tamblin e tij me pi
Sytë të përhumbur sa në qiell sa në det
Itaka, destinacion i shenjtë nuk u shkatërrua asnjëherë,
Sa tinëzisht e ruan Penelopa diku e fshehur me sy t’mëdhenj me sy t’Zinj,
misterin e pritjes.
Odiseu sykaltër kurrë nuk e ndali kërkimin,
kërkoi e nuk ndalet deri në kërkimin e ri
**
Gjithë nga pak jemi Odise, kush kërkon Itakë e kush Penelopë
Labirinteve të tokës kërkojmë e kërkojmë e kërkojmë
deri në fundin që nuk shihet kurrë
Kush kërkon Itakë e kush Penelopë,
Bota pret e zhurmshme,
Gjithë nga një copë Penelopë kanë në kokë
Gjithë kërkojmë ngapak e gjithë presim ngapak
ecjet kanë një qëllim,
tutje natës së burgosur në heshtje trishtim,
kush me hapa të shpejt, kush me gjunjë të përgjakur
Ecim, o sa përmallshëm ecim
rrugës së kërkimit, pa prâ ecim.
Pa pritur, sa çel e mshel sytë, na zihen dëshira,
nganjëherë na puthitën si yje të flakur në ballë
Kohëna të humbura herë i shkelim me thembra, herë i kemi në ballë
gjithë ngapak jemi Odise,
Kush kërkon Itakë e kush Penelopë
Thirrje
Muzë, mos fli, hape sythin
Dhe m'i huazo zërin këngës
Përkulem para teje
Digjem e flakë s’jam
Muzë, në fillim ishte fjala
Dhe fjala ishte gjithçka
Tanimë s’mbet gjë tjetër
Përpos fjala e dashuria
Më dëfto kufirin e jetës dhe vdekjes
Dhe mbretërinë e poezisë
Në qytetin tim me kufij dhe mure
Më dëfto mbretërinë tënde
Prej urate
Dhe më mëso të bëhem dishepull i fjalës
I muzikës së shpirtit të dëlirë
Që vallëzon kurrë pa ndal
Më dëfto shumë
Se historia është nyje në këmbë
E shkruar dhe e rishkruar
Nëpërmjet gishtave të dridhur
Për të prodhuar mite
Dhe një kodër rrenash
E pra Muzë, këndo me mua
Dhe dashurinë që vlon
Në metamorfozën e kohës
Më dëfto Zoti im se
Dielli lind për të mirët dhe të këqijtë
Gjuha e zjarrtë shndërrohet në hije
Dhe shikimi im në horizontin e pritjes
Tek rikthen mendjen në ditën e djeshme
Dhe kundron strukturën e kohës
Në pikën e së nesërmesTingëllima e dielës
Dialogu im i së dielës është më i thartë
Se espresso e mëngjesit me llomin e gazetave të përmbysura
Në tavolinën kur përplasën ca rreze të frikshme dielli
Dhe zëra të çorientuar që uturijnë si era në kohën që na gërryen sytë.
Humb shikimin brenda orbitës së espressos që lëshon
Një duhmë arome bashkë me kambanat e katedrales që s’janë më
Dhe kujtimin e natës së epshme i mbytur në duhmën e seksit
Tek selitej dhembja për tingëllimën e humbur
Dhe afshin e pafundmë dashuror
Dialogu im i së dielës i ngjan orës së lëvizshme
Që numëron kohët dhe i lidh me varg shkëmbor
Pastaj refrenin e përsëritur “Në fillim ishte fjala”
Të më falni dashuria...u marrosa pas expressos
Dhe Eva lakuriqe- një histori që kurrë s’u shua
Dhe kujtimi që mi gërryen sytë për Kopshtin e lumturisë
E fjala harrim që kap qiellin më shuplakë dore
Dialogu im i së dielës nuk ka tingëllimën e katedrales së rrënuar
Me shikimin tim bredh një zog i harlisur ajrit të akullt
Teksa unë numëroj si i çartur shtatë ditët e krijimit
Dhe fus ndjenjat thellë në gjinjtë e tu, qielli im
Që shëmbëllen me dashurinë e gulçon si në orgazëm të çmendur
Zoti im, dialogu im i së dielës është më i vetmuar
Se nata e vjeshtës me fortuna dridhmuese
Se tingëllima e katedrales që grish vetminë e zezë
E ngreh zvarrë si viktimë kohësh klasike
Dhe ngjyrat e piktorit që prehet prerit të gruas së epshme
I gdhirë me shikimin e humbur që i shëmbëllen
Të dielës së dialogut tim me poezinë...!